​Rreth 200 mijë njerëz në Gjermani protestuan kundër AfD-së së ekstremit të djathtë

Evropë

​Rreth 200 mijë njerëz në Gjermani protestuan kundër AfD-së së ekstremit të djathtë

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 21:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pothuajse 200 mijë njerëz dolën sot në rrugë anembanë Gjermanisë, kryesisht në Berlin, për protesta kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilat mbahen për të katërtën javë me radhë.

Protesta u mbajtën edhe në Mainz, Dresden dhe Hanover.

Pothuajse 150.000 njerëz u mblodhën jashtë ndërtesës së parlamentit në Berlin nën sloganin "Ne jemi muri i zjarrit", duke protestuar kundër ekstremizmit të ekstremit të djathtë dhe duke treguar mbështetje për demokracinë.

"Qoftë në Eisenach, Hamburg apo Berlin: në qytete të vogla dhe të mëdha anembanë vendit, shumë qytetarë po mblidhen për të demonstruar kundër harresës, kundër urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes," shkroi kancelari gjerman Olaf Scholz në rrjetin social X.

Ai theksoi se protestat "janë një sinjal i fortë në favor të demokracisë dhe kushtetutës”.

Suksesi i AfD-së po shkakton shqetësim te partitë kryesore të Gjermanisë, të cilët kanë frikë se partia mund të fitojë zgjedhjet në tri lande lindore në shtator, megjithëse sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja për AfD-në ka rënë.

Jakob Springfeld, duke folur në emër të organizatës joqeveritare Rrjeti Solidariteti i Saksonisë, tha se ishte i shokuar që ishte dashur kaq shumë kohë që të zhvilloheshin protesta masive kundër ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh se AfD ishte tashmë e suksesshme në shumë komunitete më të vogla.

"Por tani ka pasur një zgjim. Dhe unë mendoj se zgjon shpresën," tha ai.

Sondazhi i Forsa tregoi se mbështetja për AfD ra nën 20 për qind për herë të parë që nga korriku, me të anketuarit që përmendën protestat masive kombëtare kundër të djathtës ekstreme si arsyen më të rëndësishme.

Sipas sondazhit, AfD është në vendin e dytë, pas konservatorëve të opozitës me 32 për qind, ndërsa socialdemokratët në pushtet janë në vendin e tretë me 15 për qind mbështetje.

Protestat shpërthyen pas raportimit të muajit të kaluar se anëtarë të lartë të AfD-së morën pjesë në një takim rreth planeve për dëbimin masiv të shtetasve me origjinë të huaj nga vendi. AfD mohon se ky propozim është politikë partiake.

Kreu i AfD, Tino Chrupalla, tha për Deutschlanfunk se ndërsa është "legjitime të protestosh kundër qeverisë në rrugë", protestuesit nuk duhet të lejojnë që ajo të përdoret për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit.

Chrupalla tha se Gjermania përfshin gjermanë me origjinë emigrante dhe se partia nuk ka në plan t'i dëbojë ata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat