Kievi zyrtar ka mirëpritur dritën e gjelbër të dhënë nga SHBA që vendet e tjera të dërgojnë avionë të tipit “F-16” në Ukrainë.
Por avionët luftarakë nuk do të shkojnë në vendin e luftës pa u trajnuar më parë pilotët e tyre dhe kjo do të kërkojë kohë.
“Është një lajm i mirë që amerikanët thanë se trajnimi është një hap i logjikshëm. Ne jemi dakord. Bashkë me Danimarkën po punojmë që ukrainasit të stërviten me “F-16-n” sa më parë të jetë e mundur dhe që më pas të vijojmë me dërgimin e mjeteve ajrore”- tha Kasja Ollongren, ministre e Mbrojtjes, Holandë.
Ministria daneze e Mbrojtjes ka deklaruar se trajnimi do të nisë më vonë gjatë muajit, kështu që ekspertët ukrainas presin që “F-16-at” të fluturojnë mbi Ukrainë jo përpara verës së ardhshme. Disa ushtarë e kanë nisur trajnimin, por për momentin ai është i fokusuar tek gjuha dhe teoritë bazike.