Kryetari i Republikës Serbe, Millorad Dodik, ka caktuar për sot një takim të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës Serbe, liderëve të partive dhe përfaqësuesve serbë në institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Tema kryesore e takimit, sipas njoftimeve, do të jetë “gjendja në nivel të Bosnjë-Hercegovinës dhe situata aktuale politike në Republikën Serbe”.
Dodik ka theksuar se “konfirmimi i aktakuzës në Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës është përndjekje dhe se detyrimi i tij kushtetues ka qenë nënshkrimi i dekretit për shpalljen e ligjit të cilin e ka miratuar Kuvendi Kombëtar i RS”, raporton N1
“Po të mos ishin nënshkruar dekretet për ligjet e miratuara, statusi i Asamblesë Kombëtare dhe pozicioni i Republikës Serbe përfundimisht do të ishte rrënuar dhe në këtë mënyrë ne vetëm e kemi forcuar atë”, ka thënë Dodik, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të partisë së tij, SNSD.
Nënkryetarja e partisë Zheljka Cvijanoviq dhe anëtarja serbe e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës ka deklaruar se SNSD i ofron mbështetje absolute institucionit të kryetarit të Republikës Serbe, por edhe Millorad Dodikut, si kryetarit të Republikës Serbe dhe si liderit të kësaj partie.