LIVE: Lajm i keq nga Amerika për Ukrainën, ja vendimi i fundit i Pentagonit; kryeministri sllovak shokon me deklaratën

Evropë

LIVE: Lajm i keq nga Amerika për Ukrainën, ja vendimi i fundit i Pentagonit; kryeministri sllovak shokon me deklaratën

Nga: Bota sot Më: 23 janar 2024 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 20:57 më 23.01.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Pentagoni njofton se nuk ka më fonde për Ukrainën

Për herë të parë që kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ngriti grupin ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën në prill të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara po mirëpresin 50 shtetet pjesëmarrëse në takimin mujor të radhës pa buxhet dhe pa mundësinë për të dërguar municion dhe raketat që i duhen Ukrainës për t’iu kundërpërgjigjur sulmit rus.

Ndërkohë që pritet që Kongresi të miratojë buxhetin dhe ndoshta më shumë fonde për luftën e Ukrainës, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që aleatët do të vazhdojnë ta plotësojnë boshllëkun e krijuar.

“E nxis këtë grup që të shkojë një hap më tutje për t’i dhënë Ukrainës më shumë sisteme mbrojtëse tokësore dhe raketa mbrojtëse që shpëtojnë jetë”, deklaroi Sekretari Austin në fjalimin e hapjes të mbajtur nga shtëpia, ku po shërohet nga një ndërhyrje kirurgjike për kancerin e prostatës. Deklarata e bërë me video ishte paraqitja e parë publike e zotit Austin, i cili dukej pak më i dobësuar. Sekretari Austin, 70 vjeç, qëndroi në spital për dy javë për shkak të komplikimeve pas operimit.

Të martën në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi për një kontratë të re të përbashkët në vlerë prej 1.2 miliardë dollarësh për të blerë mbi 222,000 predha municioni 155 milimetërshe. Ky lloj predhash janë ndër municionet më të përdorur në këtë konflikt dhe kontrata do të shfrytëzohet për të furnizuar aleatët, të cilët ia kanë dhënë ndërkohë Kievit rezervat e tyre .

“Edhe pse nuk jemi në gjendje të ofrojmë aktualisht ndihmë sigurie, partnerët tonë do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, u tha gazetarëve të hënën zëvendës-zëdhënësja e Pengatonit, Sabrina Singh.

Ndërkohë që vëmendja është përqëndruar që nga tetori në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, lufta e përgjakshme e Rusisë ndaj Ukrainës ka vazhduar.

Rusia të martën ka sulmuar dy qytetet më të mëdha të Ukrainës me mbi 40 raketa me rreze të gjatë veprimi, të nisura nga anijet dhe aeroplanët luftarakë, duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe duke vrarë të paktën pesë persona. Sulmi ndodhi një ditë pasi Moska refuzoi idenë e një marrëveshje që mbështetet nga Kievi dhe aleatët perëndimorë për t’i dhënë fund luftës dy vjeçare.

Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të ndalë të paktën 21 raketa, por sulmet lanë të paktën 20 persona të lënduar në katër lagje të Kievit.

Ukraina ka nevojë të madhe për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municion, deklaroi zëdhënësja Singh.

Pentagoni njoftoi ndihmën e fundit amerikane të sigurisë për Ukrainën më 27 dhjetor, në vlerë prej 250 milionë dollarësh, që përfshiu predha 155 mm, raketa kundër-ajrore “Stinger” dhe disa lloje tjera municioni, të cilat Shtetet e Bashkuara i morën nga rezervat ekzistuese amerikane.

Që atëherë Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë municion shtesë për shkak se paratë për të kompensuar rezervat janë shpenzuar dhe Kongresi ende nuk ka miratuar fonde të tjera.

