LIVE: Ukrainasit hedhin në erë tankun rus me dronin 500 dollarësh - nga shpërthimi i fuqishëm copëzat i fluturojnë

Evropë

LIVE: Ukrainasit hedhin në erë tankun rus me dronin 500 dollarësh - nga shpërthimi i fuqishëm copëzat i fluturojnë

Nga: Bota sot Më: 15 janar 2024 Në ora: 06:18 Përditësuar në ora: 20:06 më 15.01.2024
Me dronin 500 dollarësh, ukrainasit arrijnë të hedhin në erë tankun rus – nga shpërthimi i fuqishëm copëzat i fluturojnë

Me dronin 500 dollarësh, ukrainasit arrijnë të hedhin në erë tankun rus – nga shpërthimi i fuqishëm copëzat i fluturojnë

Luftimet e ashpra në pothuajse çdo pjesë të territorit të Ukrainës janë duke vazhduar.

Ukrainasit janë të vendosur që deri në frymën e fundit do të mbrojnë vendin e tyre nga forcat pushtuese ruse.

E me rënien e temperaturave, nga të dyja palët thuhet se sulmet janë paksa me intensitet më të ulët.

Në anën tjetër, ukrainasit po tregojnë se dronët janë bërë disa nga armët më të preferuara në sulmet ndaj rusëve.

Këtë e dëshmon më së miri sulmi më i fundit në Avdiivka, ku shihen ukrainasit sesi arrijnë të hedhin në erë tankun rus.

Madje droni i përdorur në këtë sulm është blerë vetëm 500 dollarë, dhe përmes disa modifikimeve është shndërruar në dron kamikaz.

Pasi ishte mbushur me lëndë shpërthyese, droni ishte ngritur në ajër në kërkim të makinerisë ruse që çdo ditë po shkakton dëme si në  njerëz ashtu dhe në infrastrukturë.

Me të lokalizuar tankun rus që lëvizte në një zonë rurale në Avdiivka, goditet direkt dhe nga shpërthimi tejet i fuqishëm shumica e pjesëve të kupolës fluturojnë qindra metra në ajër. 

Ukraina ka riatdhesuar 517 fëmijë të dëbuar ilegalisht nga rusët

Së fundmi, Ukraina ka riatdhesuar 517 fëmijë dhe 2,828 të rritur, të dëbuar në mënyrë të paligjshme nga forcat ruse, ka njoftuar avokati i popullit ukrainas, Dmytro Lubinets, gjatë Takimit për Fomulën e Paqes në Davos, Zvicër.

Lubinets, duke theksuar se qëllimi i Ukrainës është riatdhesimi i çdo personi ose të mbajturi peng nga kombi agresor, u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndihmojnë në realizimin e këtij qëllimi.

Gjatë takimit u mbajtën fjalime edhe nga fëmijët dhe të afërmit e të dëbuarve ilegalisht nga Rusia, por diskutimet më të mëdha kanë qenë rreth kthimit të të burgosurve të luftës dhe trajtimit çnjerëzor të ushtarëve ukrainas të ndaluar në Rusi, veprim ky i cili shkel ligjin ndërkombëtar humanitar, pasi përfshin tortura, ekzekutime dhe kushte të këqija jetese.

Armëpushime të kufizuara janë propozuar herë pas here që nga fillimi i agresionit rus, por nuk janë zbatuar kurrë.

Që nga pushtimi i shtetit ukrainas gjatë shkurtit të vitit 2022, Rusia ka dëbuar me forcë të paktën 19,546 fëmijë.

Paralajmërime të shumta për ndaljen e konfliktit ka pasur nga ana e ekspertëve perëndimorë, pasi po cenohet edhe siguria evropiane në saje të luftës në Ukrainë, por lufta ende po vazhdon me intenistet të lartë.

OKB bën thirrje për 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën

Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti, përderisa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).

Lufta po ashtu ka detyruar rreth 6.3 milionë ukrainas që të gjejnë strehim jashtë vendit, ndërkaq në fund të vitit 2023, 5.9 milionë refugjatë ishin strehuar në Evropë, tha OCHA përmes një njoftimi.

“Qindra mijëra fëmijë jetojnë në komunitetet në frontet e luftës, të tmerruar, traumatizuar dhe pa nevojat elementare. Vetëm ky fakt na bën ne që të bëjmë gjithçka që të dërgojmë më shumë ndihmë humanitare për Ukrainën”, tha shefi i OCHA-s, Martin Griffiths.

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.

“Në rajonet e Donjeckut dhe Harkivit, strehimoret në shtëpitë e dëmtuara nuk janë furnizim me ujë, gaz e as rrymë. Bombardimet e vazhdueshme po i detyrojnë banorët që t’i kalojnë ditët e tyre në bodrume”, tha ai.

Agjencia për ndihmë e OKB-së tha se 3.1 miliardë dollarë, apo 75 për qind e shumës së përgjithshme, do të dërgohej për të ndihmuar 8.5 milionë persona brenda Ukrainës, ndërkaq 1.1 miliardë për të ndihmuar refugjatët në shtetet ku janë strehuar./REL

Britania do të vendosë 20,000 trupa në një nga stërvitjet më të mëdha të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë – do të praktikohet “mbrojtja kundër Putinit”

Britania e Madhe po dërgon një grup prej 20,000 personash për të marrë pjesë në stërvitjen më të madhe të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë, e cila synon ta bëjë aleancën gati për betejë në një kohë gjithnjë e më të rrezikshme me konflikte të ndezura në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, kontingjenti i Mbretërisë së Bashkuar, nga ushtria, Marina Mbretërore dhe RAF do të sigurojë pothuajse gjysmën e personelit të shërbimit prej 41,000 njerëzve që do të marrin pjesë në “Operation Steadfast Defender” i cili do të ketë një dislokim shumëkombësh deri në 50 anije luftarake dhe dhjetëra aeroplanë, duke kryer 700 misione luftarake ajrore.

Stërvitjet zhvillohen në të gjithë Gjermaninë, Poloninë dhe vendet Baltike në vitin e 75-të të NATO-s.

Ato, duke përdorur të dhëna gjeografike në kohë reale për të krijuar skenarë më realistë për trupat, do të synojnë t’i kundërvihen një koalicioni armik të udhëhequr nga Rusia, të quajtur për këtë rast “Ocassus”, duke kryer agresion kundër shteteve anëtare.

Por ato do të fokusohen gjithashtu pjesërisht në trajtimin e milicive të armatosura armiqësore dhe grupeve terroriste që kërcënojnë interesat e aleancës ndërkombëtarisht.

Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps do të paralajmërojë se “kundërshtarët e Britanisë po rindërtojnë me zell barrierat e tyre” dhe “armiqtë e vjetër po ringjallen”.

Ndryshe një koalicion i udhëhequr nga SHBA është aktualisht i angazhuar në aksione ushtarake kundër Houthis në Jemen me SHBA dhe Britaninë të Madhe që po kryejnë sulme ajrore.

Megjithëse NATO nuk është pjesë e misionit, një numër shtetesh anëtare janë të përfshirë dhe stërvitja, besohet se do të ndihmojë në përmirësimin e ndërveprimit.

Veç tyre, edhe 31 shtete anëtare, si dhe Suedia, aplikimi i së cilës për t’u bashkuar ende nuk është ratifikuar nga Turqia dhe Hungaria, do të marrë pjesë në stërvitje.

Shefi ushtarak i NATO-s, admirali i marinës amerikane Rob Bauer, tha kohët e fundit: “Një epokë e re e mbrojtjes kolektive është përpara dhe ne duhet të jemi të përgatitur për të vepruar”.

Dhe aleanca ka rënë dakord të rrisë numrin e forcave të saj të gatishmërisë së lartë nga 40,000 në mbi 300,000.

Në një samit në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, verën e kaluar, ajo ra dakord për planet e reja rajonale të mbrojtjes dhe krijimin e një Force Reaguese Aleate për të dhënë përgjigje të shpejtë kur të jetë e nevojshme.

Si mund të shkojë rrjedha e luftës në Ukrainë?

Për skenarët e mundshëm për për luftën e nisur nga Vladimir Putini në Ukrainë ka folur edhe Philip Breedlove, ish-Komandanti Suprem i Aleatëve për Evropën.

“Nëse Perëndimi braktis Ukrainën, ata do të luftojnë me guxim, por dhjetëra mijëra ukrainas të tjerë do të vdesin dhe përfundimisht Rusia do të nënshtrojë të gjithë Ukrainën…”, ka thënë ai për Newsweek.

Por një rrugë ofron shpresë për Ukrainën, sipas Breedlove, i cili si komandant i NATO-s midis 2013 dhe 2016 dëshmoi pasojat e aneksimit të Krimesë nga Putin në vitin 2014, që i parapriu pushtimit të tij në shkallë të plotë.

Nëse Perëndimi zgjedh t’i japë Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar, Ukraina do ta fitojë këtë luftë”, ka thënë gjenerali.

Kështu ka konstatuar ai, “kjo luftë do të përfundojë pikërisht ashtu siç duan dhe dëshirojnë që politikëbërësit perëndimorë të përfundojë”.

Ndryshe, kjo nevojë për më shumë armë perëndimore është e njëtjë me atë të përshkruar nga Volodymr Zelensky këtë javë, sipas të cilit, lufta kundër Putinit nuk është vetëm e Kievit.

“Ai nuk do të ndalet derisa ne të gjithë nuk do ta ndalim së bashku”, tha presidenti ukrainas të enjten.

Paralajmërimi vjen pasi ligjvënësit amerikanë kthehen në Uashington pasi një krah i Partisë Republikane pengoi para Krishtlindjeve një paketë sigurie që përfshinte 61.4 miliardë dollarë për Ukrainën.

Gjatë atij pushimi të kongresit, Ukraina pësoi një bombardim rus gjatë pesë ditëve gjatë Vitit të Ri, në të cilin më shumë se 500 raketa dhe dronë u lëshuan në të gjithë vendin, duke shkatërruar një maternitet, shkolla dhe apartamente dhe duke vrarë 45 njerëz.

Ndërkohë ndërsa lufta hyn në vitin e tretë më 24 shkurt, ka thirrje në rritje nga disa ligjvënës amerikanë që Zelensky të hyjë në negociata dhe të lëshojë territor.

Megjithatë, vlerësimi i Institutit për Studimin e Luftës në dhjetor përshkroi pasoja të tmerrshme – një “ngrirje të konfliktit” ose, edhe më keq, “një Putin fitimtar”.

Gabimet e Ukrainës

Kundërofensiva e Ukrainës u pengua nga dorëzimi i ngadaltë i mjeteve manovruese të blinduara, tha për Newsweek, Gustav Gressel, bashkëpunëtor i lartë i politikës në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).

Automjetet luftarake amerikane Bradley dhe tanket Leopard të prodhimit gjerman do të kishin qenë më efektive nëse do të ishin dorëzuar kur integriteti i forcave të mekanizuara të Ukrainës ishte më i mirë, ka vlerësuar ai.

“Ukraina mbeti e mbërthyer në Bakhmut për shumë kohë, duke humbur shumë djem me përvojë”.

“Ata kryen trajnime të pamjaftueshme për luftën e tyre manovruese, për brigadat e tyre sulmuese. Ata besuan në brigadat e sapoformuara. Ne e dimë që nga Lufta e Dytë Botërore se formacionet e sapoformuara kanë nevojë për kohën e tyre për të punuar vetë…”.

Por nuk ishte vetëm mungesa e mbulimit ajror që dëmtoi kundërsulmin e Ukrainës.

Perëndimi e nënvlerësoi se sa shpejt lufta elektronike ruse do të përshtatej me municionet precize të kontrolluara nga GPS dhe do t’i bënte ato më pak efektive”, tha Gressel.

Strategjia e Luftës

Përfitimet e Ukrainës në vitin 2022 përfshinin rimarrjen e Kharkiv-it dhe Khersonit, largimin e forcave ruse nga Kievi dhe dhënien e goditjeve në Flotën e Detit të Zi të Putinit, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Por fitimet e mëparshme frymëzuan Zelenskyn dhe administratën Biden për të vendosur “qëllime jorealiste” me kundërsulmin e saj të vitit 2023, tha për Newsweek, Viktor Kovalenko, një analist i mbrojtjes dhe ish-ushtar ukrainas.

Sidoqoftë, Ukraina mund të tregojë disa pika pozitive.

Ajo pothuajse ka rifituar kontrollin e plotë të Detit të Zi veriperëndimor, duke e shtyrë marinën ruse në lindje dhe juglindje.

Në tokë, forcat ukrainase kanë shtyrë mjaftueshëm përpara për të filluar përdorimin e zjarrit të artilerisë me rreze të shkurtër veprimi në urën tokësore drejt Krimesë, të cilën ajo po e godet rregullisht.

Por faza tjetër në luftë që do të formësojë sigurinë evropiane për dekadat e ardhshme nuk ka të bëjë vetëm me ndihmën e SHBA-së.

Aleati i Putinit në Bashkimin Evropian, kryeministri hungarez Viktor Orban, muajin e kaluar vuri veton ndaj një pakete prej 50 miliardë eurosh (55 miliardë dollarë) nga Brukseli, pa të cilën Zelensky tha se do të ishte e vështirë për Kievin të mbijetonte pasi lufta hyn në vitin e tretë më 24 shkurt.

“Mbështetja perëndimore e Ukrainës duhet të ripërqendrohet në ndërtimin e fortifikimeve dhe aftësive mbrojtëse me shumë shtresa në Ukrainë, në trajnimin e rekrutëve të tyre dhe në rritjen e prodhimit të armëve të tyre, në mënyrë që çdo përpjekje e mëtejshme ruse për të goditur ose rrëmbyer më shumë nga toka e tyre do të përballet me zjarr dhe zemërim”, tha Kovalenko. 

Rusët ia futën vrapit kur tanku i tyre u përfshi nga flakët, forcat ukrainase e sulmuan nga toka dhe ajri

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar mes forcave ukrainase dhe atyre ruse në mot ekstrem të ftohtë.

Kësaj here, ushtarët ukrainas shkatërruan një tank rus të tipit T-90M në Stepove në veri të Avdiika-s.

Forcat ukrainase fillimisht sulmuan automjetin luftarak të rusëve me tankun e tyre M2A2 pastaj e sulmuan edhe nga ajri me dronin e tyre FPV.

Pas sulmeve të njëpasnjëshme, tanku i ushtrisë ruse shpërtheu nga goditjet dhe u përfshi nga flakët. Në ato momente, ushtarët rusë që ishin brenda në tank ia futën vrapit për të shpëtuar.

Pamjet u publikuan nga Brigada ukrainase e 47-të e Mekanizuar.

Eksperti amerikan paralajmëron skenar të frikshëm nëse Putini fiton mbi Ukrainë

Ish-ambasadori amerikan në Rusi dhe njëherësh profesori i shkencave politike, Michael McFaul tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet që kurrsesi të fitojë në Ukrainë.

McFaul deklaroi se nëse Putini mposht Ukrainën, kërcënimi rus për aleatët e SHBA-së në Evropë do të rritet në mënyrë dramatike.

Sipas tij, presidenti rus duhet të ndalet në Ukrainë për të shmangur luftërat më të mëdha ose kërcënimet e luftës në të ardhmen.

“Nëse Putini mposht Ukrainën, kërcënimi rus për aleatët tanë në Evropë rritet në mënyrë dramatike. Investimi tani për të ndaluar Putinin në Ukrainë ndihmon për të shmangur luftërat më të mëdha ose kërcënimet e luftës në të ardhmen. Le të nxjerrim mësimet e viteve 1930 në vend që të përsërisim të njëjtat gabime përsëri”, shkroi eksperti amerikan në llogarinë e tij në X.

Paralajmërime të shumta ka pasur nga ana e ekspertëve perëndimorë për kërcënimet të shumta që cenojnë sigurinë e Evropës në saje të luftës në Ukrainë. 

Putini po përdor metoda “të pista” për t’i detyruar të burgosurit të shkojnë në luftë

Presidenti rus Vladimir Putin po raportohet se po përdor metoda “të pista” për t’i detyruar të burgosurit të regjistrohen në ushtri për të luftuar në Ukrainë.

Siç raportohet, Putini ka urdhëruar burgjet që t’i fikin ngrohjet në mënyrë që të burgosurit të kërkojnë të dalin nga aty.

Temperaturat në disa pjesë të Rusisë kanë rënë në minus 55 gradë Celsius.

Në kuadër të kësaj, Putin po e shfrytëzon mundësinë që të rekrutojë në ushtri kriminel të dënuar, një metodë të cilën e ka përdorur shpesh herë në këmbim për t’i falur nga dënimi.

Olga Romanova, drejtoreshë e OJQ-së për të drejtat e njeriut “Rusia Behind Bars”, tha se qëllimi është të detyrohen që të dënuarit të shkojnë në luftë.

“Për këtë arsye, ata thjesht fikën ngrohjet në temperatura nën zero”, tha ajo për gazetën gjermane BILD.

Kritiku i Putinit humb jetën pasi u godit nga vetura

Poeti rus dhe njëherësh kritiku i presidentit rus Vladimir Putin, Lev Rubinstein ka vdekur gjashtë ditë pasi u godit nga një makinë në Moskë.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur vajza e poetit.

Rubinstein, 76-vjeçar, u godit nga një makinë më 8 janar dhe kishte qenë disa ditë në koma para se të vdiste.

“Babai im, Lev Rubinstein, vdiq sot”, shkroi vajza e tij Maria në blogun e saj.

Rubinstein, siç raportojnë mediet e huaja, kishte bashkëthemeluar lëvizjen konceptualiste.

Në vitet 70-ta dhe 80-ta, ai përdori artin në format e tij të shumta për të përmbysur normat tradicionale të epokës sovjetike dhe për të kritikuar doktrinën zyrtare të realizmit socialist – një ideologji e spikatur gjatë Bashkimit Sovjetik që shtyu axhendën politike duke përdorur artin.

Ai gjithashtu kishte qëndrim të fortë kundër ofensivës ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe ndaj qëndrimeve të qeverisë ruse ndaj të drejtave të grupit LGBT.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat