LIVE: Rusia e ‘dobët’ përballë Ukrainës, rrëzohen 8 dronë rusë – Lavrov vjen me deklaratën drejtuar Perëndimit!

Evropë

LIVE: Rusia e ‘dobët’ përballë Ukrainës, rrëzohen 8 dronë rusë – Lavrov vjen me deklaratën drejtuar Perëndimit!

Nga: Bota sot Më: 22 janar 2024 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 20:44 më 22.01.2024
Foto ilustrim

Lavrov: Perëndimi duhet të marrë në konsideratë qëndrimin e Rusisë për Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka këshilluar Perëndimin që të shqyrtojë me kujdes qëndrimin e Rusisë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Të gjitha këto formula janë një rrugë drejt askund”, tha Lavrov, duke komentuar “formulën e paqes” të presidentit ukrainas Vladimir Zelensky, shkruan Tass.

Sa më shpejt që Uashingtoni, Londra, Parisi dhe Brukseli ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të jetë si për Ukrainën ashtu edhe për Perëndimin, të cilëve ‘kryqëzata’ kundër Rusisë tashmë ka krijuar rreziqe të dukshme, reputacionale dhe ekzistenciale. Unë ju këshilloj ta dëgjoni këtë. me kujdes derisa ka ende kohë”, deklaroi Lavrov në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Ukrainë.

Kryediplomati rus kishte mbërritur në selinë e OKB-së për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të kërkuar nga Rusia.

Rusia po shqyrton konfiskimin e pasurisë së atyre që “shpifin” për ushtrinë

Parlamenti rus filloi sot shqyrtimin e një projektligji që do t’i jepte shtetit fuqinë për të konfiskuar pronën e njerëzve të akuzuar për shpifje ndaj ushtrisë ruse ose nëse bëjnë thirrje publike për veprime që minojnë sigurinë e shtetit.

Ky veprim është krahasuar me retorikën e diktatorit Josif Stalin dhe mund të ketë ndikim te mijëra rusë që kanë folur kundër ndërhyrjes ushtarake së Moskës në Ukrainë.

Kritika për “operacionin special ushtarak”, siç e quan Moska luftën në Ukrainë, është cilësuar si një krim në Rusi që kur filloi pothuajse dy vjet më parë, por projektligji i ri synon t’i bëjë dënimet edhe më të ashpra.

Për shembull, do të lejonte shtetin të konfiskonte pronat e rusëve që janë larguar nga vendi dhe kanë kritikuar luftën, por vazhdojnë të mbështeten në të ardhurat nga dhënia me qira e shtëpive ose apartamenteve të tyre në Rusi.

Kryetari i Dumës së Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit rus, Vychislav Volodin, një aleat i ngushtë i Putinit, tha: “Të gjithë ata që përpiqen të shkatërrojnë Rusinë, e tradhtojnë atë, duhet të ndëshkohen në përputhje me rrethanat dhe t’i kthejnë dëmet vendit në formën e pronës së tyre,” tha ai duke shpallur prezantimin e projektligjit.

Ukraina rrëzon 8 dronë rusë, Moska akuzon Kievin për sulm ndaj civilëve

Ushtria ukrainase njoftoi të hënën se zmbrapsi sulme ruse në disa pjesë të vendit gjatë natës, ndërsa zyrtarët rusë akuzuan forcat ukrainase se bënë një sulm të rëndë ndaj një qyteti të kontrolluar nga rusët në Ukrainën lindore.

Sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tetë dronë të lëshuar nga Rusia, në rajonet Mykolaiv, Kherson dhe Dnipropetrovsk.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Ukraina sulmoi pa dallim infrastrukturën civile me bombardimet e së shtunës në qytetin Donetsk, ku u vranë të paktën 27 persona.

Zoti Peskov tha gjithashtu të hënën se Rusia po merr masat e duhura pas një sulmi të dyshuar ukrainas ndaj një terminali për furnizimin me karburant në Detin e Zi.

Në një deklaratë të OKB-së thuhet se sekretari i përgjithshëm i saj dënon të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, përfshirë bombardimin e qytetit Donetsk në Ukrainë.

“Sulmet ndaj civilëve dhe instrastrukturës civile janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, thuhet në deklaratën e OKB-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nuk foli për sulmin gjatë fjalimit të tij të mbrëmjes, por tha se në një ditë të vetme, Rusia bombardoi mbi 100 qytete dhe fshatra në nëntë rajone të Ukrainës dhe se sulmet në rajonin Donetsk kishin qenë “më brutalet”.

Zoti Zelensky gjithashtu shtoi se Rusia do të mbajë përgjegjësi për të gjithë këtë terror. “Nëse Moska nuk do të kishte marrë vendimin për të filluar këtë agresion dhe këtë terror, mijëra dhe mijëra njerëz do të ishin gjallë sot”, tha presidenti ukrainas.

Kompania e dytë më e madhe ruse e prodhimit të gazit natyror, Novatek, njoftoi të dielën se u detyrua të ndërpresë disa operacione në terminalin e madh të eksporteve në Detin Balltik, për shkak të një zjarri, që mediat ukrainase thanë se ishte shkaktuar nga një sulm me dron.

Kompleksi gjigant Ust-Luga, i ndodhur në Gjirin e Finlandës, pranë kufirit me Estoninë dhe rreth 170 kilometra në perëndim të Shën Petersburgut, nga ku nisen drejt tregjeve ndërkombëtare.

Zelensky propozon dhënien e nënshtetësisë ukrainase për të huajt që mbrojnë vendin

Volodymyr Zelenskiy propozoi sot që t’u lejohet luftëtarëve të huaj dhe atyre me origjinë ukrainase t’u jepet shtetësia ukrainase pa pasur nevojë të heqin dorë nga shtetësia e tyre tjetër, në një ndryshim gjithëpërfshirës në ligjin ukrainas që ndalon dikë që të ketë dy nënshtetësi.

Presidenti i Ukrainës tha se nga kjo reformë do të përfitojnë “luftëtarët e huaj që erdhën për të mbrojtur Ukrainën, ata që po luftojnë për lirinë e Ukrainës, sikur të ishte atdheu i tyre”.

“Gjithashtu edhe personat me origjinë ukrainase dhe pasardhësit e tyre në mbarë botën do të kenë shtetësinë tonë, me përjashtim natyrisht të qytetarëve të shtetit agresor”, shtoi ai.

Mijëra të huaj shkuan në Ukrainë për të luftuar pasi Rusia pushtoi më 24 shkurt 2022. Moska i quan ata mercenarë dhe si provë se NATO po bën një luftë prokure kundër saj.

Kremlini: Nuk kemi biseduar me Trump për Ukrainën

Kremlini nuk ka pasur asnjë kontakt me kandidatin presidencial të SHBA-së, Donald Trump për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov tha se udhëheqja ruse nuk e kishte idenë sesi Trump do të mund të zgjidhte çështjen në rast se do të fitonte. Trump vazhdimisht ka shprehur admirim për Vladimir Putin.

Në një intervistë të fundit, ai shprehu gjithashtu shqetësimin për dërgimin e armëve  në Ukrainë, duke thënë se nuk kishin municione për veten.

Rikujtojmë se gjatë deklaratave të tij të mëparshme, Trump ka shprehur bindjen se nëse do të ishte president do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve.

I ndali për kontroll rutinore, ushtarin rus e rrahin çeçenët e Kadyrovit që ishin në vetura civile në Melitopol

Në Melitopolin e pushtuar nga rusët në Ukrainë, ka ndodhur një përplasje verbale mes ushtarëve rusë dhe atyre të Ramzan Kadyrovit, liderit çeçen.

Derisa ishin duke lëvizur me vetura civile njerëzit e besueshëm  të Kadyrovit që konsiderohet si marionetë e presidentit rus Vladimir Putin, në një pikë kontrolli ushtria ruse u kërkoi dokumentacionin.

E brenda veturës së parë gjendej pikërisht komandanti i batalionit çeçen Vostok Akhmat, Vakha Khambulatov i njohur si Akhab.

Pamjet e publikuar në Telegram por edhe në platformat tjera, shihet se ushtarët e Kadyrovit nuk pajtohen që ishin ndalur për kontroll rutinore nga ushtarët rusë.