Mbi 110 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe Izraelin mbetet e bllokuar për shkak të mospajtimeve ndërmjet Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë rreth përparësive politike, përfshirë edhe për sigurimin e kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës mbi 44.2 miliardë dollarë në formën e ndihmës së sigurisë që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Rreth 23.6 miliardë dollarë janë armatim që është tërhequr nga rezervat ekzistuese ushtarake dhe gati 19 miliardë dollarë janë realizuar në formë të kontratave afatgjata ushtarake, për pajisje për të cilat duhen muaj për t’i porositur. Edhe pse fondet janë shpenzuar, disa nga armët e blera më herët do të vazhdojnë të mbërrijnë në Ukrainë. Një shumë prej 1.7 miliardë dollarësh është siguruar nga Departamenti amerikan i Shtetit në formën e financimit ushtarak për vendet e huaja.

Shtetet e Bashkuara dhe rreth 30 partnerë ndërkombëtarë po vazhdojnë të stërvisin forcat ukrainase dhe deri më tani kanë stërvitur 118,000 ukrainas nëpër lokacione të ndryshme të botës, sipas zëdhënësit të Komandës amerikane për Evropë dhe Afrikën, Marty O’Donnnell.

Shtetet e Bashkuara kanë stërvitur rreth 18,000 prej tyre, përfshirë rreth 16,300 ushtarë në Gjermani. Rreth 1,500 të tjerë janë aktualisht duke ndjekur programe përgatitore.

Ku është gjenerali rus Valery Gerasimov, i cili nuk është parë që nga dhjetori?

Gjenerali më i lartë i Rusisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov nuk është parë në publik këtë vit, kurse  Kremlini ende nuk është përgjigjur ndaj thashethemeve për vdekjen e tij që filluan të përhapen pas sulmeve ukrainase në Krime, shkruan Newsweek.

Përdoruesit e mediave sociale filluan të pyesin për vendndodhjen e Gerasimov, i cili është në krye të operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, pasi Kievi njoftoi më 4 janar se kishte goditur një post komandë ushtarake ruse pranë Sevastopolit dhe një njësi ushtarake pranë qytetit të Yevpatoria.

Pas sulmit, thashethemet filluan të përhapen në Twitter dhe Telegram se Gerasimov ishte vrarë në sulm, ku përdoruesit shpërndanë një imazh që pretendohej të tregonte një mesazh të postuar nga një kanal rus në Telegram i quajtur Ordinary Tsarism, i cili ka më shumë se 34,000 abonentë.

Në mesazhi në fotografi thuhej: “Sipas të dhënave paraprake, Valery Gerasimov, i cili ishte në një post komandë pranë Sevastopolit në kohën e sulmit, u vra në sulmin në Krime”.

Megjithatë, Newsweek shkruan se hetimi i tyre ka treguar se mesazhi nuk është autentik.

Megjithëse nuk ka prova konkrete që sugjerojnë se Gerasimov u vra në sulmin në Krime, shumë njerëz po pyesin pse Kremlini nuk ka folur ende.

Gerasimov u pa për herë të fundit në publik më 29 dhjetor, kur u filmua duke shpërndarë çmime shtetërore për personelin ushtarak që “u dallua” gjatë pushtimit të Marinkas në rajonin Donetsk të Ukrainës, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

Që atëherë, ai nuk është cituar apo përmendur nga mediat shtetërore dhe as nuk është parë në publik.

Në tekstin e titulluar “Ku është gjenerali Gerasimov dhe pse ka rëndësi?” të botuar të dielën e kaluar në Kyiv Post, koloneli në pension i ushtrisë amerikane Jonathan Sweet dhe ish-ekonomisti Mark Toth, shkroi se ndërsa është e dyshimtë që Gerasimov ka vdekur, heshtja e Moskës rreth asaj se çfarë po ndodh me të është interesante.

Vitin e kaluar, kur Gerasimov nuk u pa në publik për javë të tëra pas një rebelimi të dështuar të udhëhequr nga shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, pati gjithashtu zëra se ai ishte zhdukur, me disa spekulime se ishte shkarkuar.

Kremlini më pas hodhi poshtë thashethemet dhe publikoi një video që e tregonte atë në detyrë në Ukrainë, vetëm një javë pasi filluan thashethemet.

Jaanika Merilo, një novatore e teknologjisë dhe reformatore estonezo-ukrainase, shkroi në X në fillim të këtij muaji, se ajo nuk mendon se Gerasimov ka vdekur, “pavarësisht thashethemeve ose mendimeve të dëshiruara”.

“Gerasimov e ka zakon të humbë herë pas here. Në verë u përfol se ishte vrarë ose të paktën u plagos. Nuk ka asnjë provë për këtë. Pas rebelimit të Prigozhinit, ai u zhduk për javë të tëra dhe më pas u rishfaq. Nuk ka arsye të mendoj se ai nuk do të shfaqet më”, ka shkruar ajo.

Kryeministri sllovak: A besoni vërtet se ka luftë në Kiev, mos bëni shaka ju lutem

Një ditë para takimit të tij të parë me kryeministrin ukrainas dhe vetëm disa orë pasi raketat ruse ranë në Kiev, kryeministri sllovak Robert Fico, ka këmbëngulur sot se jeta në kryeqytetin ukrainas zhvillohet “krejt normal” dhe se nuk ka luftë, shkruan Reuters.

Fico, i cili mori detyrën në tetor dhe ndryshoi kursin e politikës së jashtme të Sllovakisë për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën, po fliste në një konferencë për media në lindje të Sllovakisë.

Ai është planifikuar të takohet me homologun e tij ukrainas Denis Shmyhal në qytetin perëndimor të Ukrainës, Uzhhorod.

Gazetari e pyeti Ficon nëse do të ishte e përshtatshme që ai të udhëtonte në Kiev për të kuptuar më mirë luftën e Ukrainës me Rusinë, e cila po i afrohet vitit të dytë që nga pushtimi rus.

“Ka një konflikt që është i lokalizuar”, u përgjigj Fico, duke pyetur: “Vërtet beson se ka një luftë në Kiev? Po tallesh, të lutem, shpresoj të mos jesh serioz. Shko atje dhe do të shohësh jetën normale që po zhvillohet në qytet, një jetë krejtësisht normale”.

Ai shtoi se është më praktike të takohet në Uzhgorod, të cilin ai tha se u zgjodh nga pala ukrainase pasi Fico fillimisht donte një takim në kufirin e përbashkët të dy vendeve.

Fico ka bërë më parë deklarata që pasqyronin qëndrimin e tij pro-rus. Shumë udhëheqës të tjerë të huaj udhëtuan për në Kiev – me tren, për shkak të kërcënimit të sulmeve ajrore – për të shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Që nga fillimi i luftës, në Kiev janë aktivizuar 967 sirena që paralajmërojnë sulme ajrore, për një total prej 1133 orësh.

Transporti publik u pezullua gjatë momenteve të tilla dhe metroja dhe zonat e tjera nëntokësore shërbyen si strehimore.

Sulmet ajrore prishën sërish paqen e mëngjesit të Kievit të martën, me zyrtarët që thanë se 20 persona, përfshirë një djalë 13-vjeçar, u plagosën. Të paktën gjashtë persona vdiqën në sulmet në qytete të tjera.

Dhe ndërsa Fico pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, ai lejoi prodhuesit sllovakë të armëve dhe municioneve të vazhdojnë shitjet e tyre në Ukrainë.

Ai tha se ndihma ushtarake vetëm e zgjat luftën dhe se paqja kërkon kompromise – pavarësisht pikëpamjeve ukrainase dhe perëndimore se Ukraina do të bjerë pa mbështetjen ushtarake perëndimore.

Fico tha se Ukraina mund të marrë fondet e BE-së dhe mbështeti me kusht anëtarësimin e Ukrainës në BE, por tha se do të bllokonte përpjekjen e vendit për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.

Ukrainasit arrijnë të rrëzojnë raketën ruse me mitralozin amerikan Browning – publikohen pamjet e këtij aksioni

Ushtria ukrainase gjatë mbrëmjes së kaluar ka arritur të rrëzojë një raketë ruse me ndihmën e një mitralozi tejet të fuqishëm.

Siç raporton Newsweek, këtë e konfirmoi komandanti i forcave ukrainase Serhiy Nayev.

“Në zonën operative të veriut grupet mobile kanë arritur të shkatërrojnë disa raketa ruse. Njëra prej tyre është shkatërruar me mitralozin amerikan Browning”, pretendon komandanti ukrainas.

Nayev ka publikuar edhe videon e rrëzimit të raketës ruse. E forcat ajrore të Ukrainës më herët kishin paralajmëruar për mungesë të raketave kundërajrore.

Rusia sot filloi një seri të re të sulmeve raketore në Ukrainë, ku cak ishin Kievi, Dnepropetrovska, Kharkivi dhe Sumska.

Stoltenberg: Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga Rusia ndaj anëtarëve të NATO-s

NATO nuk sheh ndonjë kërcënim ushtarak nga Rusia ndaj asnjë anëtari të aleancës, por do të vazhdojë me operacionin e parandalimit përmes stërvitjes së ardhshme ushtarake “Steadfest Defender”, më e madhja në dekadat e fundit, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se aleanca po i bën të gjitha këto për të hequr çdo keqkuptim në Moskë për gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj.

“Për sa kohë që ne e bëjmë këtë, nuk do të ketë sulme në territorin e NATO-s,” tha Stoltenberg.

Rreth 90,000 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitjen e ardhshme Steadfest Defender 2024, e cila fillon në shkurt dhe do të zgjasë deri në maj.

Sulmet e pamëshirshme të Rusisë po rraskapitin forcat e paarmatosura ukrainase

Qyteti i vogël Avdiivka është bërë epiqendra e luftës në Ukrainë. Kryqi në majë të kishës së qytetit, i shkatërruar nga një shpërthim, tregon pasojat e sulmeve ruse.

Mes rrënojave, trupat ruse dhe ukrainase përplasen, duke përdorur dronët dhe tanket. Viktimat janë të shumta nga të dyja palët, por veçanërisht nga sulmuesit rusë.

Në 18 muaj luftime rreth qytetit, janë vrarë të paktën 1,500 rusë. Megjithatë, ata vazhdojnë të vijnë.

Viktimat ukrainase janë një sekret por beteja është kthyer në një rrëmujë , që përputhet me sulmet në dukje kaotike ruse kundër burimeve dhe fuqisë punëtore të kufizuar, por të vendosur të ukrainasve.

Në një udhëtim të papritur në Avdiivka në fund të dhjetorit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi betejën për qytetin si një “sulm”, duke shtuar se beteja në shumë mënyra “mund të përcaktojë rrjedhën e përgjithshme të luftës”.

Udhëheqësit e Ukrainës duken të vetëdijshëm për kritikat rreth mbrojtjes por rënies së mëvonshme të Bakhmutit në 2023 vazhdojnë.

“Çdo pjesë e tokës tonë është e çmuar për ne,” tha shefi i ushtrisë Valery Zaluzhny.

Në një mëngjes janari të mbuluar nga akulli, temperatura -22 gradë Celsius, CNN pa një ekip tjetër të trupave të forcave speciale Omega.

Megjithatë, mbështetja e SHBA-së për Ukrainën, duke përfshirë predha shumë të nevojshme nuk duket më e sigurt. Paketat e ardhshme të ndihmave janë ende në duart e Capitol Hill dhe fantazma e një presidence të mundshme të Trump që nuk e pranon ndihmën ndaj Ukrainës në horizont shton pasiguri të mëtejshme.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, e tha qartë këtë muaj: “Ndihma që ne dhamë tani është pezulluar. Sulmet që po kryejnë rusët janë vetëm në rritje”.

Jeta në qytetet e Ukrainës larg frontit duket relativisht e paprekur nga luftimet, të paktën në sipërfaqe.

Por rekrutimi është një temë delikate.

