Gjyqi i një ish-oficeri të inteligjencës gjermane, i akuzuar për dhënien e sekreteve shtetërore Rusisë, filloi të mërkurën në një gjykatë të Berlinit.
Carsten L. u arrestua vitin e kaluar dhe u akuzua për tradhti për zbulimin e informacionit sekret në një agjenci të inteligjencës ruse. Bashkëpunëtori i tij, biznesmeni Arthur E., u arrestua në fillim të këtij viti.
Gjatë seancës së parë, prokurorët filluan të lexojnë aktakuzën e tyre, në të cilën ata akuzuan Carsten L. se kishte printuar materiale sekrete nga kompjuteri i tij në selinë e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND) dhe ndante këtë informacion të ndjeshëm me rusët.
Arthur E. u akuzua se ka vepruar si korrier dhe ua ka kaluar këtë material oficerëve të inteligjencës në Rusi. Ata dyshohet se kanë marrë rreth 400,000 euro nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) në vitin 2022 për sigurimin e informacionit sekret.
Të mërkurën, prokurorët kërkuan që seancat të jenë të mbyllura për publikun, pasi aktakuza përmbante informacione të klasifikuara si sekrete. Por avokatët mbrojtës e kundërshtuan me vendosmëri kërkesën e tyre.
Gjyqtarët ndërprenë seancën pas gati dy orësh e gjysmë dhe njoftuan se do të shpallin vendimin për mbajtjen ose jo të seancave të mbyllura të enjten.