Britania thotë se të rekrutuarit nga burgjet ruse, mund të vazhdojnë të shërbejnë për Grupin Wagner

Evropë

Britania thotë se të rekrutuarit nga burgjet ruse, mund të vazhdojnë të shërbejnë për Grupin Wagner

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Grupi i fundit i mercenarëve të Grupit Wagner që ishin rekrutuar nga burgjet, do të përfundojë shërbimin e detyruar "ditët e ardhshme", tha të premten Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Në raportin e përditshëm të zbulimit mbi luftën, ministria tha se "një numër i konsiderueshëm" i të dënuarve të falur "ka gjasa" të vazhdojë të qëndrojë me Grupin Wagner, si ushtarë profesionistë me kontratë.

Po sipas këtij raporti, Rusia tani kontrollon procesin e rekrutimit nga burgjet të grupit mercenar.

Programi i rekrutimit të të burgosurve nga Grupi Wagner shënon një nga episodet më të përgjakshme në historinë moderne ushtarake, tha ministria britanike, me rreth 20,000 ish të burgosur-rekrutë, që u vranë brenda pak muajsh.

Muajin e kaluar, Grupi Wagner organizoi një kryengritje kundër autoritetit të presidentit rus Vladimir Putin.

Drejtori i CIA-s, William Burns, tha të enjten në Forumin e Sigurisë në Aspen, një konferencë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, se rebelimi ishte “një vallëzim shumë i komplikuar” dhe se Presidenti Putin po ble kohë për të vendosur se si do të hakmerret ndaj kreut të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin. “Nga përvoja ime, Putini është dishepull i hakmarrjes dhe do të habitesha nëse Prigozhini shpëton nga hakmarrja”, tha zoti Burns.

Të enjten vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm se Rusia ka lëshuar thuajse 70 raketa "të llojeve të ndryshme" kundër Ukrainës që nga e hëna, pjesa më e madhe e të cilave kundër rajonit të Odesës dhe qyteteve e komuniteteve të tjera në jug”.

Dy persona u vranë në Odesa dhe të paktën 19 u plagosën në Mykolaiv, një qytet afër brigjeve të Detit të Zi nga sulmet e të enjtes, thanë zyrtarët ukrainas.

Ditët e fundit, Rusia i ka përqendruar sulmet tek infrastruktura kritike e eksportit të grurit të Ukrainës, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat