Lituania ka kërkuar të ketë një brigadë të ushtrisë gjermane në tokën e saj deri në vitin 2026, në mënyrë që të forcojë sigurinë e saj, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi publik ‘LRT’, këshilltarja e presidentit për politikën e jashtme, Asta Skaisgiryte, tha se “presidenti ka vendosur qëllimin që kjo të ndodhë deri në vitin 2026 dhe besohet se është mjaft e arritshme”.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo brigadë të jetë sa më shpejt në Lituani”, theksoi ajo.
Skaisgiryte tha se çështja u diskutua gjatë vizitës së djeshme nga shefi i mbrojtjes së Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, në kuadër të mbështetjes së mundshme të Berlinit për forcimin e sigurisë së Lituanisë dhe hapat specifike për të arritur këtë.
Ajo shtoi se Gjermania gjithashtu do të ndihmojë në forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Lituanisë.
Sipas saj, Lituania nga ana e saj do të jetë përgjegjëse për ndërtimin e infrastrukturës për strehimin e trupave gjermane dhe familjeve të tyre.
Më herët, në muajin korrik, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u tha gazetarëve në samitin e NATO-s në Vilnius se Berlini deri në tremujorin e katërt të këtij viti pret ta ketë gati një plan për vendosjen e brigadës në Lituani.
Gjermania ka udhëhequr batalionin shumëkombësh të NATO-s të vendosur në Lituani që nga viti 2017.