LIVE: Turpërohen rusët, kjo është arma më e fortë e ukrainasve - Macron vjen me deklaratë të fuqishme për luftën

Evropë

LIVE: Turpërohen rusët, kjo është arma më e fortë e ukrainasve - Macron vjen me deklaratë të fuqishme për luftën

Nga: BOTA SOT Më: 17 janar 2024 Në ora: 06:30 Përditësuar në ora: 19:27 më 17.01.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Macron: Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë luftën në Ukrainë

Presidenti francez Emmanuel Macron në një deklaratë të dhënë në Davos, theksoi se lufta në Ukrainë ka sjellë dëme të mëdha.

Macron u shpreh i vendosur se Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë luftës, dhe kjo është arsyeja sipas tij përse europianët duhet me patjetër që këtë vit të rrisin përpjekjet për të ndihmuar Kievin.

Nuk ka rëndësi se kush do të jetë rezultati i zgjedhjeve në SHBA shtoi Macron, fokusi duhet të jetë tek mbështetja e Ukrainës.

Të paktën 17 persona u plagosën në dy sulme me raketa të lëshuara nga forcat ruse kundër Kharkiv, në veriperëndim të Ukrainës.

 

Zakharova: Pa Rusinë, bisedimet për paqen në Ukrainë janë të pakuptimta

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e quajti të dështuar takimin e katërt ndërkombëtar për Ukrainën të mbajtur në Davos në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Zakharova kritiko ashpër bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, madje duke deklaruar se pavarësisht rritjes së numrit të vendeve pjesëmarrëse në takim nga 66 në 82, kjo pjesëmarrje është “e pakuptimtë” pa praninë e Rusisë.

Në të njëjtën kohë, ajo kritikoi iniciativën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilën ai e quajti një “formulë paqeje”, duke argumentuar se shumë nga kërkesat e tij, duke përfshirë një ultimatum drejtuar Rusisë për të tërhequr forcat e saj në kufijtë e 1991 dhe për të paguar dëmshpërblime, janë ” joreale”.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, lufta Rusi-Ukrainë është në axhendën kryesore të liderëve botërorë.

E rrëzuan e madje u lavdëruan për këtë vepër, menduan se ishte fluturake ukrainase, turpërohen rusët kur e kuptojnë se ishte droni i tyre

Ushtria ruse së fundmi ka rrëzuar siç kanë menduar ata një lloj të ri të dronit të ukrainasve.

Madje shpërndanë nëpër internet fotografitë e kësaj fluturake, që në fund doli të ishte dron rus.

Prej kohësh ishte spekuluar se ukrainasit po zhvillojnë një dron të avancuar, dhe fluturaken që rusët e rrëzuan menduan se ishte pikërisht ai.

Megjithatë në fund doli të ishte prodhim rus, një lloj repetitori që i rrit rrezen e fluturimit dronit të zakonshëm dhe që përdoret për fluturime në distance më të gjata.

Mjaftuan këto të dhëna që të fillojnë talljet në llogari të ushtrisë ruse, e cila nuk gaboi për herë të parë në luftën në Ukrainë.

Ata gjatë luftimeve të ashpra shpesh kishin gjuajtur me artileri pozicionet e tyre – duke menduar se ishin të ukrainasve.

E së fundmi një aeroplan luftarak i ushtrisë së Vladimir Putinit lëshoi raketa mbi një fshat rus, duke qenë shumë i bindur se bombardon brenda territorit të Ukrainës. 

Bradley amerikan, arma më e mirë e këmbësorisë ukrainase – për pak sekonda shkatërron autoblindën ruse

Revista amerikane Forbs pretendon se autoblinda amerikane M-2A2 Bradley që Shtetet e Bashkuara ia dhanë Kievit, është mjeti më i mirë i blinduar i këmbësorisë që e posedon ushtria ukrainase në luftën dyvjetore kundër Rusisë.

Kjo thuhet se është për shkak të mbrojtjes së duhur që e ofron, optikës dhe fuqisë së zjarrit që zotëron Bradley.

Ky mjet luftarak i këmbësorisë amerikane për dhjetë persona, peshon 30 tonelata, është i mbrojtur nga çeliku dhe alumini dhe mund t’i rezistojë plumbave blindëshpues të kalibrit 300 mm.

Pra ka sistem të mbrojtjes shumë më të avancuar sesa mjetet e blinduara ruse BMP-2 dhe BMP-3. BMP-2 mund t’i rezistojë plumbave blindëshpues të kalibrit 23 mm vetëm në pjesën frontale.

Në profilin OSINTtechnical në rrjetin social X, është shfaqur videoja e një beteje mes Bradley dhe BMP-2 ruse.

Kjo betejë mes dy mjeteve të blinduara u zhvillua në një distancë prej pak metrash larg njëra-tjetrës. Videoja është filmuar në Stepova në Avdiivka në rajonin e Donetsakut.

Brandley iu nevojitën pak sekonda që nga breshëria e plumbave 25 mm të mitralozit Bushmaster, të shkatërrohet mjeti luftarak rus. 

Ushtria ruse bombardon Kharkivin, plagosen 17 persona – goditen shtëpitë dhe ndërtesat kolektive

Dy raketa ruse goditën një zonë të banuar në qendër të Kharkivit, duke plagosur 17 persona, dy prej tyre rëndë dhe duke dëmtuar shtëpitë dhe ndërtesat kolektive.

Ekipet e shpëtimit kërkuan nëpër rrënojat të mbijetuarit, kurse kryebashkiaku i përshkroi dy “shpërthimet si tejet të fuqishme” dhe tha se të paktën 10 apartamente u dëmtuan.

Shefi i policisë rajonale Volodymyr Timoshko tha për transmetuesin publik Suspilna, se njëra predhë goditi rrugën dhe tjetra një ndërtesë banimi trekatëshe. Zjarri shpërtheu në dy katet e spitalit përballë pallatit, por është shuar.

Guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleg Sinehubov, shkroi në Telegram se 12 persona të lënduar ndodheshin në spital, duke përfshirë dy gra që u plagosën rëndë.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, gjithashtu duke shkruar në Telegram, tha se raketat goditën “pikërisht aty ku nuk ka infrastrukturë ushtarake dhe pikërisht aty ku ka realisht banesa”.

“Janë të paktën 10 ndërtesa të dëmtuara. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kalojnë nëpër rrënoja”, shtoi Terekhov.

Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkivit, në verilindje të vendit, ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve, por qyteti nuk ka rënë në duart e rusëve gjatë konfliktit gati dyvjeçar.

Raketat ruse një hotel në qytet javën e kaluar, duke plagosur 11 persona.

Çfarë i kërkoi Zelensky Stoltenberg-ut në takim? Zbulohet biseda

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti kërkesën e vendit të tij për anëtarësimin në NATO gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të aleancës perëndimore të mbrojtjes, Jens Stoltenberg në Davos.

“Ukraina pret që NATO të marrë vendime këtë vit, për ta afruar vendin drejt anëtarësimit në aleancë”, tha Zelensky.

“Udhëheqësi ukrainas gjithashtu informoi Stoltenberg për situatën në vijën e parë të luftës dhe e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s”, sipas një deklarate të zyrës presidenciale të Zelenksy.

Zelensky gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës përballë bombardimeve të fundit ruse në qytetet e Ukrainës.

“Unë jam mjaft i sigurt se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje sepse mbështetja për Ukrainën nuk është bamirësi. Mbështetja për Ukrainën është një investim në sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.

“Ne duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës dhe Rusia duhet të kuptojë se po paguan një çmim shumë të lartë dhe të ulet dhe të pajtohet me një lloj paqeje të drejtë”, shtoi ai.

Por Zelensky nuk është i interesuar për një armëpushim të zgjatur ose “ngrirje”, siç tha ai. Në vend të kësaj, ai është në favor të vendosjes së luftës në fushën e betejës këtë vit dhe shkaktimit të një disfate strategjike ndaj Rusisë.

“Çdo konflikt i ngrirë në fund do të ndizet”, tha Zelensky gjatë një fjalimi në Davos.

Zelensky akuzoi edhe një herë presidentin rus Vladimir Putin për “çmenduri” dhe se nuk ka interes për zgjidhje paqësore pas gati dy vitesh luftë, si dhe për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe përfshirjes në konfliktin civil të Sirisë.

Presidenti ukrainas kritikoi komunitetin ndërkombëtar se nuk ishte mjaftueshëm i shpejtë dhe nuk po i shtonte sanksionet kundër Rusisë, të cilat mund të kishin bërë lëshime për Putinin, veçanërisht nëse industria e tij bërthamore do të ishte goditur.

“Putin po përpiqet të normalizojë atë që duhet të kishte përfunduar në shekullin e XX dëbimet masive, qytetet dhe fshatrat e rrafshuara dhe ndjenjën e tmerrshme se lufta mund të mos përfundojë kurrë,” shtoi ai.

Oficeri i lartë i NATO-s ‘lëshon deklaratën bombë’, ja çfarë po përgatit Putini

Oficeri i lartë ushtarak i NATO-s u kërkon aleatëve dhe liderëve të planifikojnë për të papriturën në Ukrainë.

Ai tha se lufta në Ukrainë mund të “përcaktojë fatin e botës”, për pasojë ushtritë dhe liderët politikë perëndimorë duhet të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrën se si e ndihmojnë Kievin të shmangë forcat pushtuese ruse.

Në një takim të oficerëve të lartë të NATO-s në selinë e saj në Bruksel, kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer tha gjithashtu se pas arsyetimit të Putinit për luftën qëndron frika nga demokracia, raporton Associated Press.

“Ne kemi nevojë për aktorë publikë dhe privatë që të ndryshojnë mentalitetin e tyre për një epokë në të cilën gjithçka ishte e planifikuar, e parashikueshme, e kontrollueshme dhe e fokusuar në efikasitet në një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë. Një epokë në të cilën duhet të presim të papriturën. Për të qenë plotësisht efektiv, edhe në të ardhmen, ne kemi nevojë për një transformim luftarak të NATO-s. Sot është dita e 693-të e asaj që Rusia mendonte se do të ishte një luftë tre-ditore. Ukraina do të ketë mbështetjen tonë për çdo ditë që do të vijë, sepse rezultati i kësaj lufte do të përcaktojë fatin e botës.

Kjo luftë nuk ka qenë kurrë për ndonjë kërcënim real të sigurisë për Rusinë që vjen nga Ukraina apo NATO. Kjo luftë ka të bëjë me frikën e Rusisë nga diçka shumë më e fuqishme se çdo armë fizike në tokë – demokracia. Nëse njerëzit në Ukrainë mund të kenë të drejta demokratike, atëherë edhe njerëzit në Rusi së shpejti do t’i dëshirojnë ato”, tha ai.

Ukraina thotë se ka rrëzuar 19 dronë rusë

Kievi tha më 17 janar se Rusia gjatë natës ka kryer sulme me 20 dronë të prodhimit iranian në jug të Ukrainës, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 19 prej tyre.

Njoftimi vjen pasi autoritetet ukrainase thanë se 20 persona janë plagosur gjatë sulmeve ruse në qytetin lindor të Harkivit dhe në Odesa në Detin e Zi.

Ukraina ka regjistruar rritje të viktimave në mesin e civilëve që nga dhjetori i vitit të kaluar, pasi Moska ka intensifikuar sulmet ajrore, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.

“Armiku nisi 20 sulme me dronë Shahed nga rajoni Primorsko-Akatarks i Rusisë dhe dy raketa kundërajrore S-300 nga rajoni rus i Belgorodit, afër Harkivit”, thanë Forcat Ajrore ukrainase përmes një postimi në rrjetet sociale.

Forcat ajrore ukrainase thanë se shteti ka përdorur raketa dhe njësitë mobile të mbrojtjes ajrore në rajonet jugore, përfshirë në Dnipro.

Ukraina po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurtin e vitit 2022. Që nga nisja e luftës, Perëndimi e ka furnizuar Kievin me armë të ndryshme, në mënyrë që të përballet me forcat ruse, ndërkaq ndaj Moskës janë vendosur një sërë runde sanksionesh.

Lufta me Rusinë, Soltenberg bën paralajmërimin e fortë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshkruar situatën në fushën e betejës në Ukrainë si jashtëzakonisht të vështirë për ushtrinë ukrainase dhe ka bërë thirrje që të mos nënvlerësohet Rusia.

"Situata në fushën e betejës është jashtëzakonisht e vështirë. Rusët tani po shtyjnë në shumë vija të frontit. Dhe sigurisht, ofensiva e madhe që ukrainasit nisën verën e kaluar nuk dha të gjitha rezultatet që të gjithë shpresonim. Dhe ne shohim se si është Rusia tani po rritet. Rusia po e shtyn ofensivën e saj. Dhe kjo është serioze dhe nuk duhet të nënvlerësojmë kurrë Rusinë”, tha ai në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. 

Forumi Ekonomik Botëror është një organizatë joqeveritare zvicerane që mblidhet çdo vit për të diskutuar çështje aktuale që lidhen me politikën, ekonominë dhe jetën publike.

Takimi i 54-të vjetor i WEF do të mbahet në Davos nga 15 deri më 19 janar me temën "Rindërtimi i besimit", raporton Tass.

Ai mbledh së bashku drejtues biznesi, udhëheqës politikë dhe ekspertë nga më shumë se 120 vende (gjithsej 2800 pjesëmarrës). Pala ruse nuk është e përfaqësuar në takimin aktual në Davos, pasi organizatorët nuk i kanë dërguar ftesë, ashtu si në vitin 2023.

Macron i Francës do të udhëtojë në Ukrainë në shkurt për të finalizuar marrëveshjen dypalëshe të sigurisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të martën se do të udhëtojë në Ukrainë në shkurt për të finalizuar një marrëveshje dypalëshe të garancisë së sigurisë dhe Parisi do të dorëzojë armatim më të sofistikuar në javët e ardhshme.

Udhëtimi vjen në një kohë kur përplasjet politike në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë mbajtur dy paketa të mëdha ndihme për Ukrainën.

Franca ka punuar për të përfunduar një marrëveshje dypalëshe të garancisë së sigurisë me Ukrainën për të ndihmuar në rritjen e financave dhe mbrojtjes së saj kundër Rusisë me synimin për të frenuar Moskën nga agresioni i ardhshëm.

Macron tha se rreth 40 raketa me rreze të gjatë veprimi Scalp dhe qindra bomba do të dorëzohen në javët e ardhshme.

“Me këto dërgesa, unë do të shkoj vetë në Ukrainë në shkurt dhe do t’i finalizoj këto,” tha Macron në një konferencë shtypi, duke shtuar se evropianët do të duhet të sigurojnë që Ukraina të vazhdojë të mbrohet kundër Rusisë.

Kievi po kërkon të mbajë flukse ndihme ushtarake dhe financiare nga aleatët e tij perëndimorë pas gati dy vjetësh luftimi të një pushtimi rus në shkallë të plotë, shkruan Reuters.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat