Sllovakia kundërshton pranimin e Ukrainës në NATO dhe është e gatshme të vërë veton ndaj këtij vendimi nëse është e nevojshme, tha sot kryeministri sllovak Robert Fico në radion publike RTVS.
Fico tha se do të udhëtonte në Ukrainë të mërkurën për të takuar homologun e tij Denis Shmihal në qytetin kufitar të Uzhhorod.
Dhe ndërsa një nga arsyet e vizitës është për të paraqitur një paketë të mëtejshme ndihme për Ukrainën, ai gjithashtu dëshiron të bëjë të qartë se pozicioni i Sllovakisë ndryshon nga dëshirat e Ukrainës, tha kryeministri.
“Unë do t’i them atij se ne do të bllokojmë dhe do të vëmë veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO, sepse kjo nuk do të ishte gjë tjetër veçse baza për luftën e tretë botërore”, potencoi Fico.
Sllovakia, e cila u bë anëtare e NATO-s në vitin 2004, ka qenë një nga avokueset më të forta të mbrojtjes së Ukrainës kundër pushtimit rus të nisur në shkurt të vitit 2022.