Kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi poshtë një sugjerim nga një partner më i vogël i koalicionit, Demokratët e Lirë, se vendi duhet të mbajë të hapur përdorimin e termocentraleve bërthamore, duke thënë se energjia atomike ishte një “temë e shterur” në Gjermani.
Gjermania mbylli tre reaktorët e saj të fundit bërthamorë në prill, duke i dhënë fund një procesi që fitoi mbështetje të gjerë politike pas katastrofës së reaktorit bërthamor të Fukushimës në Japoni në vitin 2011, raporton AP.
Anëtarët e Demokratëve të Lirë, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës të Scholz, janë ndër ata që mbrojtën një rishikim të një vendimi të tillë pasi çmimet e energjisë u rritën për shkak të luftës në Ukrainë.
Këtë javë, grupi parlamentar i Demokratëve të Lirë lëshoi një deklaratë duke thënë se dëshiron të “ndalojë çmontimin e centraleve bërthamore që janë ende të përdorshme” si pjesë e përpjekjeve për t’u përgatitur për skenarët më të keq.
“Është e vetmja mënyrë për të qenë në gjendje të reagojmë në çdo situatë”, thuhet në deklaratë.
Scholz e hodhi poshtë këtë sugjerim në një intervistë me radion publike gjermane Deutschlandfunk.
“Energjia bërthamore ka përfunduar. Çështja e energjisë bërthamore në Gjermani është një temë e shterur. Kushdo që dëshiron të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore do t’i duhen 15 vjet dhe do të duhet të shpenzojë 15-20 miliardë euro”, tha Scholz.