Pesë djem dhe babai i tyre vdiqën pasi zjarri shpërtheu në një shtëpi në shtetin Queensland të Australisë mëngjesin e së dielës, tha policia.
Nëna e djemve, shpëtoi e padëmtuar në ngjarjen e cila ndodhi në pronën në ishullin Russell, një komunitet i vogël rreth 60 kilometra në juglindje të Brisbanes, tha kryeinspektori i policisë Mat Kelly.
“Ajo është jashtëzakonisht e shqetësuar emocionalisht për momentin,” u tha Kelly gazetarëve në qytetin e afërt Redland Bay, duke shtuar se gruaja “kishte humbur të gjithë familjen e saj”.
Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit në Queensland thanë se shtëpia ishte shembur për shkak të zjarrit dhe disa ndërtesa aty pranë u prekën, raporton Reuters.
Nëntë persona u trajtuan në vendngjarje, me tre të dërguar në spital, tha Shërbimi i Ambulancës në Queensland. Të paktën 20 zjarrfikës luftuan me flakët, raportoi Australian Broadcasting Corporation.