Derisa i kontrollonte dokumentet që ia dorëzoi ushtarit rus që pretendonte se e dëshmonin se ishte epror i lartë, Khambulatov në një moment humb durimin dhe del jashtë duke iu vërsulur.

Pasi që dokumentet nuk ishin valide, ushtari kërkoi sqarime shtesë, por pjesëtarët e tjerë të batalionit çeçen nxorën armët dhe ua drejtuan ushtarëve rusë.

Në një moment ia drejton revolen në kokë ushtarit rus, kurse pjesëtarët e tjerë të grupit çeçen fillojnë ta godasin pamëshirshëm ushtarin e Putinit.

Kryeministri sllovak: Ukraina duhet të heq dorë nga një pjesë e territorit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë

Kryeministri sllovak Robert Fico ka thënë se dhënia e një pjese të territorit ukrainas Rusisë, është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, dhe përsëriti se është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, shkruan Politico.

“Duhet të ekzistojë një lloj kompromisi. Çfarë po presin, që rusët do të braktisin Krimenë, Donbasin dhe Luhanskun? Është jo reale”, tha Fico për televizionin publik sllovak RTVS.

Fico mori detyrën në dhjetor të vitit të kaluar, pasi që partia e tij e majtë Smer fitoi në zgjedhjet e shtatorit me premtimin se do të ndalet së dërguari armë në Kiev, do të bllokojë anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO dhe do të kundërshtojë sanksionet ndaj Rusisë.

Para takimit të planifikuar me kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, Fico në një intervistë ka ripërsëritur kundërshtimin që Ukraina t’i bashkohet NATO-s.

“Do t’i them se jam kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe se do të vendosë veto”, shtoi kryeministri sllovak.

“Kjo do të ishte një arsye për Luftën e Tretë Botërore, asgjë tjetër. Ukraina nuk është vend i pavarur dhe sovran sepse është nën ndikimin dhe kontrollin total të Shteteve të Bashkuara”, tha Fico duke theksuar se Ukraina nuk do të merr nga Sllovakia “kurrfarë armësh”.

Sipas tij, Ukraina është një prej shteteve më të korruptuara në botë.

Madje kryeministri sllovak javën e kaluar mbështeti homologun hungarez Viktor Orban lidhur me bllokimin e pakos së ndihmës të BE-së për Ukrainën që kap vlerën e 50 miliardë eurove. 

Moska fajëson Ukrainën për sulmet që vranë 28 persona ​​në Donetsk

Sulmet vranë të paktën 28 ​​njerëz dhe plagosën 30 të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë, pranë një tregu në qytetin e kontrolluar nga Rusia të Donetsk në Ukrainën lindore të dielën, sipas zyrtarëve rusë.

Moska fajësoi Ukrainën për sulmin, ndërsa Kievi mohoi përgjegjësinë, raporton CNN.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se një treg dhe dyqane në lagjen Kirovsky të qytetit ishin shënjestruar me sisteme të shumta raketash, me granatimet që thuhet se vinin nga drejtimi i Avdiivka. Kievi “ka kryer edhe një herë një akt barbar terrorist kundër popullatës civile të Rusisë”, tha ministria ruse. “Ka një numër të madh viktimash”.

Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se nuk ishin përgjegjëse për sulmet e bombardimeve.

“Rusët po përhapin [keq]informacione për grevën në një treg në Donetsk. Ne deklarojmë me përgjegjësi se forcat nën kontrollin e formacionit ushtarak Tavria nuk u angazhuan në operacione luftarake në këtë rast”, thuhet në një deklaratë në faqen në Facebook të komandës së forcave të armatosura Tavria.

“Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për jetët e ukrainasve të marrë”, thuhet në postim.

Presioni në mediat ukrainase kërcënon mesazhet e Zelenskyt drejt Perëndimit

Më 16 janar, një platformë pak e njohur, e quajtur E Vërteta e Njerëzve (The People’s Truth) ka publikuar incizime të telefonatave private në mes të disa ukrainasve, duke diskutuar blerjen e drogave siç janë marihuana, MDMA, dhe metamfetamina, si dhe një video, në të cilën janë parë disa njerëz duke përdorur narkotikë, në një shtëpi pushimi.

Personat në video kanë punuar si operatorë kamerash për Bihus.Info, një medium i pavarur për hulumtime, me bazë në Kiev, i cili ka publikuar disa prej analizave më të fuqishme për korrupsion për elitën ukrainase, në dekadën e fundit.

Duke e publikuar videon në kanalin e platformës People Truth në YouTube, me titullin “Ana tjetër e Bihus.Info”, videoja ka pasur për qëllim që të diskreditojë portalin, kanë thënë gazetarët ukrainas dhe vëzhguesit e mediave.

Dy ditë më herët, disa burra të paidentifikuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në shtëpinë e Yuriy Nikolovit, kryeredaktorit të Nashi Hroshi, një faqeje tjetër online, të njohur për analiza të thella për shpenzimet qeveritare.

Ata kanë kërkuar që Nikolovi t’i bashkohet ushtrisë për të luftuar kundër pushtimit rus.

Këto raste janë pjesë e një serie të fushatave me presion që shënjestrojnë gazetarët ukrainas, duke rritur shqetësimet për një problem sistematik. Kërcënimet zakonisht bëhen prej llogarive anonime në mediat sociale si Telegrami, duke e bërë të vështirë që të gjendet fajtori.

Mediumet e ndryshme dhe grupet vëzhguese dyshojnë për përfshirje qeveritare, përfshirë administratën e presidentit Volodymyr Zelensky.

Daria Zarivna, këshilltare e lartë për Andriy Yermakun, shefin e stafit të presidentit Zelensky, e ka hedhur poshtë mundësinë për lidhje të pushtetit me kanalet anonime në Telegram.

Dy incidentet vijnë në një moment kritik për Zelenskyn, i cili po tenton të bindë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën që të vazhdojnë të ndajnë ndihmë për Ukrainën, që ky vend të mund të luftojë pushtimin rus.

Zelensky e ka përsëritur disa herë në Uashington, Bruksel dhe kryeqytetet perëndimore se kombi i tij është në front të luftës, në betejën botërore në mes të demokracive dhe regjimeve autoritare.

Një paketë për shpenzime, që përfshin rreth 61 miliardë dollarë, kryesisht si ndihmë ushtarake për Ukrainën, është bllokuar në Kongresin amerikan që tre muaj.

Teksa gjërat brenda Ukrainës nuk janë në momentin më të mirë, disa ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kanë përmendur disa shqetësime për korrupsionin dhe nivelin e demokracisë në Ukrainë.

“Ne, si shtet, jemi duke mbrojtur demokracinë, duke mbrojtur vlerat. Ne jemi demokraci duke e luftuar djallin. Dhe sërish, përballemi me kësi gjërash që janë në kundërshtim me vlerat që ruajmë”, ka thënë Oksana Romanyuk, drejtore në Institutin për Informim Masiv, me bazë në Kiev, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Denys Bihus, themelues i Bihus.Info, ka thënë se rishikimi i videove dhe thirrjeve telefonike, të postuara nga platforma The People’s Truth, sinjalizon që punëtorët e saj kanë qenë nën vëzhgim nga më shumë se 30 individë për disa muaj, nëse jo vite.

Ai ka thënë se dikush ka instaluar kamera vëzhgimi në dhomë, një ditë pasi që punëtorët kanë arritur në pushimore. Bihus ka thënë se dyshon që shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë qenë mbrapa vëzhgimit.

Autoritetet për zbatim të ligjit kanë nisur hetime për incidentin.

Nikolov, po ashtu, e ka akuzuar shtetin se ka qenë mbrapa vizitës kërcënuese në banesën e tij, duke e quajtur atë veprim “përgjigje qeveritare ndaj kritikave për presidentin”.

Nikolov ka publikuar një prej materialeve më të fuqishme më 2023 në Ukrainë, kur ka raportuar se Ministria e Drejtësisë ka blerë vezë për trupat ushtarake, me çmim të fryrë.

Ky skandal korrupsioni ka ngritur pyetje për mënyrën si është duke u shfrytëzuar ndihma e Perëndimit, dhe ka detyruar Zelenskyn që t’i shkarkojë disa zyrtarë.

‘Veprime ilegale’

Yaroslav Yurchyshyn, zëvendës i partisë opozitare Holos, dhe udhëheqës i Komitetit për Liri të Shprehjes në Parlamentin e Ukrainës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incizimet dhe vëzhgimet e punëtorëve të Bihusit, kanë qenë “veprime ilegale” dhe ka bërë thirrje për hetime.

Mediarukh, organizatë që përbëhet prej gazetarëve dhe ekspertëve të mediave, i ka quajtur këto veprime, “shkelje e pastër e të drejtës së gazetarëve për privatësi”, dhe ka thënë se ata po minojnë kredencialet demokratike të Ukrainës.

Gjatë një deklarimi më 17 janar, Zelensky ka thënë se presioni ndaj gazetarëve është i “papranueshëm”.

Disa orë më vonë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, ka thënë se ka nisur hetime për veprimet që kanë shënjestruar Bihus.Info.

Mirëpo disa gazetarë dhe analistë mediash janë duke kërkuar më shumë.

Romanyuk i ka bërë thirrje Zelenskyt që personalisht të mbikëqyrë hetimin për këto incidente.

Për dekada, kritikët qeveritarë kanë thënë se sistemi i drejtësisë nuk funksionon në Ukrainë, kur bëhet fjalë për hetim dhe ndëshkim të krimeve të kryera prej njerëzve në pushtet.

Në deklaratën e 17 tetorit, Mediarukh ka thënë se edhe mediat tjera, përfshirë Ukrayinska Pravda, NV, Tsenzor, Vavilon dhe Liga.net, janë përballur me presion të ngjashëm.

Në disa raste është raportuar për sulme ndaj gazetarëve përmes kanaleve në Telegram.

Platforma The People’s Truth, e cila ka publikuar informacionin komprometues për Bihus.Info, duket se është faqe e rreme, sipas ekspertëve, dhe biografitë e stafit duhet se janë të krijuara rrejshëm.

Deri disa javë më parë, ajo nuk ka pasur asgjë të publikuar në llogarinë në YouTube, të cilën e ka që pesë vjet.

Romanyuk i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmet në media duket se janë sistematike.

Sipas saj, situata ngjan me ditët e presidentit të afërt me Moskën Viktor Yanukovych, kur shumë gazetarëve u është bërë presion gjatë protestave të vitit 2013-2014, të cilat kanë rezultuar me rrëzimin e tij prej pushtetit.

Mykyta Poturayev, udhëheqës i Komitetit parlamentar për Politika Informative dhe Humanitare, dhe anëtar i partisë së Zelenskyt, është pajtuar me këtë vlerësim.

“Kjo nuk ka ndodhur në shtetin tonë për kohë të gjatë. Kjo nuk ka ndodhur prej kohës së Yanukovychit”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Shqetësimet për media të lira

Edhe para valës së fundit të presionit kundër gazetarëve, ka pasur shqetësime për shkallën e lirisë në media, nën qeverisjen e Zelenskyt, aktorit komik që ka pasur në pronësi një kompani të suksesshme të produksonit televiziv.

Prej kur e ka shpallur kandidaturën për president në televizionin publik, më 31 dhjetor 2018, Zelensky shpesh ka mbajtur distancë me mediat ukrainase, duke preferuar që të japë mesazhet për publikun përmes rrjeteve sociale.

Ai rrallë mban konferenca për media me gazetarët lokalë.

Ai mund të bëhet, me raste, i ashpër, kur i bëhen pyetje të vështira nëpër konferenca.

Disa ditë pasi gazetari Yuriy Butusov është përfshirë në debat të nxehtë me Zelenskyn, në një konferencë më 2021, zyrtarë për zbatim të ligjit kanë nisur hetime për një postim të Butusovit në rrjetet sociale.

Butusov e ka konsideruar gjithë këtë si hakmarrje, diçka që autoritetet e kanë mohuar.

Zelensky është përballur edhe me manjatët, televizionet e të cilëve kanë qenë kritike për udhëheqësinë e tij.

Më 2021, kur ka pasur rënie të mbështetjes, Zelensky i ka mbyllur tri stacione televizive, që besohet se kanë qenë në pronësi të Viktor Medvedchuk, ndihmësit të presidentit rus, Vladimir Putinit, i cili më vonë është ndaluar nën akuzat për tradhti dhe është dërguar në Rusi në një këmbim të të burgosurve.

Stacionet, të cilat i ka mbyllur Zelensky, kanë qenë të akuzuara se kanë qenë vegla ruse.

Disa muaj më vonë, Zelensky e ka dërguar në parlament një projektligj kontrovers, që parashihte detyrim ndaj miliarderëve që kontrollonin mediat, që t’i shisnin asetet, nëse synonin të ishin pjesë e jetës politike.

Ekspertët patën ngritur dyshime se ligji do të mund të aplikohej vetëm në baza selektive.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, administrata presidenciale e ka miratuar masën e gjendjes së luftës për të fituar më shumë ndikimin edhe në media.

Katër stacione kryesore, që kanë qenë në duart e manjatëve, kanë bashkëpunuar me dy kanale shtetërore për të prodhuar vazhdimisht material për publikun.

Ndonëse programi i unifikuar u ka ndihmuar ukrainasve në ditët e para të luftës, disa ekspertë frikësohen se ky sistem po kthehet në mjet për Zelenskyn, i cili mund të synojë edhe një mandat presidencial, pasi të përfundojë lufta dhe të mbahen zgjedhjet.

Megjithatë, Ukraina ka shënuar përparim më 2023 në renditjen vjetore për liri të mediave.

Organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, e ka renditur Ukrainën në vendin e 79-të, në krahasim me vendin e 106-të, sa ka qenë vitin paraprak.

Mirëpo duke pasur parasysh që kanalet televizive transmetojnë program të lidhur kryesisht me luftën, fusha e gazetarisë hulumtuese në Ukrainë ka mbetur në duart e portaleve si Bihus, duke rrezikuar mbijetesën në treg, ndonëse me qëllim të diskutimit mbi korrupsionin dhe të forcimit të demokracisë./REL

Rusia pezullon operacionet në terminalin e eksportit të gazit pas sulmit të dyshuar me dron ukrainas

Prodhuesi më i madh rus i gazit natyror të lëngshëm, tha të dielën se ishte detyruar të pezullonte disa operacione në një terminal të madh eksporti në Detin Baltik për shkak të një zjarri të shkaktuar nga, siç thanë mediat ukrainase, një sulm me dron.

Kompleksi gjigant Ust-Luga, i vendosur në Gjirin e Finlandës rreth 170 kilometra në perëndim të Shën Petersburgut, përdoret për të transportuar produkte të naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare. Ai përpunon kondensimin e qëndrueshëm të gazit, thuhet sipas faqes së internetit të Novatek.

“Pala ruse dënon kategorikisht këtë sulm të pabesë kundër popullatës civile”, tha ministria.

Rusia, e cila filloi një pushtim të plotë të Ukrainës pothuajse dy vjet më parë, ka shprehur zemërim në të kaluarën kur sulmet ukrainase kanë vrarë civilë në Donetsk dhe zona të tjera. Megjithatë, fushata e sulmeve ajrore dhe granatimeve të rënda të Rusisë ka vrarë mijëra civilë ukrainas.

“Një sulm i suksesshëm në një terminal të tillë jo vetëm që shkakton dëm ekonomik për armikun, duke i privuar pushtuesit mundësinë për të fituar para për të bërë luftë në Ukrainë, por gjithashtu ndërlikon ndjeshëm logjistikën e karburantit për ushtrinë ruse.”

Reuters nuk mund të konfirmojë se zjarri ka ardhur nga një sulm me dron ukrainas.

Nëse do të ndodhte, një sulm i tillë do të demonstronte aftësinë e Kievit për të kryer sulme më thellë se zakonisht në Rusi.

Një sulm i tillë, i fundit në një seri sulmesh të dukshme në ditët e fundit që synojnë objektet energjetike ruse, do të ngrinte gjithashtu pyetje të sikletshme në lidhje me cilësinë e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore rreth objekteve kyçe të infrastrukturës.

Incidenti, së bashku me atë që Rusia thotë se ishte një sulm artilerie ukrainase ndaj civilëve në një qytet të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore që la të paktën 25 të vdekur, mund të nxisin një hakmarrje më të gjerë ruse në një luftë që nuk tregon asnjë shenjë përfundimi, shkruan Reuters

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat