Valuta ruse rubla është zhvlerësuar në nivele që janë parë vetëm në javët e para pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, duke i dhënë një goditje të fortë presidentit rus Vladimir Putin, që është mburrur vazhdimisht me ekonominë e palëkundur ruse.
Megjithatë, për momentin, autoritetet kanë vendosur të monitorojnë eksportuesit, në vend që të vendosin kufizime më të rrepta në shitjen e të ardhurave në valutë të huaj.
Duke analizuar situatën e rublës, “Bloomberg” vlerëson se sanksionet perëndimore nuk e dëmtuan ekonominë ruse, por vendosën një “bombë me sahat” nën themelet e saj. Në 18 muajt që Rusia ka qenë në luftë me Ukrainën, vendet perëndimore kanë vendosur më shumë se 13,000 sanksione ndaj Moskës, por ekonomia ruse nuk tregon shenja kolapsi.
Përkundrazi, parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për këtë vend është një rritje prej 1.5 për qind këtë vit, më shumë se ekonomia e Gjermanisë apo Britanisë së Madhe.
Rënia e rublës
Kremlini pëlqen të mburret se sanksionet nuk po funksionojnë.
Megjithatë, rubla në rënie të shpejtë, tregon të kundërtën. Banka e Rusisë u detyrua madje të rriste normën bazë të interesit nga 8.5 për qind në 12 për qind brenda një dite gjatë një takimi urgjent të martën.
Ndërsa kjo nuk pritet të detyrojë Vladimir Putinin të ndalojë luftën e tij katastrofike, presioni i sanksioneve ka rezultuar efektiv për të paktën një qëllim, reduktimin e fluksit të fondeve në ekonominë ruse. Kremlini nuk ka zgjidhje tjetër veçse të devijojë paratë në “makinerinë” e luftës, duke e bërë kështu ekonominë e vendit edhe më të paqëndrueshme.
Sakaq, kursi i luhatshëm i këmbimit të rublës është tregues i problemeve më të thella të Rusisë. Shkaku i menjëhershëm, ishte me siguri rebelimi jetëshkurtër i organizuar nga Yevgeny Prigozhin dhe ushtria e tij mercenare private Wagner në fund të qershorit.
Megjithatë, arsyet themelore për luhatjen e kursit të këmbimit të rublës lidhen me ndryshimet në strukturën e kërkesës së tregut, kryesisht reduktimin e të ardhurave nga eksportet e naftës dhe gazit për shkak të embargos së Bashkimit Evropian për importin e naftës dhe produkteve të naftës ruse, kufizimet e çmimeve të vendosura nga G7 dhe ridrejtimin e mëvonshëm të këtyre mallrave në tregje të tjera.
Kejnsianizmi ushtarak
Kundërshtari kryesor i rublës është në fakt vetë shteti rus, i cili shpenzon në mënyrë aktive fondet buxhetore. Luhatshmëria e lartë e saj dhe fakti që vlera e saj është përgjysmuar në më pak se një vit janë rezultat i një politike të re ekonomike të formësuar nga lufta dhe sanksionet. Ajo që Kremlini e quan "transformim strukturor i ekonomisë" njihet më mirë si "kejnsianizëm ushtarak" sipas ekonomistit të famshëm anglez John Maynard Keynes.
Ashtu si në kohët sovjetike, lufta krijoi grupe të tëra përfituesish. kompleksi ushtarak-industrial dhe prodhimi i lidhur me të, si dhe personeli ushtarak dhe familjet e tyre, të cilët të gjithë janë pjesë e sektorit shtetëror.
Shpenzimet e mbrojtjes u rritën 9.2 për qind vitin e kaluar në 86.9 miliardë dollarë, dhe përbëjnë më shumë se një të tretën e shpenzimeve totale të qeverisë, dy herë më shumë se përpara pushtimit të Ukrainës.
“Bomba me sahat” e BE
Lufta katastrofike e Putinit kundër Ukrainës dhe sanksionet që pasuan nuk e dëmtuan “kështjellën” ekonomike ruse, por, siç gjykohet, vendosën një “bombë me sahat” nën themelet e saj.
Çdo reduktim i kërkesës së tregut duket i pamundur pasi lufta është ndezur dhe vendi përgatitet për zgjedhjet presidenciale.
Për shkak të sanksioneve, vendi nuk është në gjendje të prodhojë vetë disa produkte komplekse të teknologjisë së lartë, që do të thotë se varësia e Rusisë nga importet vetëm do të rritet. Kursi i paqëndrueshëm dhe i dobësuar i këmbimit të rublës është dëshmi e shkallës në të cilën Kremlini ka lejuar që ekonomia të çekuilibrohet dhe tashmë po lufton për të përballuar sfidat. Kur të përfundojë lufta, zhvendosja e papritur e kërkesës nga sektori i fryrë i mbrojtjes në sektorin civil do të jetë një tronditje e fuqishme.
Në fund të fundit, ky doli të ishte një mision i pamundur edhe për paraardhësin e Rusisë, Bashkimin Sovjetik.