Presidenti ukrainas ka fuqinë për të zbatuar mobilizim të mëtejshëm, aktualisht i kufizuar për ata mbi 27 vjeç por ka zgjedhur të kërkojë miratimin parlamentar për të. Projektligji ngadalë dhe jo pa vështirësi pritet të shqyrtohet nga të ligjvënësit.

“Ekzistenca e Ukrainës është vdekjeprurëse për ukrainasit,” postoi në Telegram më 17 janar, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një nga politikanët më të ashpër rusë.

“Pse? Ekzistenca e një shteti të pavarur në territoret historike ruse do të jetë tani një pretekst i vazhdueshëm për rifillimin e aksioneve luftarake”, vazhdoi ai.

Ushtarët, të lodhur edhe pse rrallë të pakënaqur, pranuan se përforcimet do të siguronin fitore. Për momentin, megjithatë, kjo mbetet një shpresë e largët, pasi në Avdiivka lufta vazhdon.

“Ne po bëjmë gjithçka të mundshme dhe të pamundur për të mbajtur këtë linjë,” tha oficeri i Forcave Speciale Omega, “Sayer” për CNN.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas,” tha ai. “ Por Avdiivka po reziston. Ne jemi në tokën tonë. Nuk kemi asgjë për të humbur.”

Këshilltari kryesor i Zelenskyt tregon se cila është “situata në lidhje me kundërofensivën e ushtrisë ukrainase në luftën me Rusinë”

Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se kundërofensiva e ushtrisë ukrainase në luftën me Rusinë nuk i përmbushi pritjet ndërsa lufta vazhdon.

Ndërsa diskutoi për luftën në një intervistë me median e pavarur ruse Meduza, Mykhailo Podolyak tha se rezultatet e përpjekjeve të rezistencës së Ukrainës nuk ishin “ajo që prisnim”, por shtoi se Rusia “nuk ka bërë përparim të rëndësishëm”, shkruan Newsweek.

Kështu, ndërsa Kievi nisi kundërofensivën e tij, forcat ukrainase ishin të armatosura me armë perëndimore dhe shikuan “urën tokësore” ruse të territorit të pushtuar që lidh Moskën me Krimenë.

Por pothuajse dy vjet më vonë, ai korridor strategjik mbetet i paprekur, me qytetet e Ukrainës: Melitopol, Berdyansk dhe Mariupol ende në duart e Rusisë, dhe me Krimenë larg vijës së frontit.

Kjo ndodhi edhe pse kundërofensiva e vitit 2023 e Ukrainës kishte për qëllim t’i jepte një disfatë poshtëruese Rusisë.

Megjithatë, në dhjetor, Zelensky tha se operacioni i Kievit “nuk arriti rezultatet e dëshiruara”.

E komandanti i lartë ukrainas, gjenerali Valerii Zaluzhnyi në fund të vitit të kaluar iu referua frontit prej 600 miljesh si një “ngërç” midis forcave ruse dhe ukrainase, pavarësisht fitoreve të dukshme të Ukrainës në Detin e Zi dhe shkatërrimit të ngadaltë ndëshkues të imponuar ndaj ushtrisë pushtuese të goditur të Rusisë.

Ndërkohë në artikullin e Meduza, i cili u botua të hënën, zyrtari ukrainas u pyet për ngecjen e kundërofensive, me Podolyak që u përgjigj se ndërsa forcat ukrainase nuk arritën atë që shpresohej, ai beson se kjo nuk i jep Moskës një avantazh.

“Rezultatet e kundërofensive sigurisht që nuk janë ato që prisnim”, citohet të ketë thënë Podolyak. “Ka faktorë objektivë dhe subjektivë për këtë. Por sa i përket faktit që Rusia tani ka iniciativën, kjo nuk është kështu. Rusia është aty ku ishte një vit më parë; nuk ka bërë asnjë përparim të rëndësishëm”.

Këshilltari ukrainas tha se forcat e vendit të tij kanë pasur “suksese strategjike, kjo është punë efektive në Gadishullin e Krimesë dhe në Detin e Zi”.

Megjithatë, shtoi Podolyak, suksesi i forcave ukrainase varet kryesisht nga burimet e disponueshme të furnizuara nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

“Planet operacionale të komandës ukrainase përcaktohen nga disponueshmëria e burimeve të caktuara”, ka theksuar ai. “Sot është e qartë se çfarë burimesh nuk kemi mjaftueshëm. Ne kemi nevojë për predha artilerie, raketa me rreze të gjatë veprimi, drone dhe çdo lloj lufte elektronike. Ne kemi nevojë për një komponent aviacioni, sepse aviacioni taktik rus ka ende përparësi”.

Podolyak, megjithatë, tha se planet e Ukrainës mbeten “të pandryshuara”.

“Nuk ka asnjë rezultat të ndërmjetëm në këtë luftë”, tha ai. “Çdo territor i pushtuar që i mbetet Rusisë do të provokojë luftëra të mëvonshme”.

Lufta në Ukrainë, të tjerë civilë të vrarë dhe të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev dhe Kharkiv

Pesë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur në sulmet me raketa ruse që synonin kryeqytetin ukrainas Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv, sipas zyrtarëve.

Sipas mediave të huaja, ndërtesa banimi u goditën herët të martën në qytetin verilindor të Kharkiv, duke lënë tre persona të vrarë dhe 42 të tjerë të plagosur.

Ata përfshinin dy gra, 40 dhe 56 vjeçe.

Kryebashkiaku i qytetit tha se një pjesë e një blloku banesash u shkatërrua dhe punonjësit e shpëtimit po krehnin rrënojat për të mbijetuarit.

Në Kiev, zyrtarët thanë se një grua vdiq dhe disa njerëz të tjerë u lënduan kur një bllok banesash u përfshi nga flakët dhe një tjetër u dëmtua.

Shumica e viktimave ishin në rrethet qendrore Solomianskyi dhe Sviatoshynskyi perëndimore të Kievit.

Sarah Rainsford e BBC tha se sulmi ajror në Kiev vazhdoi për më shumë se dy orë e gjysmë, më i gjati që nga 2 janari.

Ndërkohë forcat ajrore të Ukrainës thanë se kishin shkatërruar 21 nga 41 raketat e lëshuara nga Rusia gjatë natës

Ukraina thotë se ka rrëzuar një raketë ruse Kh-59 mbi rajonin e Mykolaiv

Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës rrëzuan një raketë ajrore ruse Kh-59 të lëshuar nga një bombardues luftarak Su-34.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga shërbimi për shtyp i Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës, raporton Ukrinform.

“Gjatë një alarmi ajror në lidhje me aktivitetin e aviacionit taktik të armikut në jug të Ukrainës, një avion luftarak rus Su-34 lëshoi një raketë ajrore të drejtuar Kh-59. Forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan raketën mbi rajonin e Mykolayiv”, thuhet në deklaratë.

Sipas ushtrisë, mbeturinat e raketave goditën një ndërtesë që është jashtë funksionit, duke i djegur çatinë e saj.

Zjarrfikësit kanë shuar menjëherë flakët, shton raporti ndërkohë që nuk është raportuar për viktima.

Vladimir Putin gati të sulmojë në shumë fronte, dalin në dritë planet e presidentit rus për vitin 2024

“Erë lufte” midis Rusisë dhe NATO-s po fryn gjithnjë e më shumë në Evropë.

Pasi media gjermane “Bild” ekspozoi planin sekret të presidentit rus Vladimir Putin, për të bërë luftë kundër NATO-s në dhjetor, kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas u përgjigj për “The Times” në një intervistë, duke thënë se Evropa duhet të forcojë sigurinë e saj në tre deri në pesë vitet e ardhshme, në të cilën pikë Rusia mund të kërcënojë edhe një herë vendet në krahun lindor të NATO-s.

NATO po ashtu ka mobilizuar 90,000 njerëz deri në maj për manovrat e saj më kolosale që nga viti 1988.

Po ashtu edhe ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius ka thënë se është i sigurt se “Një ditë Putin do të sulmojë një vend të NATO-s”, duke theksuar: "Sipas ekspertëve tanë, kjo mund të ndodhë në pesë deri në tetë vjet". Sipas tij, “nuk ka gjasa”, por duhet të përfitojmë nga koha që kemi për të “tundur shoqërinë”.

“Erë lufte”

Në të njëjtën gjatësi vale është edhe spanjolli Josep Borrell , Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Gjithashtu një eksponent socialist, në marrjen e një diplome nderi nga Universiteti i Valladolidit, ai tha se Evropa "po përjeton tani një moment Demosteni ", duke iu referuar burrështetit të madh athinas, i cili, mbi 300 vjet para Krishtit, mobilizoi bashkëqytetarët e tij me fjalimet e famshme për të mbrojtur pavarësinë e Athinës, përballë kërcënimit të imperializmit maqedonas.

“Mendoj se është një krahasim i duhur, sepse tani është radha jonë të përballemi me imperializmin e një fuqie të madhe atomike, e cila jo vetëm kërcënon Ukrainën, por është një kërcënim ekzistencial për Bashkimin Evropian. Edhe pse duhet të pranoj se jo të gjitha shtetet anëtare e shohin këtë në këtë mënyrë."

Tre shtetet baltike, ndërkohë, kanë rënë dakord të pajisin kufijtë e tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë me "struktura mbrojtëse" për t'iu kundërvënë kërcënimeve të mundshme ushtarake, në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Estonisë.

Ofensiva e madhe në Ukrainë

Ndërkohë, Rusia duhet të arrijë në fund të Ukrainës, në një luftë që tashmë “ka ngecur” për gati dy vjet në një front të stilit të Luftës së Parë Botërore.

Sipas “Financial Times”, Moska po përgatit një ofensivë të madhe në verën e vitit 2024. Artikulli, i cili citon forcat ukrainase të sigurisë, shkruan se objektivi i ofensivës mund të jetë pushtimi i plotë i rajoneve Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhi .

Për më tepër, sipas autoriteteve, nuk përjashtohet një përpjekje tjetër për të pushtuar Kharkivin ose Kievin. Ndërkohë, megjithatë, Ukraina po ngacmon pushtuesin dhe ka marrë përgjegjësinë për sulmin e kohëve të fundit në një depo nafte në rajonin kufitar rus të Bryansk.

Një burim i inteligjencës ushtarake i tha AFP se një dron u hodh kundër depos, në një kohë kur Kievi ka shtuar sulmet e tij në territorin rus. Të enjten, Ukraina sulmoi një vend tjetër nafte në veri të Rusisë, në rajonin e Shën Petersburgut.

Sanksionet

Ukraina gjithmonë paralajmëron Perëndimin për mungesën e efektivitetit të sanksioneve. "Deri në 95% e komponentëve kritikë të prodhuar nga jashtë, të gjetura në armët ruse të shkatërruara në Ukrainë vijnë nga vendet perëndimore," shkruan Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në X.

Për përfaqësuesin e qeverisë së Kievit, është koha që fuqitë perëndimore të "marrin seriozisht" qëllimin e "mbytjes së aftësisë së Rusisë për të prodhuar armë". Në çdo rast, Kuleba nënvizon se ajo që i mundëson ushtrisë së Moskës të mbetet aktive në nivelet aktuale është veprimi i "kompanive private" dhe sigurisht jo i qeverive.

Për më tepër, "komponentët e eksportuar në Rusi" të aftë për të ndihmuar forcat e armatosura të vendit agresor "nuk janë domosdoshmërisht produkte ushtarake, por edhe produkte me përdorim të dyfishtë ose produkte civile, madje edhe pajisje shtëpiake", disa përbërës të të cilave do të ripërdoreshin për qëllime lufte.

Prandaj, shton Kuleba, “ndërprerja e furnizimit të Rusisë do të shpëtojë jetët e shumë civilëve në Ukrainë dhe do të shkatërrojë makinën luftarake të Putinit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat