Finlanda reagon ndaj hyrjes së paligjshme të emigrantëve përmes Rusisë me mbylljen e të gjitha pikëkalimet kufitare për udhëtarët. Për qarkullimin e mallrave lihet i hapur vetëm një pikë kufitare në juglindje të vendit.
Finlanda ka mbyllur përkohësisht të gjitha pikëkalimet kufitare me Rusinë, të cilat përdoren për qarkullimin e pasagjerëve. Në një konferencë shtypi në televizionin finlandez kryeministri Peteri Orpo tha se me mbylljen e kufirit, qeveria e Helsinkit po reagon ndaj fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika që kanë ardhur muajt e fundit në Finlandë nga Rusia.
Raja-Jooseppi në Lapland në veri të Rrethit Polar ishte pikëkalimi i fundit që Finlanda kishte lënë hapur pas vendimit të para disa ditëve për të mbyllur disa pika kufitare me Rusinë. Mbyllja e kufirit për kalimin tranzit të pasagjerëve hyn në fuqi të enjten në mbrëmje dhe vlen për të paktën dy javë.

Akuza ndaj Moskës për destabilizim të Finlandës
Helsinki e akuzon Moskën se po përpiqet të destabilizojë Finlandën duke kontrabanduar njerëz. Javët e fundit, trupat kufitare finlandeze kanë regjistruar gjithnjë e më shumë persona që kanë ardhur nga Rusia pa dokumentet e nevojshme dhe kanë bërë kërkes për azil në Finlandë.

Sipas shifrave zyrtare vetëm në nëntor hynë në Finlandë nëpërmjet Rusisë mbi 600 azilkërkues nga vende si Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia, Siria dhe Jemeni. Më parë nga kufiri ruso-filnadez hynte mesatarisht më pak se një person në ditë.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen tha: "Ne kemi prova që, ndryshe nga më parë, autoritetet kufitare ruse jo vetëm që i lejojnë personat pa dokumentet e duhura zë kalojnë kufirin finlandez, por gjithashtu i ndihmojnë në mënyrë aktive që të vijnë në zonën kufitare".
Finlanda lë hapur vetëm stacionin kufitar hekurudhor Vainikkala në juglindje të vendit për mundësuar qarkullimin e mallrave./DW