Belgorodi nën sulm, ja si njerëzit e Zelenskyt po zhysin në heshtje Rusinë në kaos, pse Kievi po ndryshon strategji pikërisht tani
Ndërsa lufta në Ukrainë rrezikon të bjerë në harresë, e lënë në hije nga tensionet e Lindjes së Mesme, Kievi po përpiqet të ndryshojë strategjinë e tij, në vend dhe në Rusi, me taktika tipike guerile.
Muajt e fundit, janë raportuar vazhdimisht inkursione ukrainase në territorin rus. Shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë u zhvillua të mërkurën, duke nxitur shpresat se shkëmbimet e të burgosurve do të vazhdojnë pasi ato ngecën verën e kaluar.
Po ashtu, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se nuk ka “plan B” për Ukrainën, duke shtuar se Kievi ka besim se mund ta fitojë luftën kundër Rusisë me burimet ushtarake që ka në dispozicion.
Ndaj, në këtë kontekst është e kuptueshme përpjekja e Ukrainës për të “futur” luftën në Rusi, në “oborrin” e Vladimir Putin.
Melitopoli në pikëpyetje
Ditën e djeshme erdhi lajmi se policia së bashku me FSB-në ruse kishin arrestuar një shtetas ukrainas 31-vjeçar në Melitopol, që kujtojmë se ishte i pushtuar që nga marsi i vitit 2022 i cili po përgatitej të kryente një sulm kundër një oficeri policie.
Sipas raporteve të Tass, burri ishte në kontakt me inteligjencën e Kievit" për të kryer sabotazhe dhe akte terroriste në qytetin e Melitopol".
Kievi nuk e komentoi apo mohoi lajmin e arrestimit, as Moska nuk dha detaje të mëtejshme mbi profilin e personit të arrestuar. Një endacak? Një njeri i Kievit? Apo një nga njerëzit e shumtë në galaktikën guerile anti-Putin? Për më tepër, Melitopol ka përjetuar edhe operacione të rëndësishme sabotazhi , si ai i një treni të blinduar rus, por edhe sulme kundër forcave ruse, si vrasja e një oficeri të lartë rus majin e kaluar.
Belgorodi nën sulm
Ditët e fundit, sabotimi ukrainas në territorin rus kishte fituar fuqi të re: vetëm pardje sistemet ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan katër sisteme raketash të shumëfishta Vilkha të lëshuara nga Ukraina në rajonin e Belgorodit, objektiv i inkursioneve që nga maji i kaluar.
Ministria ruse e Mbrojtjes e njoftoi këtë në një deklaratë të shkurtër: "Më 2 janar të këtij viti, rreth orës 12 të mesditës, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist kundër objektivave në territorin e Federatës Ruse duke përdorur sistemin e raketave të shumëfishta Vilkha.
Katër raketa u shkatërruan mbi rajonin e Belgorodit nga sistemet e mbrojtjes ajrore në shërbim." Lajmi, i raportuar menjëherë nga Ria Novosti, ishte në kontrast me sulmet e reja ruse në Kiev në të njëjtën ditë. Raketat ranë në disa rrethe të kryeqytetit, duke shkaktuar ndërprerje të ujit dhe energjisë elektrike.
Guvernatori i rajonit rus, në kufirin me Ukrainën, i goditur nga sulmet gjithnjë e më intensive nga Kievi, sugjeroi që banorët e kryeqytetit rajonal të evakuoheshin. "Nga sot jemi gati t'ju transportojmë në Stary Oskol dhe Gubkin (lokacionet më të largëta nga kufiri), ku do të gjendeni në kushte komode, në dhoma të ngrohta dhe të sigurta", tha Vyacheslav Gladkov në Telegram.
Zona e Belgorodit mbetet nën sulm për arsye të ndryshme, para së gjithash për afërsinë gjeografike midis dy forcave kundërshtare, e cila kishte lejuar "partizanët anti-Putin", të kryenin një lloj kundërpushtimi episodik.
Lufta guerile
Sabotimi i Kievit thuhet se po bëhet gjithnjë e më i rafinuar, me synimin jo vetëm për të nisur një luftë psikologjike, si në rastin e dronëve të lëshuar mbi Moskë, por edhe për të goditur linjat strategjike të furnizimit për Rusinë.
Në fakt, më 29 nëntor të kaluar, disa diversantë ukrainas arritën të vendosnin katër eksplozivë në një kolonë mallrash që transportonte karburant në Lindjen e Largët Ruse.
Qëllimi i vërtetë? Jo ngarkesa e madhe e autokolonës, por një tunel hekurudhor me rëndësi thelbësore për armët që vijnë nga aleati i saj Koreja e Veriut. Vetëm dy ditë pas sabotimit, një tjetër shpërthim ndodhi jo shumë larg tunelit të prekur: në këtë drejtim, beteja për të vërtetën për shkallën e dëmit është ende në vazhdim, gjë që megjithatë konfirmon zgjedhjen përfundimtare të Kievit për të zgjedhur tani luftën guerile në në mes të një konflikti që është kthyer në një moçal të madh për të dy frontet.