LIVE: Rikthehen sulmet e ashpra, Rusia bombradon Donjeckun - Putin pranon se Rusia ka probleme ekonomike

Evropë

LIVE: Rikthehen sulmet e ashpra, Rusia bombradon Donjeckun - Putin pranon se Rusia ka probleme ekonomike

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 08:11 Përditësuar në ora: 22:24 më 22.08.2023
Rusia i vazhdoi sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës edhe më 22 gusht. (Fotografi nga arkivi).

Putin pranon se Rusia ka probleme ekonomike

Presidenti rus, Vladimir Putin ka folur rreth situatës ekonomike të Rusisë teksa u shfaq përmes një videolidhjeje në samitin e BRICS-it.

Ai thotë se Rusia është pjesë e pesë vendeve më të fuqishme ekonomikisht në botë, pavarësisht “pikëpamjeve pesimiste” të ekspertëve perëndimor.

Lideri rus thotë se “ka paqëndrueshmëri në tregjet financiare, energjetike dhe të tjera, dhe se po rriten borxhet shtetërore dhe private”.

Ai u bëri thirrje partnerëve të BRICS-it që të bashkëpunojnë në kushte të barabarta ndërsa thotë se Rusia mbetet dhe do të jetë një furnizues i besueshëm ushqimor për Afrikën.

“Ne bashkëpunojmë mbi parimet e barazisë, mbështetjes së partneritetit, respektimit të interesave të njëri-tjetrit dhe ky është thelbi i kursit strategjik të shoqatës sonë të orientuar drejt së ardhmes, një kurs që përmbush aspiratat e pjesës kryesore të komunitetit botëror, e ashtuquajtura shumicë globale”, pohoi presidenti rus.

Anëtarët e BRICS përfaqësojnë më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës. Samiti pritet të diskutojë shtimin e anëtarëve të rinj.

Tre të vrarë nga sulmet ruse në Donjeck

Tre njerëz janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të martën vonë, si pasojë e bombardimeve ruse në disa fshatra në rajonin e Donjeckut në Ukrainë, tha Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës.

Sipas Prokurorisë, të tre personat, dy gra dhe një burrë, u vranë në fshatin Torske në mbrëmjen e 22 gushtit.

Ajo nuk dha hollësi të tjera rreth këtij sulmi.

Ndërkohë, ushtria ukrainase tha gjatë ditës më 22 gusht se forcat e saj e çliruan një fshat strategjik në jug të vendit, pas dy muajve luftimesh të ashpra, por se Rusia i vazhdoi sulme me raketa dhe dronë mbi disa rajone të Ukrainës, duke e vrarë të paktën një person dhe duke i lënduar disa të tjerë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se trupat ukrainase e çliruan Robotinin, një fshat që gjendet përgjatë një rrugë të rëndësishme e cila çon drejt Melitopolit në rajonin Zaporizhja.

Melitopoli, i njohur si “porta drejt Krimesë”, u uzurpua nga trupat ruse në mars të vitit të kaluar, pas disa ditësh luftime të ashpra.

Ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë raportuan më herët më 22 gusht për disa sulme ruse me dronë dhe raketa në Çernihiv, Zaporizhja, Krivi Rih dhe Kupiansk.

Me vrasjen e dy grave dhe një burrit në Donjeck, numri i të vrarëve më 22 gusht nga sulmet ruse në Ukrainë, ka shkuar në të paktën katër./REL

SHBA nuk mendon se konflikti në Ukrainë është në "ngërç"

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk e vlerësojnë konfliktin në Ukrainë si një ngërç, përcjell Bota sot.

“Kemi qenë të qartë gjatë gjithë kohës se kjo fushë beteje është shumë dinamike. …

Ka sulm dhe mbrojtje që po ndodh në të dyja anët në pika të shumta përgjatë një linje fronti shumë të zgjeruar,” tha ai në një konferencë për shtyp.

“Ne po e shohim që [Ukraina] të vazhdojë të marrë territorin mbi një bazë metodike dhe sistematike,” shtoi ai.

Putin e shkarkon “Gjeneral Armageddon”

Gjenerali rus, Sergey Surovikin është liruar zyrtarisht nga detyra pasi thuhet se kaloi javë të tëra në arrest shtëpiak pas dyshimeve se ishte përfshirë në një grusht shteti në muajin qershor së bashku me mercenarët e Wagnerit.

Lajmi u njoftua për herë të parë të martën nga gazetari Alexei Venediktov, i cili u bazua në një dekret presidencial që urdhëronte shkarkimin e Surovikin si komandant i Forcave Ajrore. Dekreti nuk ishte i disponueshëm publikisht.

Disa kanale Telegram pro-Kremlinit ndanë gjithashtu lajmin për shkarkimin e Surovikin, duke shkruar se dekreti i presidentit rus, Vladimir Putin u nënshkrua javën e kaluar, por u mbajt i fshehtë.

Surovikin, i cili shërbeu si zëvendëskomandant i trupave ruse në Ukrainë, nuk është parë në publik që nga 24 qershori, kur ai u filmua teksa i lutej grupit famëkeq rus, Wagner që t’i japin fund kryengritjes së tyre të dhunshme kundër udhëheqjes ushtarake në Rusi, raporton reuters.

Shpejt dolën raporte se ai mund të kishte njohuri paraprake për rebelimin e nisur nga shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, me të cilin ai kishte lidhje të ngushta që nga koha kur ata punonin së bashku në Siri.

Prigozhin, nga ana e tij, kishte lavdëruar në mënyrë rutinore Surovikinim për luftën kundër Ukrainës, edhe pse ai vazhdimisht ka kritikuar drejtuesit e tjerë të lartë ushtarakë.

Surovikin fitoi pseudonimin “Gjeneral Armageddon” gjatë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në luftën civile të Sirisë.

Tetorin e kaluar ai u vendos në krye të operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë, por në janar ai rol iu dorëzua gjeneralit Valery Gerasimov, shefit të shtabit të përgjithshëm, dhe Surovikin u bë zëvendës i Gerasimov.

Gjermania: Ukraina ka të drejtë ligjore të sulmojë Moskën

Ministrja e Jashtme Gjermane, Annalena Baerbock ka mbrojtur sulmet me dronë të Ukrainës kundër  Moskës duke thënë se Kievi ka të drejtë ligjore në këtë rast.

Sulmet me dronë që Rusia pretendon se janë kryer nga Ukraina, kanë shënjestruar vazhdimisht kryeqytetin rus gjatë javëve të fundit, raporton “The Telegraph”.

“Rusia sulmoi Ukrainën, prandaj Ukraina ka të drejtën ligjore për të mbrojtur vendin e saj”, tha Baerbock në një konferencë për shtyp.

Moska ka shënjestruar “pandërprerë” infrastrukturën në Ukrainë, duke përfshirë siloset e grurit, spitale dhe kisha, tha ajo.

“Ukraina po mbron veten brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar”, shtoi Baerbock.

Kievi ka qenë i durueshëm për sulmet në territorin rus, por një burim i mbrojtjes mori meritën për një “operacion special” ku një dron u përplas në një rrokaqiell në Moskë muajin e kaluar.

Furnizimi i Ukrainës me avionët F-16, reagon ashpër Rusia dhe kërcënon Perëndimin

Rusia dënoi sot vendimin e Danimarkës dhe Holandës për të ofruar avionë luftarakë F-16 për Ukrainën, duke theksuar se masa do të përshkallëzonte konfliktin. Danimarka dhe Holanda njoftuan të dielën se do të furnizojnë Ukrainën me F-16, gjashtë prej të cilëve pritet të dorëzohen në fillim të vitit të ardhshëm.

“Fakti që Danimarka tani ka vendosur t’i dhurojë Ukrainës 19 avionë F-16 çon në një përshkallëzim të konfliktit.

Duke u fshehur pas supozimit se Ukraina duhet të përcaktojë vetë kushtet për paqen, Danimarka kërkon me veprimet e saj që të mos i lërë Ukrainës zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë konfrontimin ushtarak me Rusinë”, tha ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin në një deklaratë.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Elleman-Jensen tha se Ukraina do të jetë në gjendje të përdorë avionët luftarakë të ofruara vetëm brenda territorit të saj. “Ne ofrojmë armë me kusht që ato të përdoren për të dëbuar armikun nga territori i Ukrainës. Dhe për asgjë përtej kësaj”, theksoi sot ministri danez i Mbrojtjes.

Helikopterë, drone dhe armë për Rusinë, Xi Jinping del zbuluar, si e po financon fshehurazi Pekini - Moskën

Helikopterë, dronë, metale të dobishme për prodhimin e pajisjeve të luftës, barut. Sipas një raporti të “The Telegraph”, Kina vazhdon të ofrojë një gamë të gjerë ndihme ushtarake për Federatën Ruse përmes një fluksi të heshtur, por të vazhdueshëm materialesh dhe armësh. Gjiganti aziatik gjithmonë e ka mohuar përfshirjen e tij në luftën e vazhdueshme. Që nga shkurti i vitit 2022, zyrtarët e saj kanë vazhduar të “thurin” një narrativë që ku Kina shfaqet si një aktor i angazhuar në një zgjidhje paqësore. Megjithatë, raporti i “The Telegraph” ka nxjerrë zbuluar “Lojën e Dyfishtë” të Dragoit, që tani duket se nuk ka si të justifikohet apo edhe të fshihet.

Dërgesat e fshehta

Megjithatë, sipas asaj që zbulon hetimi, shumë kompani ruse të angazhuara dhe të përfshira në prodhimin e raketave, mjeteve të blinduara dhe bombarduesve strategjikë kanë marrë tonelata materiale nga Republika Popullore fqinje, që nga fillimi i konfliktit. Ajo që mbron Kinën nga sanksionet dhe garanton vazhdimin e kësaj sjelljeje të paqartë qëndron në faktin se mallrat në fjalë klasifikohen si "përdorim të dyfishtë", pra mallra që kanë edhe qëllime civile. Një kompani kineze dërgoi 1000 dronë në Rusi në dy muajt para luftës, sipas shifrave të përpiluara nga Molfar Global, një organizatë kërkimore. Kjo firmë, Shantou Honghu Plastics, e përshkruan veten si një shitës me shumicë i lodrave për fëmijë në uebsajtin e saj dhe profilet e mediave sociale. Dronët iu dërguan një firme ruse të quajtur Samson, e cila në mënyrë të ngjashme e përshkruan veten si një shitës me shumicë lojërash dhe lodrash dhe duket të jetë një kompani guackë, duke deklaruar vetëm 10,000 rubla në kapital për emrin e saj, sipas një regjistri të kompanive publike. Më pas, katër ditë pasi shpërtheu lufta në Ukrainë, kompania kineze Hems999 furnizoi dy helikopterë. Një tjetër firmë kineze, Tianjin Huarong Aviation, ka transferuar katër helikopterë Airbus në Rusi që nga fillimi i luftës. Të gjithë u pritën nga firma ruse Ural Helicopter, klienti kryesor i së cilës është Garda Kombëtare Ruse, e vendosur në Ukrainë dhe e udhëhequr nga Viktor Zolotov, një truprojë e Putinit.

Strategjia e paqartë

Operacionet kineze në zonat gri nuk duhet të jenë shumë befasuese. Pekini ka çdo interes për të mbajtur gjallë Putinin dhe Rusinë, pa alarmuar megjithatë Perëndimin dhe NATO-n. Nga njëra anë, vazhdimi i konfliktit dhe sanksionet perëndimore e kanë shtyrë gjithnjë e më shumë Moskën në krahët e Dragoit në aspektin ekonomik. Vetëm mendoni se sipas një analize të Observatorit të kompleksitetit ekonomik, tregtia midis Kinës dhe Rusisë pritet të kalojë 200 miliardë dollarë këtë vit. Eksportet e mallrave me përdorime të mundshme ushtarake u rritën me më shumë se tre herë në vitin që përfundoi këtë qershor, krahasuar me atë të mëparshëm, sipas analizës nga Observatori i Kompleksitetit Ekonomik, një vizualizues i të dhënave tregtare. Rusia nuk ka publikuar të dhëna tregtare që nga fillimi i pushtimit, megjithëse shifrat nga Kina, partneri i saj kryesor tregtar, tregojnë se Pekini është bërë një “litar shpëtimi”, edhe pse Putini është izoluar në skenën botërore dhe kompanitë dhe vendet perëndimore kanë ndërprerë lidhjet me Moskën.

Pushtimi i Tajvanit

Nga ana tjetër, lufta në kufijtë e Evropës shpërqendron Uashingtonin dhe i lejon Pekinit të operojë me më shumë liri në Indo-Paqësor. Dragoi e ka deklaruar haptazi synimin e tij, pushtimin e Tajvanit. Në fakt, aparatet e republikës popullore vazhdojnë mes stërvitjeve dhe deklaratave publike të rikonfirmojnë interesin e tyre për ishullin. Duke folur në Konferencën e Moskës mbi Sigurinë Ndërkombëtare të martën, 16 gusht, ministri kinez i mbrojtjes Li Shangfu paralajmëroi se Perëndimi nuk duhet të “luajë me zjarrin” kur bëhet fjalë për Tajvanin. Në konferencë, ministri kinez zhvilloi edhe takime dypalëshe me Iranin, Arabinë Saudite, Kazakistanin e Vietnamin. "Loja e madhe kineze" i përfshin të gjitha këto, që nga furnizimi i fshehtë i materialit vdekjeprurës në Rusi, te planet e paqes për Ukrainën e deri te stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit.

Putin me “dorë të hekurt”, 300 mijë trupa ruse do të zbarkojnë në Ukrainë, po krijohet një ushtri e re që do të bëjë “kërdi”

Të gjithë prisnin që kundërofensiva e Ukrainës kundër pozicioneve ruse të ishte e ashpër dhe e suksesshme, por nuk ka qenë dhe aq. Pas më shumë se dy muajsh lufte në një vijë të madhe fronti që shtrihet nga lindja e vendit në jug, forcat e Kievit nuk kanë arritur ende ndonjë përparim të madh. Ata kanë pësuar viktima të konsiderueshme dhe e kanë gjetur veten të bllokuar nga një grumbull fushash të minuara, llogore dhe fortifikime të tjera ruse. Fitimet e tyre kanë qenë vetëm në rritje, pavarësisht miliarda dollarëve të Perëndimit të investuara në përgatitjen e përpjekjeve të Ukrainës për të rimarrë territorin e humbur. Tani Rusia duket se po e merr situatën në dorë, pas një sërë sulmesh me dronë në Moskë, që duhet se kanë ngritur alarmin në ushtrinë e Vladimir Putin.

300 mijë trupa

Qendra Kombëtare për Rezistencën e Ukrainës (NCO), e udhëhequr nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, njoftoi se Moska ka përgatitur një "plan zhvillimi" për Mariupolin e pushtuar dhe se planifikon të sjellë rreth 300,000 rusë atje, siç shkruan “Kyiv Independent”. Moska dyshohet se planifikon t'i sjellë këta njerëz në Mariupol deri në vitin 2035. Të paktën kështu thuhet në dokumentet e përpiluara nga regjimi që drejton aktualisht qytetin. Në raportin e nënoficerëve thuhet se Kremlini ka krijuar një program hipotekash më të lira që mund të realizohen në pjesët e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës.

Me ta, Moska po përpiqet të bindë rusët që të shpërngulen në qytete si Mariupol në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore. Përveç kësaj, Moska dyshohet se dërgon emigrantë që erdhën në Rusi për të punuar dhe nëpunës publikë nga të ashtuquajturat rajone “jo-tërheqëse” ruse. Nënoficeri thotë se rusët po transferojnë banorët e Mariupolit dhe qyteteve të tjera të pushtuara në Rusi kundër dëshirës së tyre. Petro Andryušchenko, këshilltari i kryetarit të bashkisë së Mariupolit në mërgim, tha se pushtuesi po i dëbon ukrainasit nga banesat e tyre nëse ata nuk mund t'i dëshmojnë atij se ata zotërojnë pronat ku jetojnë.

Ushtria e re

Nga ana tjetër, një plan i ri ka alarmuar ukrainasit. Rusia ndoshta po krijon një ushtri tjetër në rajonet e pushtuara jugore të Ukrainës për të kryer operacione mbrojtëse në këtë pjesë të frontit. Ky ka qenë konstatimi i inteligjencëvs britanike në raportin e saj të përditshëm në Twitter. “Rusia po zgjeron objektet e saj ushtarake sipas nevojave të saj aktuale. Shfaqja e një formacioni të ri ka shumë të ngjarë: ushtria e 18-të e kombinuar e armëve”, shpjegon Ministria e Mbrojtjes e Londrës.

Sipas inteligjencës britanike, ky "formacion do të jetë rezultat i bashkimit dhe forcimit të njësive të tjera që aktualisht veprojnë në rajonin Kherson, në veçanti të Korpusit të 22-të të Ushtrisë, i cili, zakonisht, është pjesë e garnizonit rus në Krimenë e pushtuar". Sipas inteligjencës britanike, ushtria e re mund të përbëhet kryesisht nga personel i mobilizuar dhe do të fokusohet në operacionet mbrojtëse në Ukrainën jugore. "Rusia ndoshta dëshiron të çlirojë njësi më me përvojë për të kryer operacione luftarake në drejtime kyçe," përfundojnë ekspertët britanikë.

Kundërofensiva

Së fundmi, Ukraina ka njoftuar se ka rimarrë tre kilometra katrorë tokë pranë Bakhmut. Mirëpo, ka pasur edhe lajme për përparimet ruse në katër drejtime në Ukrainën lindore. Hanna Maliar, zëvendësministrja ukrainase e mbrojtjes, tha se forcat ruse kishin vazhduar të përparonin në drejtimet Kupyansky, Lymansky, Avdiivsky dhe Marinsky. Ajo tha se trupat e Moskës "po sulmonin dhe granatonin" në drejtim të Kupyansk, megjithëse ushtarët ukrainas po zmbrapsnin sulmet dhe po mbanin kufirin. "Trupat tona i shkaktuan armikut humbje të konsiderueshme në drejtimet Lymansky dhe Kupyansk. Tani armiku është i detyruar të rigrupohet dhe të rimëkëmbet, por nuk tërhiqet nga planet e tij," tha ajo. Maliar shtoi se ushtria ruse ishte "në mbrojtje" rreth Zaporizhzhia dhe Kherson.  "Ata vazhdojnë të bombardojnë pozicionet tona dhe objektet civile në rajonet Zaporizhzhia, Kherson dhe Mykolaiv, ndërsa përdorin në mënyrë aktive municionet e breshërisë Lancet," tha ajo.

Vuçiq thotë se Zelensky e pyeti se çfarë mendojnë njerëzit në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, pas së cilës do të bisedojë edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

Thotë se gjatë takimit, Zelensky e pyeti se çfarë mendojnë njerëzit në Serbi dhe pse”.

“Unë i tregova se çfarë ndodhi në vitin 1999 dhe konfirmova se Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Diskutuam për forma të ndryshme bashkëpunimi. Dhe ata duhet të mendojnë se si ta rindërtojnë vendin.

Ukraina nuk ka bërë kurrë asgjë kundër Serbisë, ashtu siç Serbia nuk ka bërë kurrë asgjë kundër Ukrainës”.

Ukraina ta harrojë fitoren, gjenerali italian ngre alarmin: Duhet të nisin negociatat, ja kushtet kryesore të Putinit

"Në nivelin ushtarak, një fitore e Ukrainës nuk mund të imagjinohet, ne duhet ta marrim parasysh atë dhe të ulemi në tryezën e bisedimeve", kështu ka thënë gjenerali Marco Bertolini, i lindur në 1953, në pension në 2016, për “Libero”, me një karrierë prestigjioze në krye të IOC dhe Folgore, në krye të misioneve delikate ndërkombëtare në Afganistan, Liban, Somali, Bosnjë dhe Kosovë. “Kjo luftë duhej të ndalohej shumë më shpejt, por muajt e fundit është ushqyer opinioni publik me pritjen e një fitoreje të pamundshme në terren. Ukrainasit nuk janë në gjendje të mbizotërojnë”, tha ai.

Sipas tij, kundërofensiva ukrainase është e destinuar të dështojë. 

“Objektivat e Kievit nuk janë të arritshme, as në mënyrën dhe as në kohën e parashikuar.

Kundërofensiva po ecën ngadalë, i vetmi përparim ishte në Kharkiv. Pak ditë më parë, Jenssen, shefi i kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Stoltenberg, ngriti mundësinë që Ukraina t'i dorëzonte një pjesë të territoreve të saj Moskës në këmbim të hyrjes në NATO. Deri vonë, nuk mund të përmendej. Tani skepticizmi për aftësitë reale të Ukrainës po fiton terren edhe në Perëndim”, tha Bertolini. Gjenerali theksoi, se Rusia do të ketë kushtet e saj, kur bëhet fjala për armëpushim.

“Është një dramë e frikshme që duhej të ndalohej më shpejt.

Me sa duket, shumë e kanë kuptuar se mundësia për të ripushtuar të gjithë territorin e pushtuar nga rusët nuk është realiste. Megjithatë, është e qartë se një armëpushim nuk mund të mjaftojë për rusët sepse më vonë, Ukraina mund të anëtarësohet në NATO dhe do të jetë në gjendje të rihapë armiqësitë”, tha gjenerali. Sipas tij, konflikti mund të mbyllet vetëm me negociata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat