Në qershor 2016, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për një "breshëri në rritje sulmesh informacioni të lëshuara kundër Rusisë", një nga rastet e shumta që Kremlini ka akuzuar Perëndimin për përfshirje në “lojëra mendore psikologjike”.
Në fakt, është Perëndimi ai që e ka lënë veten të manipulohet nga operacionet e kalibruar të ndikimit të Kremlinit.
Midis tyre, taktika më efektive e Putinit ka qenë përdorimi i shantazhit bërthamor për të luajtur me frikën perëndimore për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Ai e ka përdorur vazhdimisht këtë taktikë për të penguar me sukses Perëndimin nga rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke ofruar lloje të reja armësh dhe duke mbështetur plotësisht fitoren e Kievit ndaj Moskës.
Këto manipulime pasqyrojnë teknikën e vjetër sovjetike të kontrollit refleksiv. Në kontekstin e luftës së Rusisë për të nënshtruar Ukrainën, Putini e di se asgjë më mirë nuk e “provokon” Perëndimin sesa kërcënimet e përshkallëzimit bërthamor.
Kërcënimet e Putin
Së fundmi, ai tha se Rusia, nëpërmjet agjencisë së energjisë atomike Rosatom, "është e përkushtuar të krijojë armë të avancuara të afta për të mbajtur një ekuilibër strategjik në botë". Kjo u duk si përgjigje ndaj Ukrainës, e cila tha se kishte një “dron sekret”, dhe pritet të marrë në dorëzim armë shumë të fuqishme nga Amerika.
"Ata po zgjidhin me zell problemet e futjes së teknologjive novatore në fushat e energjisë dhe hapësirës, mjekësisë bërthamore, ekologjisë dhe modernizimit të flotës së akullthyesve bërthamorë. Ata marrin pjesë në krijimin e armëve të përparuara të afta për të mbajtur një ekuilibër strategjik në botë”, vazhdoi kreu i Kremlinit, duke iu drejtuar shkencëtarëve rusë në mesazhin për Ditën Kombëtare të Punëtorëve të Industrisë Bërthamore që festohet çdo vit në Rusi që nga viti 2005.
Alexey Likhachev, drejtor i përgjithshëm i Rosatom tha se është i bindur se detyra kryesore e sektorit të energjisë bërthamore është të sigurojë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe parandalimin bërthamor të shtetit.
Planet e Moskës
Sinergjia midis shkencëtarëve dhe kompleksit ushtarak rus po mbështet përpjekjet luftarake të Moskës në Ukrainë.
Gjatë vitit të kaluar, Rosatom ka ofruar njohuritë dhe burimet e saj për kompanitë shtetërore që prodhojnë sisteme raketore dhe bomba për të furnizuar vazhdimisht arsenalin konvencional të Putinit. Kjo përkundër faktit se agjencia bërthamore merret kryesisht me energjinë bërthamore për qëllime civile, një nga arsyet që e ka bërë atë në thelb imun ndaj sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Rosatom, në fakt, ende ka disa dhjetëra centrale bërthamore dhe termocentrale në Evropë, me projekte të nisura në mbarë botën, dhe menaxhon më shumë se 30 për qind të tregut global të uraniumit të pasuruar. Shkencëtarët rusë morën gjithashtu kontrollin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, pranë qytetit ukrainas të Energodarit të pushtuar nga ushtria e Moskës. Impianti është nën vëzhgim nga ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për shkak të rreziqeve që paraqet prania e kontingjentit ushtarak që e ruan atë, të akuzuar se kanë abuzuar psikologjikisht punonjësit që u detyruan të arratiseshin ose të punësoheshin nga Rosatom.
Arsenali rus
Të gjitha shifrat për armët bërthamore janë vlerësime, por, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka 5,977 koka bërthamore - pajisje që shkaktojnë një shpërthim bërthamor.
Nga rreth 4500 funksionale, shumica konsiderohen armë bërthamore strategjike - raketa balistike ose raketa me të cilat mund të synohen distanca të gjata. Këto janë armët që zakonisht lidhen me luftën bërthamore.
Pjesa tjetër janë armë bërthamore më të vogla dhe më pak shkatërruese për përdorim me rreze të shkurtër veprimi në fushat e betejës ose në det.
Por kjo nuk do të thotë se Rusia ka mijëra armë bërthamore me rreze të gjatë në gatishmëri. Ekspertët vlerësojnë se rreth 1500 koka luftarake ruse janë aktualisht "të vendosura", që do të thotë të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve ose në nëndetëse.