Shefat ekzekutiv në kompanitë më të mëdha britanike regjistruan rritjen më të pagave të tyre me 16 për qind krahasuar me vitin e kaluar, pasi shumica e punëtorëve në vend po vazhdojnë të luftojnë me inflacionin në rritje.
Sipas High Pay Centre, paga mesatare e një shefi ekzekutiv gjatë 2022-së ishte 3.91 milionë funta [4.58 milionë euro] nga 3.38 milionë funta [3.96 milionë euro] që ishte më 2021, duke shtuar se të ardhurat mesatare të një shefi ekzekutiv ishin 118 herë më shumë se një punëtor që merr 33 mijë funta [39 mijë euro] në vit.
Kritikët i quajtën fitimet ekstreme, por disa nga firmat argumentuan se ishin në përputhje me konkurrentët.
Ky institut thotë se personi më i paguar për vitin e kaluar ishte Pascal Soriot, i cili është shefi ekzekutiv i AstraZeneca, me 15.3 milionë funta [17.93 milionë euro] në vit.
Charles Woodburn i kompanisë për siguri BAE Systems është renditur i dyti me 10.7 milionë funta [12.54 milionë euro], ndërsa shefja e Glaxo Smith Kline, Emma Walmsley ishte femra më e paguar me 8.45 milionë funta [9.9 milionë euro].
Ish-shefi i gjigantit energjetik Shell, Ben van Beurden u pagua me 9.7 milionë funte [11.37 milionë euro] dhe Bernard Looney i British Petrolum siguroi 10 milionë funta [milionë euro] brenda një viti.
Instituti, i cili analizoi pagat e shefave ekzekutivë të të gjitha kompanive në indeksin e kompanive Blue Chip të Britanisë së Madhe përmes raporteve vjetore të firmave për vitin 2022, raportoi se paga mesatare ishte më shumë se 500 mijë funta [586 mijë euro] në vitin 2021, duke vazhduar trendin e saj rritës që kur ra në 2.46 milionë funta [2.88 milionë euro] në 2020 gjatë kulmit të pandemisë COVID-19.
Megjithatë, të ardhurat nuk janë ende aq të larta sa ishin në vitin 2017, kur arritën në 3.97 milionë funta [4.65 milionë euro].
Qendra tha se hendeku midis drejtuesve të kompanisë dhe pagave të punëtorëve të tjerë, ishte zgjeruar edhe më tej gjatë vitit të kaluar.