LIVE: Zbulohet se si Ukraina mund të triumfojë kundër Rusisë, ja si po dështon Putini

Evropë

LIVE: Zbulohet se si Ukraina mund të triumfojë kundër Rusisë, ja si po dështon Putini

Nga: Bota sot Më: 16 janar 2024 Në ora: 06:25 Përditësuar në ora: 23:54 më 16.01.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Raketat ruse goditën Kharkivin, 16 të plagosur

Raketat ruse goditën një zonë banimi në qendër të Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës, të martën, duke lënë të plagosur 16 persona dhe duke dëmtuar shtëpitë, thanë zyrtarët lokalë.

Guvernatori rajonal i Kharkiv, Oleh Synehubov, duke shkruar në aplikacionin e mesazheve Telegram, tha se dy gra u plagosën rëndë dhe banesat ishin dëmtuar. Ai tha se dy raketa ruse kishin goditur qendrën e qytetit.

“Këto sulme ishin në qendër të qytetit,” shkroi kryebashkiaku i Kharkiv, Ihor Terekhov, në Telegram. “Pikërisht aty ku nuk ka infrastrukturë ushtarake dhe pikërisht aty ku ka në fakt rezidenca”.

Terekhov tha për televizionin kombëtar se ekipet e shpëtimit po kalonin nëpër ndërtesa të dëmtuara për të parë nëse më shumë banorë ishin lënduar.

Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve, por në hapësirën e konfliktit gati dy-vjeçar, qyteti nuk ka rënë në duart e rusëve. Raketat ruse goditën një hotel në qytet javën e kaluar, duke plagosur 11 persona, shkruan Reuters.

Von der Leyen: Ukraina mund të triumfojë kundër Rusisë, por duhet të mbështetet

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha të martën se Ukraina mund të triumfojë kundër Rusisë, por ajo duhet të mbështetet.

Ajo tha se Rusia ka humbur gjysmën e aftësisë së saj ushtarake në Ukrainë dhe ajo ia doli ta dëbojë Rusinë nga gjysma e territoreve që kishte kapur dhe të shtyjë flotën ruse të Detit të Zi.

“Rusia po dështon në qëllimet strategjike”, tha ajo gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Ajo tha se dështimi i Rusisë është i dukshëm në fushën ushtarake, diplomatike dhe ekonomike.

“E gjithë kjo na tregon se Ukraina mund të triumfojë në këtë luftë. Por ne duhet të vazhdojmë të fuqizojmë rezistencën e tyre”, tha Leyen dhe theksoi se Ukraina ka nevojë për financim të parashikueshëm, si dhe një furnizim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm të armëve.

Duke nënvizuar se jo vetëm Bashkimi, por bota përjeton një epokë të përcaktuar nga "konflikti dhe konfrontimi, fragmentimi dhe frika", Leyen kërkoi bashkëpunim më të madh në botë dhe konsolidim demokratik.

Sulmet e vazhdueshme ruse/ Ukraina urdhëron evakuimin e banorëve në 26 fshatra

Ukraina urdhëroi sot evakuimin e banorëve në 26 fshatra në rajonin e Kharkiv, në pjesën verilindore të vendit, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë ruse.

Njoftimi prek për 26 komunitete të prekura, ku jetojnë 3,043 njerëz, përfshirë 279 fëmijë. Provinca Kupyansk ka qenë prej muajsh objektiv i sulmeve të forcave ruse.

I gjithë ky territor është pushtuar nga Rusia në shkurt 2022 nga Vladimir Putin, derisa një sulm i befasishëm nga ukrainasit rezultoi në çlirimin e tij në shtator të po atij viti, duke i detyruar trupat e Moskës të tërhiqeshin.

Rusia kaloi sërish në ofensivë gjatë verës së vitit 2023, ndërsa vetë Ukraina tentoi, pa sukses, një kundërsulm të madh në Donbas.

Që nga rënia dhe dështimi i ambicieve të Ukrainës për të rimarrë në kontroll territoret, forcat ruse janë zmbrapsur në verilindje në rajonin e Kupyansk dhe në lindje, kryesisht rreth qytetit Avdiivka.

Rajoni i Kharkiv, ku ndodhet Kupyansk, kufizohet me Rusinë edhe është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Kryediplomatja verikoreane në Moskë për bisedime për forcimin e marrëdhënieve

Kryediplomati rus ka mirëpritur në Moskë homologen e tij verikoreane për bisedime lidhur me zgjerimin e raporteve mes dy shteteve, në mes të shqetësimeve ndërkombëtare lidhur me një marrëveshje të dyshuar të armëve mes Rusisë dhe Koresë së Veriut.

