Presidenti i Federatës Naturiste-Nudiste të Katalonjës, Segimon Rovira, nisi një fushatë me qëllim mbrojtjen e traditës në rreth 50 plazhe në atë rajon.
Federata Naturiste-Nudiste e Katalonjës po lufton kundër fluksit të të sapoardhurve me rroba banje, të cilat sipas tyre i bëjnë të ndihen “jo rehat”.
“Më parë njerëzit vinin në plazhin e nudistëve dhe largoheshin ose hiqnin rrobat. Tani ata qëndrojnë dhe veshin rroba banje. Por ajo që ata nuk e kuptojnë është se nëse ka shumë prej tyre, përfundojnë duke na bërë të ndihemi jo rehat. Është mungesë respekti”, tha Rovira, sipas Guardian.
Sipas tij, shoqata i dërgoi një letër qeverisë katalanase duke kërkuar një takim për të trajtuar atë që e përshkroi si “diskriminimin me të cilin përballen nudistët në plazhet e Katalonjës”.
Kolektivi tashmë ka filluar të shqyrtojë kërkesat e mundshme, nga përmirësimi i sinjalistikës për plazhet nudiste deri te një fushatë ndërgjegjësimi publik që mund të ndihmojë në nxitjen e respektit për traditat e nudizmit.