Një gjykatë italiane ka dënuar me 20 vjet burg një oficer të lartë të marinës për spiunazh për Rusinë.
Kapiteni 58-vjeçar Walter Biot u shpall fajtor për spiunazh dhe ryshfet nga gjykata pasi u kap nga karabinierët italianë ndërsa u dorëzonte dokumente sekrete zyrtarëve të ambasadës ruse në një qendër tregtare në Romë në mars të vitit 2021, njoftoi Agjencia shtetërore e lajmeve ANSA të premten në mbrëmje.
Ky ishte dënimi i dytë i dhënë për Biot, i cili u shpall fajtor në mars 2023 nga një gjykatë ushtarake dhe u dënua me 30 vjet burg. Duke komentuar vendimin, avokati i Biot, Roberto De Vita, këmbënguli se klienti i tij është i pafajshëm.
Në mars 2021, Italia dëboi dy zyrtarë të ambasadës ruse në lidhje me rastin. /AA