Në nisje të takimit, Sergei Lavrov tha se me ministren verikoreane, Choe Son Hui, do të diskutojnë për “punën aktive” në zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes udhëheqësve të dy shteteve.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shtatorin e vitit të kaluar kishte udhëtuar për në Rusi, ku ishte takuar me presidentin Vladimir Putin. Gjatë vizitës, dy udhëheqësit vizituan disa vende ushtarake, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare lidhur me një aleancë të armëve që do të ndihmonte Moskën të rimbushë arsenalin e tij për shkak të luftimeve në Ukrainë.

Putin pritet të takohet me Choe më vonë gjatë ditës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus do të vizitojë Korenë e Veriut me ftesë të Kimit “në një kohë të përshtatshme” dhe vizita do të realizohet “në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët”.

Në nisje të takimit, Lavrov po ashtu përmendi “bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm” mes dy shteteve në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Ai theksoi se Moska “vlerëson lart” mbështetjen e Penianit për veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të zhvilluar lidhjet tona”, tha Choe.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë akuzuar Korenë e Veriut se po furnizon me municione të artilerisë dhe raketa Rusinë, armë të cila më pas, sipas Uashingtonit dhe Seulit, po përdoren në pushtimin rus të Ukrainës.

Më herët gjatë këtij muaji, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se Rusia veçse ka përdorur raketa balistike, që i ka dhënë Koreja e Veriut, për të kryer sulme në Ukrainë.

Si Rusia, ashtu edhe Koreja e Veriut, kanë hedhur poshtë akuzat se Koreja e Veriut ka transferuar armë në Rusi./rel

“Do godisja Lavrovin me grusht”, ministri ukrainas rrëfen takimin në Turqi

Në kohën kur presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky përgatitet t`iu drejtohet pjesëmarrësve të Forumit botëror të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, ministri i tij i jashtë bëri një rrëfim që u përhap me shpejtësi në mediat botërore.

Ai tregoi sesi kishte qenë duke e goditur me grusht në fytyrë ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë bisedimeve mes dy palëve në fazat e para të fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës. I pyetur për momentet më të vështira të negociatave, Kuleba u përgjigj se këtu, padyshim bën pjesë “ ai çasti kur ti thjesht ndien një dëshirë të madhe të ngrihesh e të shkosh t`i biesh me grusht personit të palës tjetër, por në të vërtetë, një gjë të tillë, nuk e bën dot.

Dhe mund t`iu them se kjo gjë më ka ndodhur dy apo tre herë; në njërin prej rasteve ishte me Lavrovin në resrotën turke të Antalias pranverën e vitit 2022”, u shpreh ai. Negociatorët ukrainas dhe ata rusë u takuan për disa raunde bisedimesh në javët e para pas pushtimit të shkurtit 2022. I pari prej tyre ishte në afërsi të kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë, e më vonë, palët u përballën në Turqi, ku pala turke insistoi që të bënte ndërmjetësuan mes tyre.

Deklarata e tij u komentua shumë shpejt nga përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila tha se ato tregojnë që lidershipi ukrainas është krejtësisht i papërshtatshëm për këtë rol.

Lavrov: Po zbatohen marrëveshjet e arritura mes Putinit dhe Kim Jong Un

Puna ka filluar për të zbatuar marrëveshjet e arritura midis udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe presidentit rus Vladimir Putin”.

Kështu u shpreh ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov në fjalën e tij hapëse në bisedimet me homologun e Koresë së Veriut Choe Son Hui.

Ky takim është koha e përkryer për të përmbledhur rezultatet paraprake të punës aktive që filloi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë samitit të shtatorit midis Presidentit Putin dhe Presidentit të Çështjeve të Shtetit Kim Jong Un në Kozmodromin Vostochny.

Puna përkatëse tashmë është po kryhet në mënyrë aktive”, tha ai.

 

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës pretendon se ushtarëve rusë u jepet rregullisht drogë, në mënyrë që të mos kenë frikë nga vdekja

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, komandantët rusë u shpërndajnë rregullisht lëndë narkotike dhe substanca të tjera dehëse, në mënyrë që të mos kenë frikë se mos vriten në betejë.

Kjo u bë e ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës sot.

“Ushtria ruse gjithnjë e më shumë refuzon të vdesë për qëllimet e liga të liderit të saj, kështu që komanda e armikut ka vendosur të eksperimentojë me lloje të tjera stimulimi që shtrembërojnë ndjenjën e realitetit dhe çojnë në vdekje”, thuhet në raport.

Sipas informacioneve të disponueshme, substanca narkotike dhe psikotrope jepen në mënyrë sistematike për personelin e Regjimentit 108 të Divizionit të 7-të Ajror. Këto barna çojnë në eufori.

“Ushtarët që i përdorin më lehtë bien dakord për sulme pa frikë nga lëndimi apo vdekja”, thotë Shtabi i Përgjithshëm. 

Me kërkesë të Zelenskyt, Zvicra neutrale do jetë nikoqire e një konferencë paqeje për Ukrainën

Zvicra ka rënë dakord të jetë nikoqire e samitit global të paqes për Ukrainën, me kërkesë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zvicra neutrale ka vepruar më parë si ndërmjetës në zgjidhjen e konfliktit, dhe tani mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën që filloi me pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

“Me kërkesë të presidentit ukrainas, Zvicra ka pranuar të jetë nikoqire e samitit për formulën e paqes”, njoftoi qeveria zvicerane.

Në deklaratë u shtua se “detaje të tjera” tani janë duke u përpunuar.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegen e tij zvicerane Viola Amerd, Zelensky nuk dha një listë më të gjerë të pjesëmarrësve në samitin e planifikuar të paqes, por tregoi se cilët pjesëmarrës i dëshiron.

“Jemi të hapur për të gjitha vendet që respektojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial në samitin e paqes, prandaj nxirrni përfundime se kë do të ftojmë”, tha presidenti ukrainas.

“Ne do të donim që jugu global të ishte i pranishëm. Është e rëndësishme për ne të tregojmë se e gjithë bota është kundër agresionit të Rusisë dhe se e gjithë bota është për një paqe të drejtë”, shtoi ai.

As Zelenskiy dhe as Amerd nuk dhanë detaje se kur dhe ku do të zhvillohet samiti në Zvicër. Ata theksuan se ekipet e tyre do të fillojnë të organizohen tashmë të martën (16 janar).

Zelensky ndodhet në Zvicër, ku pritet të takohet me zyrtarë botërorë të cilët do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kremlini: Bisedimet për paqen nuk do të funksionojnë pa Rusinë

Kremlini tha sot se bisedimet në Davos mbi propozimet e Ukrainës për paqen nuk do të funksionojnë pasi Rusia nuk po merr pjesë.

Presidenti Vladimir Putin dërgoi mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar përplasjen më të madhe midis Perëndimit dhe Moskës që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderët kryesorë të Lindjes së Mesme pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të kësaj jave, ku do të fokus do të jenë luftërat në Gaza dhe Ukrainë.

“Këto janë vetëm bisedime për hir të bisedimeve,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet për samitin në Davos.

“Ky proces nuk mund të synojë arritjen e rezultateve specifike, kur ne nuk jemi të përfshirë. Pa pjesëmarrjen tonë, çdo diskutim nuk do të ketë asnjë rezultat”, theksoi ai.

Rusia, e cila kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit ukrainas, ka hedhur poshtë planin e paqes të Zelensky-t, i njohur si ‘formula e paqes’, duke e cilësuar absurd.

Ushtria ukrainase: Kemi rrëzuar dy avionë rusë

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat e saj i kanë rrëzuar dy avionë spiunë rusë gjatë një “misioni të suksesshëm” mbi Detin e Azovit.

“Forcat ajrore të ushtrisë ukrainase i kanë shkatërruar një avion gjurmues A-50 të armikut dhe një post të komandimit ajror Il-22 të armikut”, tha komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, në Facebook.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte të dhëna për rrëzimin e dy avionëve ushtarakë rusë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje.

Këta avionë janë mjete të rëndësishme për Rusinë, e cila i përdor për t’i orkestruar lëvizjet në fushëbetejat e luftës në Ukrainë.

Rrëzimi i tyre do të ishte arritje shumë e madhe për Ukrainën në luftën tashmë dyvjeçare, ku luftimet në vijën e frontit po zhvillohen kryesisht në llogore dhe me artileri.

A-50 është një avion paralajmërues dhe kontrollues me një radar të madh i cili është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.

Ai bart zakonisht një ekuipazh prej 15 vetave. Raportohet se Rusia vepron me nëntë avionë të tillë.

Il-22 është një post i komandës ajrore, i cili ka për qëllim t’i mbikëqyrë operacionet ushtarake dhe ritransmeton valë radiosh te trupat në vijën e frontit. Raportohet se forcat ajrore ruse kanë dhjetëra avionë të tillë.

Ukrainë është etur t’iu lënë mbresa mbështetësve të vet perëndimorë me aftësitë e saj për t’i përdorur armëve që ia kanë dhënë ata.

Ndërkohë, të hënën më herët, Kombet e Bashkuara u kërkuan donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve./rel

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat