LIVE: Ukrainasit hedhin në erë selinë e luftëtarëve të Ramzan Kadyrovit - Erdogan shkon në Rusi për këtë arsye!

Evropë

LIVE: Ukrainasit hedhin në erë selinë e luftëtarëve të Ramzan Kadyrovit - Erdogan shkon në Rusi për këtë arsye!

Nga: Bota sot Më: 28 gusht 2023 Në ora: 07:02 Përditësuar në ora: 09:45 më 28.08.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Helmim dhe vrasje me armë, si u zhdukën të gjithë ata që sfiduan autoritetin e Putinit

Mënyra e preferuar e eliminimit për ata që kanë vënë në dyshim qeverisjen e Putinit duket se është helmi. Disa vdiqën në trotuar, të tjerë para pasqyrës së tyre duke u veshur  dhe disa të tjerë ngrënë.

Rusët kanë qenë gjithmonë të shkathët në eleminimin e kundërshtarëve të tyre nga faqja e dheut, dhe kjo nuk ka ndryshuar përkundrazi, është rritur që kur Vladimir Putin mori frenat e pushtetit 23 vjet më parë.

Edhe pse asnjë provë nuk është gjetur ndonjëherë, presidenti rus normalisht ka mohuar çdo lloj akuze, më e fundit ajo e Yevgeny Prigozhin që vdiq në rrëzimin e avionit së bashku me nënkryetarin e Wagner, Dmitry Utkin.

Vrasja e kundërshtarëv me helm ka një histori prej më shumë se 100 vjetësh, që kur Vladimir Lenini urdhëroi krijimin e një laboratori sekret kimik, Laboratori X siç e quanin sovjetikët.

KGB përdori shpikjet kimike të Lab X për të vrarë armiqtë e shtetit brenda dhe jashtë vendit, ndoshta më e famshmja në rastin e disidentit bullgar Georgi Markov, i cili u vra me ricin, në fund të viteve 1970.

Të dy helmimet më të njohura që i atribuohen Putinit ndodhën në kryeqytetin britanik dhe dominuan titujt e shtypit të huaj për një kohë të gjatë.

“Ju mund të jeni në gjendje të bëni që një njeri të heshtë por pakënaqësia e protestave në mbarë botën do t’ju kumbojë në vesh për pjesën tjetër të jetës,  Putin,” tha Alexander Litvinenko nga shtrati i tij në spital para se të vdiste në  2006.

Ish-agjenti i KGB-së, i cili kishte dezertuar në Londër dhe punonte për MI6, duke hetuar lidhjet e Kremlinit me krimin e organizuar, u helmua me polonium radioaktiv.

Para se të vdiste, ai arriti t’u tregonte gazetarëve se FSB, agjencia federale e inteligjencës ruse që pasoi KGB-në, ishte ende duke prodhuar helme në fabrikën e lartpërmendur të epokës sovjetike.

Më shumë se një dekadë më vonë, Sergei Skripal, një ish-oficer rus i inteligjencës që punonte si agjent i dyfishtë për Mbretërinë e Bashkuar, u helmua me agjentin nervor novichok, i cili ishte zhvilluar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1970 dhe 1980..

Në të dyja rastet, Kremlini mohoi çdo përfshirje, me presidentin rus që deklaroi se agjentët e dyfishtë ishin “tradhtarë” dhe se e vetmja gjë që ai vetë do të ishte në gjendje të falte ndonjëherë ishte “tradhtia”.

Duhet theksuar se Alexei Navalny u helmua me novichok në fluturimin e tij nga Siberia në Moskë, por ai ishte me fat sepse arriti të merrte trajtimin e duhur në Gjermani.

Sot ai është në burgun e vendit të tij me një mori akuzash dhe krimi i tij i vërtetë është reagimi i tij ndaj pushtetit të Putinit.

Një hetim nga faqja e internetit Bellingcat identifikoi të paktën tetë operativë të FSB-së që dyshohet se qëndronin pas helmimit të Navalny. Një nga agjentët e dyshuar të përfshirë më vonë rrëfeu rolin e tij në komplot në një bisedë telefonike me liderin e opozitës.

Ndërsa helmimi mund të jetë arma e zgjedhur e Kremlinit, kjo nuk do të thotë se njerëzit që e kanë kundërshtuar nuk kanë vdekur në mënyra të tjera.

