Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës me BE-në kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t'i raportojë Këshillit deri në marsin e vitit 2024 për çdo progres të arritur.
Më herët, gjatë diskutimeve për miratimin e paketës së zgjerimit për këtë vit dhe raporteve të progresit, brenda Komisionit Evropian (KE) është shfaqur mospajtim i thellë rreth idesë që KE-ja të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën.
Në takimet e shefave të kabineteve të komisionarëve të hënën dhe të martën nuk është arritur pajtim, prandaj kjo çështje është lënë për t’u vendosur personalisht nga komisionarët në takimin e kolegjit, të mërkurën.
Komisionarët nga Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia dhe disa vende tjera kanë insistuar se Komisioni duhet të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën, sepse me këtë hap do të ndihmohej procesi i reformave dhe stabiliteti i këtij vendi. Posaçërisht ky insistim është i lidhur me faktin se Komisioni propozon nisjen e negociatave për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat në procesin e zgjerimit kanë hyrë 20 vjet pas Bosnjë e Hercegovinës.