Gazetarja Anna Politkovskaya u qëllua në vitin 2006 në hyrje të shtëpisë së saj në Moskë, menjëherë pasi u kthye nga supermarketi. Ai e kishte akuzuar drejtpërdrejt dhe publikisht Putinin për shkatërrimin e demokracisë në Rusi.

Kjo është arsyeja pse vrasja e saj shkaktoi një valë tronditëse në të gjithë botën. Ndonëse autorët e krimit u gjetën dhe u dënuan 17 vite pas krimit, deri më sot nuk dihet se kush ka dhënë urdhrin përkatës.

Ajo shkroi disa libra për brutalitetin e luftës së Rusisë në Çeçeni, abuzimet nga trupat ruse dhe liderin çeçen Ramzan Kadyrov të mbështetur nga Kremlini, të cilët u lexuan gjerësisht jashtë kufijve të vendit të saj.

Vrasja e Boris Nemtsov, një politikani rus dhe kritik i udhëheqjes ruse, ndodhi në qendër të Moskës në urën Bolshoi Moskvoretsky në vitin 2015.

Një i panjohur qëlloi shtatë ose tetë herë me një pistoletë Makarov dhe katër prej plumbave e goditën Nemtsovin në kokë, zemër, mëlçi dhe stomak, duke e vrarë menjëherë.

Disa orë më parë, zëvendëskryeministri i Boris Yeltsin, i cili ishte gjithashtu trashëgimtari i tij politik më i mundshëm përpara se Putini të emërohej papritur dhe befas në presidencë në dhjetor 1999, i kishte bërë thirrje publikut që të mbështeste një marshim kundër përfshirjes së Rusisë në Ukrainë.

Sfondi i krimeve  plotësohet nga vetëvrasje të pakonfirmuara, si ajo e Boris Berezovsky, një mik i dikurshëm i presidentit rus dhe më pas një kritik i ashpër i politikave të tij, i cili u gjet i varur në banjën e shtëpisë së tij në Ascot në Britani, 2013.

Në mënyrë të ngjashme, Mikhail Lessin, i cili themeloi kanalin televiziv rus në gjuhën angleze RT, dikur Russia Today, u gjend i vdekur në vitin 2015 në një dhomë hoteli në Uashington, ku ai ishte ftuar të merrte pjesë në një darkë bamirësie.

Edhe pse sipas informacioneve ai vdiq nga një atak në zemër, një autopsi amerikane arriti në përfundimin se ai ishte goditur brutalisht në kokë me një objekt të mprehtë.

Çfarë nënkupton për luftën në Ukrainë vdekja e Prigozhinit?

Pesë ditë pasi avioni i pasagjerëve, Embraer 600, - i lidhur me Yevgeny Prigozhin - u copëtua dhe u përplas për toke në veri të Moskës, hetuesit rusë konfirmuan vdekjen e themeluesi të Grupit Wagner.

Më 27 gusht, Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi se në bazë të analizave gjenetike, është konfirmuar identiteti i të gjithë personave që gjendeshin në listën e pasagjerëve të avionit. Më herët, autoritetet ruse kishin thënë se emri i Prigozhinit ishte në listën e dhjetë personave që ishin në bordin e avionit.

Megjithatë, shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk është përcaktuar.

Ndërkaq, në komentet e bëra më 24 gusht, presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se Prigozhin kishte vdekur, pasi foli për të në kohën e shkuar, duke kujtuar takimin e tyre të parë në vitet ’90 në Shën Petersburg dhe duke e komplimentuar për arritjet në biznes. Megjithatë, lideri rus tha se Prigozhin kishte bërë “gabime serioze në jetë”.

Por, nuk ka shumë qartësi për pasojat që do të prodhojë vdekja e Prigozhinit për Rusinë dhe Putinin, por edhe për komandantët ushtarakë të Moskës dhe për luftën në Ukrainë, apo dhe për Wagner-in dhe ata që bëjnë thirrje për një pushtim edhe më agresiv.

Në këtë tekst mund të mësoni për pesë gjërat që mbeten të shihen në ditët dhe javët në vijim, raporton REL.

Putin: Më i fortë apo më i dobët?

Rebelimi, që Prigozhini kreu dy muaj para se avioni i biznesit të tij të rrëzohej, ishte sfida më e madhe me të cilën Putini është përballur si figura kryesore politike e Rusisë. Drejtori i CIA-s, e kishte cilësuar rebelimin si “sulmin më të drejtpërdrejt ndaj shteti rus në 23 vjetët në pushtet të Vladimir Putinit”.

Edhe pse i quajti kryengritësit tradhtarë dhe rebelimin një “thikë pas shpine”, Putin bëri pak ose asgjë – të paktën publikisht – për t’u hakmarrë ose për t’i ndëshkuar ata që kryen rebelimin. Disa ditë më pas, ai ishte takuar me Prigozhinin dhe me disa kryengritës të tjerë në Kremlin. Dhe Prigozhini mbeti i lirë, duke udhëtuar në Rusi dhe Bjellorusi dhe madje u shfaq edhe në Afrikë, ku ai kishte një perandori biznesi në rritje. 

Shto këtu edhe përqeshjen publike që Prigozhin ia kishte bërë për muaj të tërë komandantëve të luftës së Putinit. Për vëzhguesit e kamotshëm të Kremlinit, presidenti rus – i cili në të kaluarën ka shfaqur pak mëshirë për personat që i ka konsideruar tradhtarë, sikurse Aleksandr Litvinenko dhe Sergei Skripal – u shfaq i dobët.

Mungesa e sinjaleve të qarta për ndëshkimin e Prigozhinit... u interpretua si shenjë e pafuqisë dhe dobësisë së sistemit”, shkroi më 24 gusht, Aleksandr Baunov, analist në Carnegie Endowment for International Peace.

Prigozhin vdiq, jo nga ndonjë helm i fuqishëm, nuk u vra në ndonjë sulm me dronë, me makinë bombë, por nga shkatërrimi spektakolar i avionit të biznesit të tij. Edhe pse Kremlini ka mohuar përfshirjen, rrëzimi i avionit – në të cilin autoritetet thanë se gjendeshin dhjetë persona– po lidhet me diçka që ndodh vetëm në filmat për mafinë.

“Sikurse në filmat për mafinë: Fraksionet ndërluftuese dhe bosët e tyre mblidhen së bashku që të vrasin të tjerët dhe t’i nxjerrin nga loja, aspo sikurse në The Godfather, që pajtohen me njëri-tjetrin para se të shkatërrojnë tjetrin”, shkroi Baunov.

Megjithatë, ende ka kërcënime për Putinin. Në mesin e elitës ruse ka dyshime në rritje lidhur me vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe për mënyrën se si ai po e zhvillon luftën. Ekonomia e Rusisë, që është rënduar nga shpenzimet e luftës, ka nisur të tregojë shenja të tendosjes. Putin pritet ta fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar gjatë zgjedhjeve të marsit, por ngecjet në luftë dhe paqartësia për të ardhmen mund t’ia bëjnë fushatën zgjedhore më të ndërlikuar sesa ai do të donte.

Por, vdekja e njeriut që haptazi e sfidoi Putinin është një sinjal i pagabueshëm për ata që mund të mendojnë se mund ta sfidojnë presidentin dhe paraqet një formë “të dëshmisë kundër një grusht shteti” ndaj sundimit të tij, të paktën tani për tani. Por, kjo mund të ketë një kosto të kushtueshme për Putinin, në terma afatgjatë.

“Me vrasjen e Prigozhinit, Putin arriti një fitore afatshkurtër në konsolidimin e pushtetit në shtëpi”, shkroi Michael McFaul, ish-ambasador amerikan në Rusi. “Në terma afatgjatë, megjithatë, pasojat negative për aftësinë e Putinit që të arrijë objektivat e politikës së jashtme, veçmas në Ukrainë, mund të tejkalojnë përfitimet afatshkurtra”.

“Nga këndvështrimi i Putini, por edhe i shumë shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë, vdekja e Prigozhinit duhet të jetë një mësim për çdo ndjekës potencialë”, shkroi në Telegram, Tatyana Stanovaya, eksperte e kamotshme e politikave të Rusisë.

“Vdekja e Prigozhinit paraqet kërcënim të drejtpërdrejt për këdo që ka qëndruar me të deri në fund ose hapur e ka mbështetur atë. Kjo ka më shumë gjasa që t’i frikësojë ata sesa t’i inspirojë që të protestojnë”, shkroi ajo. “Prandaj, asgjë e posaçme, në kuptim të reagimit, nuk duhet të pritet. Do të ketë hatërmbetje dhe shkëputje, por jo edhe pasoja politike”.

Lufta është ferr. Por, çfarë do të ndodhë me “operacionin e posaçëm ushtarak”?

Luftëtarët e Wagner-it të Prigozhinit kanë luajtur një rol kyç në fushëbeteja në disa lokacione në Ukrainë gjatë 18 muajve të fundit. Forcat e Wagner-it ishin të përfshira në rrethimin e qytetit-port të Maripolit në Donbas pranverën e vitit 2022 dhe po ashtu ishin pararojë e sulmit 10-mujor në Bahmut, që ra nën kontrollin e forcave ruse në muajin maj.

Prigozhin ishte siguruar që rusët të dinin për praninë dhe për sakrificat e tyre – jo vetëm për ushtarët e dëshmuar në fushëbetejë, por edhe për mijëra të dënuar që ai rekrutoi nga burgjet dhe i dërgoi në vijën e frontit.

Por, forcat e Wagner-it ishin vetëm një fraksion i vogël i qindra mijëra trupave të dislokuara ruse, të cilët tani po përballen me një kundërofensivë të ngadalshme, por të pamëshirshme ukrainase, që Kievi shpreson se do të jetë vendimtare për të kthyer rrjedhën e luftës në favor të tij.

Në fushëbetejë, performanca e Rusisë ka pak të ngjarë që të ndikohet në mënyrë të konsiderueshme nga paqartësia brenda Wagner-it, thanë analistët. Kremlini veçse po tenton që të vendosë trupat e tij nën një komandë më zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, proces që ka të ngjarë që të përshpejtohet.

Në fund të fundit, lideri rus ka qenë në gjendje të luftojë atë luftë për 18 muaj dhe të pengojë përpjekjen e Ukrainës që të çlirojë më shumë territor dhe kjo ka ndodhur jo për faktin e ndonjë performance të mirë të Wagner-it në fushëbetejë”, shkroi për Financial Times, Aleksandr Gabuev, drejtor i Qendrës së Rusisë në Carnegie, institut me seli në Berlin. Ai tha se kjo ka ndodhur “për shkak të burimeve të shumta që Qeveria mund të mobilizojë, për shkak të aftësisë së njerëzve që ndihmojnë ta mbajnë gjallë ekonominë ruse dhe për shkak të pozicionit të pasfiduar që Putini ka brenda shtetit”.

Në nivelet më të larta të komandës, megjithatë, vdekja e Prigozhinit do të mundësojë që forcojnë pushtetin dy persona: ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Por, një gjë mund ta përndjekë Putinin dhe komandantët e tij: Kritikat të cilat Prigozhini dhe aleatët e tij i kanë bërë ndaj ministrit Shoigu dhe gjeneralit Gerasimov për udhëheqjen e luftës në Ukrainë dhe vendimeve sa i përket luftimeve.

A do të ngrihen në këmbë nacionalistët?

Ekspertët kanë spekuluar se një prej shumë arsyeve pse Prigozhini arriti të qëndrojë në pushtet ishin kritikat ndaj Shoigut dhe Gerasimovit. Themeluesi i Wagner-it shpesh shprehu ankesat e ushtarëve që pësuan për shkak të problemeve institucionale në strukturën e ushtrisë ruse.

Kritikat kryesore të Prigozhinit kishin të bënin se si Kremlini ka kriminalizuar kritikat publike për përpjekjet e luftës në Ukrainë, sipas ligjit të ri për “diskreditimin e forcave të armatosura të Federatës Ruse”. Dhjetëra rusë që kanë kritikuar apo kundërshtuar luftën janë burgosur – por, Prigozhini nuk u burgos.

Vdekja e liderit të Grupit Wagner eliminon kritikën më të zëshme publike, por dyshimet nëse Shoigu dhe Gerasimov do të vazhdojnë të mbeten në postet që kanë, do të amplifikohen nëse Ukraina arrin sukses të madh në kundërofensivën e saj.

Prigozhin nuk ishte i vetmi që ishte ankuar. Igor Girkin, ish-oficer i inteligjencës, i cili u dënua nga një gjykatë holandeze për rolin e tij në rrëzimin e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në Ukrainë më 2014, po ashtu njihet për kritika të ashpra publike. Sikurse Prigozhin, edhe Girkin kishte kërkuar që komandantët, dhe përfundimisht edhe Putini, të shpallnin mobilizim të përgjithshëm dhe të përdornin më shumë forcë ndaj Ukrainës. Në korrik, Girkin e quajti Putinin një “frikacak të padobishëm”.

Girkin u arrestua në korrik nën akuza për ekstremizëm – disa ditë pasi bëri këtë deklaratë – dhe aktualisht gjendet në burgun famëkeq Lefortovo të Moskës, teksa po pret të kryhen hetime të mëtejme dhe më pas të nisë gjykimi ndaj tij.

Është e paqartë nëse ai është heshtur krejtësisht. Mesazhe të koduara janë shfaqur në kanalin e tij në Telegram më 24 gusht. Në to Prigozhini u cilësua “armik i Rusisë” dhe ai bëri thirrje për trazira politike.

“Nuk mund të them se jam i mërzitur, pasi Prigozhin nuk ishte vetëm armiku im, por po ashtu edhe i Rusisë”, shkruhej në postim. “Në të njëjtën kohë, ajo çfarë ka ndodhur nuk mund të pasohet me reagim pozitiv nga unë, pasi është dëshmi e mëtejme për thellimin e trazirave në Rusi”.

Po Wagner-i?

Kompanitë private ushtarake zyrtarisht janë ilegale sipas ligjeve ruse. Por, ky fakt nuk i ka ndalur afaristët që t’i themelojnë ato – me mbështetjen, financimin dhe mbikëqyrjen e agjencive të ndryshme të inteligjencës apo edhe përmes operacioneve të kontrolluara nga shteti.

Wagner ishte grupi më i famshëm dhe më famëkeq mercenar, me luftëtarët e tij që kanë zhvilluar luftime në shtete sikurse Mali, Republika e Afrikës Qendrore, Sudani, Libia dhe Siria – por edhe në Ukrainë në vitet pasi Moska ndihmoi luftën që nisi në Donbas më 2014.

Rritja e grupit gjerësisht është parë si funksion i strukturës së tij unike. Wagner gjeneron të ardhura të majme nga bizneset sikurse mihja dhe trafikimi i arit në Republikën e Afrikës Qendrore. Po ashtu gjeneron të ardhura nga ofrimi i sigurisë për aleatët, sikurse mbrojtja e regjimit në Siri, shtet të pasur me naftë dhe gaz.

Ky funksion i fundit i shpërbeu si një zgjatje në politikën e jashtme ruse, duke ndikuar në politikat vendore dhe duke zgjeruar ndikimin e Moskës, veçanërisht në vendet ku mund të jetë në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara apo Francën.

Për këtë arsye, pak ekspertë besojnë se Wagner do të shuhet krejtësisht. Luftëtarët e tij kanë fituar reputacion si luftëtarë të pamëshirshëm dhe me aftësi të mëdha në fushëbetejë.

Ashtu sikurse strukturat e tij ushtarake në Ukrainë mund të vihen nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, edhe bizneset e tij ka të ngjarë që të kenë një mbikëqyrës të ri – ndoshta nga agjencitë ruse të inteligjencës apo nga entitetet e tjera që kontrollohen nga shteti.

Megjithatë, Wagner-i mund të jetë një forcë më pak e fuqishme pa Prigozhinin. Kjo mund të hapë gjithashtu një mundësi për kompanitë e tjera ushtarake, gjoja private, që janë krijuar viteve të fundit. Disa prej tyre janë të lidhura ngushtë me shtetin rus.

Çfarë do të ndodhë me “gjeneralin Armageddon”?

Një figurë tjetër në këtë dramë shekspiriane është edhe komandanti rus i cili për disa muaj vitin e kaluar u vu në krye të luftës në Ukrainë: gjenerali Sergei Surovikin.

Siç sugjeron edhe nofka e tij – gjeneralin Armageddon – Surovikin, i cili po ashtu udhëhiqte forcat ajrore, ishte parë si një komandant i pamëshirshëm, që ishte një prej arsyeve pse udhëheqja e tij ishte lavdëruar nga Prigozhini, Girkini dhe të tjerët.

Pak pasi mori komandën e operacionit në Ukrainë në tetor, ai urdhëroi forcat ruse që të nisnin bombardimin e rrjetit elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër civile, me synim që të terrorizohej popullata dhe që Qeveria në Kiev të nënshtrohej.

Prigozhin besohet se ishte afruar me Surovikinin në vitin 2010, kur Surovikin shërbente si komandanti kryesor i forcave ruse në Siri. Luftëtarët e Wagner-it në atë kohë ishin në Siri, duke ruajtur ndërtesat e gazit dhe naftës siriane.

Megjithatë, Surovikin mbajti postin e komandantit në Ukrainë vetëm dy muaj dhe Putini e zëvendësoi atë me gjeneralin Gerasimov, personin që Pirgozhini e tallte.

Surovikin kishte aleatë në strukturat e mbrojtjes së Rusisë, në të cilët Prigozhin ishte mbështetur për t’u siguruar që trupat e tij që luftonin afër Bahmutit, të furnizoheshin siç duhet. Por, Prigozhin po ashtu ishte ankuar gjatë pranverës se nuk kishte pranuar municionin e duhur.

Kur Prigozhini nisi rebelimin e tij më 23 qershor, Surovikin u shfaq në një video të pazakontë, duke u bërë thirrje luftëtarëve të Wagner-it që të ulnin armët dhe të mos e vazhdonin rebelimin. Disa vëzhgues vunë në dyshim autenticitetin e thirrjes së tij, duke thënë se ai dukej se ishte detyruar të bënte atë video. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se Surovikin mund të ketë ditur paraprakisht për rebelimin.

Pasi përfundoi rebelimi, Surovikin u zhduk nga syri i publikut, dhe pas kësaj nisën të qarkullonin thashetheme se ai ishte arrestuar, se ishte nën arrest shtëpiak apo në burg.

Ka po ashtu dyshime se mund të ketë figura të tjera të strukturave ushtarake apo të inteligjencës që e dinin se rebelimi do të ndodhte, apo përkrahnin kryengritjen e Prigozhinit.

Më 22 gusht, mediat ruse raportuan se Surovikin ishte liruar nga komanda e forcave ajrore, por ishte lënë në “dispozicion” të Ministrisë së Mbrojtjes – dhe ndoshta ishte vendosur në një post tjetër brenda ushtrisë.

Por, në këto raportime, të cilat nuk janë konfirmuar ende, nuk thuhej se ai ishte arrestuar, ishte shkarkuar nga ushtria apo i ishte zbritur grada ushtarake.

Një ditë pas raportimeve për përgjegjësitë e reja të Surovikinit, avioni i Prigozhinit u rrëzua.

Ukraina raporton përparime në lindje

Forcat ukrainase thuhet se kanë avancuar në zonën kufitare midis rajoneve Donetsk dhe Zaporizhzhia – dhe jo vetëm.

Sipas mediave të huaja, Oleksandr Shtupun, zëdhënës i Grupit të Forcave Tavriisk, raportoi përparime në drejtimet e:

Novoprokopivka (në jug të qytetit të Orikhiv, në rajonin e Zaporizhzhia)

Mala Tokmachka (në juglindje të Orikhiv)

Ocheretuvate (në juglindje të Orikhiv)

Urozhaine (në jug të Velyka Novosilka, në rajonin e Donetsk)

Robotyne (në jug të Orikhiv)

Ai tha gjithashtu se Ukraina kishte arritur suksese të paspecifikuara pranë Staromayorske (në jug të Velyka Novosilka), Berdiansk (në zonën kufitare Donetsk-Zaporizhzhia) dhe një vendndodhje të paspecifikuar në drejtimin Melitopol.

Ofensivat po vazhdojnë gjithashtu në drejtimin Bakhmut, ka shtuar Shtupun.

Kështu, Ukraina po vazhdon operacionet kundërofensive në jug dhe lindje të vendit. 

Një njësi e lidhur me ‘Wagner’, grupi paraushtarak neo-nazist rus kërcënon të rebelohet ndaj pushtetit të Putinit

Një njësi paraushtarake neo-naziste ka kërcënuar se do të ndalojë luftimet në fshatin “kritik” Robotyne, nëse Kremlini nuk mund të lirojë themeluesin e tij nga paraburgimi finlandez, kanë thënë analistët ushtarakë.

Sipas mediave të huaja, Yan Petrovsky, udhëheqësi i “Rusich”, një njësi e lidhur me Wagner, u arrestua në Finlandë të premten me kërkesë të Ukrainës, sipas grupit dhe kanaleve të rrjeteve sociale të lidhura me Wagner.

Tani Rusich ka thënë se nuk do t’i mbrojë rusët derisa qeveria ruse ta bëjë këtë, duke e akuzuar atë për dështimin për të siguruar lirimin e Petrovsky.

“Formacionet e parregullta ruse mbeten të gatshme të kërcënojnë të tërhiqen nga lufta në mënyrë të njëanshme, pavarësisht përpjekjeve të fundit të komandës ushtarake ruse për të spastruar dhe shtypur mosbindjen,” tha Instituti për Studimin e Luftës.

Studimi me bazë në SHBA tha se Grupi Rusich ka të ngjarë të bazohet përgjatë frontit Robotyne-Verbove, në rajonin e Zaporizhzhia, ku Rusia “nuk mund të përballojë që asnjë njësi të rebelohet”.

Kujtojmë se Byroja Kombëtare Finlandeze e Hetimit të premten kërkoi zgjatjen e paraburgimit të Petrovsky, i cili përdor emrin Voislav Torden, me dyshimin për pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist, si dhe për mbështetjen e terrorizmit, tha një zyrtar finlandez i gjykatës.

Petrovsky është një aktivist i ekstremit të djathtë për një kohë të gjatë, i cili ndihmoi në themelimin e Rusich si një njësi neo-naziste në hapat e fillimit të konfliktit në Donbas në 2014.

Ukraina thuhet se ka bërë përparime nëpër fshat në ditët e fundit, duke lënë të nënkuptohet se kjo situatë do të vijojë.

Takimi i ‘fshehtë’ mes Putinit dhe Prigozhin pas tentativës së dështuar për grusht shteti, anëtarët e Wagner rrëfejnë detaje

Një burim i grupit të mercenerëve Wagner kanë zbardhur detaje të reja mbi takimin e fundit të Presidentit rus, Vladimir Putin dhe ish aletatit të tij Prigozhin.

Presidenti rus thirri ish-mikun e tij në Kremlin 10 ditë pas kryengritjes së milicisë dhe tentativës për grusht shteti në Moskë. Konfrontimi mes tyre ka qenë i ashpër, siç rrëfejnë ushtarët e Wagner, me tone të ashpra për plot 3 orë ku kreu i Kremlinit e akuzoi për tradhti, një gjë të cilën Putin nuk e fal.

Putin i bëriti Prigizhin për 3 orë në takimin e tyre intim, të cilin mediat e raportuan kurrë. Pas këtij takimi, Putin e la kreun e Wagner të ikte, e në atë momnenti Prigozhin ishte i bindur se i kishte shpëtuar zemërimit të Putin.

Në shkrimin e publikuar nga prestigjiozja italiane, ‘La Repubblica’ një anëtar i Wagner rrëfeu për uebsiten e pavarur ‘Meduza’, se Prigozhin kishte besuar realisht se Putin nuk do e vriste. Madje e kishte bindur veten se ishte i pathyeshëm e i pavdekshëm.

Dhe në fakt kjo e shpjegon rikthimin e dyshimtë të Prigozhin në Moskë, edhe pse shumë e kishin parashikuar fatin e tij pas kundërvënies ndaj Putin. Ai, së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të rëndësishëm duke përfshirë këtu edhe komandantin ushtarak, neonazistin Sergei Utkin e ndjenë veten aq të sigurt sa të udhëtonin me avionin privat të Prigozhin, duke mos ua marr mendja se do ishte ‘fluturimi’ i tyre i fundit.

Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi, me analizën e ADN-së, se Prigozhin ishte gjithashtu në bordin e avionit të rrëzuar Embraer, si dhe gjashtë pasagjerë të tjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Teza më e akredituar në faqet dhe kanalet ruse të Telegramit, si dhe nga inteligjenca perëndimore, është se avioni u rrëzua për shkak të një shpërthimi, ndoshta të shkaktuar nga një bombë.

Sa i takon takimit të fundit fatal në Kremlin, Putini kishte thirrur Prigozhin dhe miqtë e tij pesë ditë pas kryengritjes. Më 10 korrik, zëdhënësi Dmitry Peskov konfirmoi takimin, ku morën pjesë 35 persona. Prigozhin dhe stafi i tij i kishin dhënë presidentit "shpjegimet" e tyre dhe Putin kishte rënë në një konsensus me ta. Ai u kishte ofruar atyre të tjera misione në luftë dhe disa opsione.

Peskov ka hedhur poshtë si " gënjeshtra absolute" akuzat e bëra kundër Putinit nga figurat e opozitës dhe mediat perëndimore se ka urdhëruar eliminimin e Prigozhin. Por e vërtetea sipas milicisë Wagner, është krejt ndryshe madje nuk ka nevojë as të dyshohet. Sipas njërit prej anëtarëve, Wagner kërkon hakmarrje, madje janë gati të marshojnë të armatosur drejt Kremlinit, si kundërpërgjigje për këtë akt të Putinit.

“Shumë janë të tërbuar, duan hakmarrje, janë gati të marshojnë me armë drejt Kremlinit”, tha njëri prej tyre, i kthyer së fundmi nga Ukraina.

Por grupi famëkeq i Wagner ka ngelur fillikat, pa lider dhe jashtëzakonisht shumë rrëmujë. Pa një lidership të aftë për t’i udhëhequr dhe me presionin nga Kremlini është mjaft e vështirë për të organizuar një kundërpërgjigje ndaj Vladimir Putinit.

Lideri i Çeçenisë: Forcat ruse zmbrapsën sulmet ukrainase në Donetsk

“Forcat ruse zmbrapsën një tentativë sulmi nga trupat ukrainase në zonën Kleshcheyevo në Republikën Popullore të Donetsk.”

Kështu u shpreh të dielën lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, përmes një postimi në Telegram, shkruan Tass.

“Një video e re tregon rezultatet e arritura nga njësia speciale Akhmat së bashku me ushtarët nën komandën e mençur të vëllait tim të dashur, gjeneralit Apty Alaudinov <…

Këto janë rezultatet e mjerueshme të përpjekjes së ushtrisë ukrainase për të sulmuar këtë mëngjes”, shkroi Kadyrov.

Inxhinieri i avionit të Prigozhinit nën hetim, bëri riparimet në minutat e fundit para nisjes

Një inxhinier i cili kreu riparime të minutës së fundit në avionin ku thuhet se kishte hipur Yevgeny Prigozhin, po merret në pyetje nga autoritetet.

Kreu i grupit rebel të mercenarëve privatë Wagner, i cili vdiq të mërkurën në moshën 62-vjeçare pasi një aeroplan që nisej nga Sheremetyevo e Moskës për në Shën Peterbugh rreth orës 18:00 u rrëzua.

Ai zbriti 100 milje në veriperëndim pranë qytetit të Tverit. Një video e pa verifikuar e postuar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, tregon se aeroplani bie me shpejtësi ndërsa del tymi.

Emri i Prigozhin ishte në një listë të pasagjerëve në bordin e Embraer Legacy 600, një avion i raportuar gjerësisht se i përkiste ish-manjatit të luftës.

Që atëherë janë ndezur spekulimet rreth fluturimit, i cili erdhi vetëm dy muaj pasi Prigozhin, kreu një grusht shteti të abortuar dhe të guximshëm kundër Vladimir Putin.

Në një postim në Telegram të Premten nga VChK-OGPU, e cila ka lidhje me shërbimet e sigurisë, hetuesit kanë qenë duke i bërë presion inxhinierit të avionit për ditë të tëra, ndërsa po shqyrtojnë nëse një bombë mund të jetë vendosur.

“Sergey Kitrish, 41 vjeç, ka punuar vazhdimisht me avionin e Prigozhin dhe ishte ai që kreu riparimet e fundit për të zëvendësuar frenën e pajisjes së uljes dhe ftohësin turbo”, pretendoi media, duke cituar një burim.

“Një ‘bombë’ mund të ishte vendosur gjatë këtyre riparimeve”, pretendon kjo media.

“Menjëherë pas shpërthimit, Kitrash u mor nën kujdesin e shërbimeve speciale dhe u dërgua në vendin e rrëzimit”, tha VChK-OGPU, duke shtuar se Kitrish foli me Kol Ivan Sibul të Komitetit Hetues të Rusisë (SKR).

Fati i Kitrishit, si dhe i dy inxhinierëve të tjerë, Artur Michenkov dhe Aleksey Anshukov,  është ‘i panjohur’, sipas medias ruse.

Ditën e sotme, zyrtarët rusë konfirmuan vdekjen e Prigozhinit. Komiteti Hetues njoftoi se analizat gjenetike të Prigozhin dhe viktimave që udhëtonin në avion, janë të njëjta me ato në listën e pasagjerëve të fluturimit.

“Ekzaminimet molekularo-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver. Nga rezultatet, u konstatuan se identitetet e 10 viktimave korrespondojnë me listën e udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Komunitetit Hetues.

Avioni privat i Prigozhin u rrëzua në veri-perëndim të Moskës më 25 gusht, dhe të gjithë anëtarët e bordit humbën jetën. Mes viktimave, ishin figura të rëndësishme të grupit mercenar të krijuar nga Progozhin

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat