LIVE: Rriten tensionet/ Rusia dhe Gjermania përplasen “dhëmbë për dhëmbë”; Putin dërgon avionët bombardues pranë SHBA

Evropë

LIVE: Rriten tensionet/ Rusia dhe Gjermania përplasen “dhëmbë për dhëmbë”; Putin dërgon avionët bombardues pranë SHBA

Nga: BOTA SOT Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 06:41 Përditësuar në ora: 06:38 më 07.02.2024
Një bombardues rus Tu-95 duke u rimbushur gjatë një ushtrimi ushtarak. Fotografi nga arkivi.

Biden i bën thirrje Kongresit që të miratojë ndihmën për Kievin

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë një projektligj për migrimin që përfshin edhe ndihmën për Ukrainën, përderisa ligjvënësit po përballen me presion politik nga kandidati kryesor presidencial republikan, Donald Trump, që të mos e miratojnë këtë ndihmë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden u tha ligjvënësve që të miratojnë masën, e cila sipas tij përfshin kërkesat e republikanëve për çështjet e migrimit, dhe që atë legjislacion t’ia dërgojnë atij që ta nënshkruajë në ligj. Ai theksoi nevojën urgjente për të miratuar ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus të nisur nga presidenti Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.

“Koha po kalon. Çdo javë, çdo muaj që kalon pa ndihmë të re për Ukrainën nënkupton se ata do të kenë më pak municione të artilerisë, më pak sisteme të mbrojtjes ajrore më pak mjete që të mbrojnë veten ndaj rusëve”, tha Biden.

Biden tha se ky është moment kritik, duke theksuar se Putini “po pret” që SHBA-ja të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën. Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Uashingtoni dështon të miratojë ndihmën për Ukrainën, ky do të ishte një gabim historik.

“Mbështetja e këtij projektligji nënkupton që të ngrihemi kundër Putinit. Kundërshtimi i legjislacionit është që të veprojmë në favor të tij [Putinit]. Bota po shikon”, tha Biden.

Ai shtoi se kostoja për amerikanët dhe aleatët e Uashingtonit vetëm se do të rritet, nëse kjo ndihmë nuk miratohet.

Biden ia la fajin Trumpit për mosmiratimin e legjislacionit në Senatin amerikan, duke thënë se ish-presidenti amerikan “mendon se kjo është gjë e keqe në aspektin politik për të”, prandaj nuk do të zgjidhë çështjen e kufirit në mënyrë që ta përdorë gjatë fushatës presidenciale të këtij viti.

Gjatë fundjavës, një grup senatorësh nga të dyja partitë njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për frenimin e kalimeve të paligjshme në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Biden tha se ky projektligj “do të vendosë reformat më të ashpra të sigurisë kufitare që janë vendosur ndonjëherë”.

Presidenti mbajti fjalimin e tij nga Shtëpia e bardhë pasi kishte indikacione se projektligji nuk do të kalonte, për shkak se senatorët republikanë që mbështesin Trumpin, shprehën mospajtimin e tyre për legjislacionin, duke thënë se masat për mbrojtje kufitare janë të pamjaftueshme./REL

Kritikoi Lavrov për deklaratat e tij, Rusia i tërheq vëmendjen ambasadores izraelite

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka informuar ambasadoren izraelite, Simona Halperin, për reagimin e saj “negativ” sa i përket kritikave ndaj ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe politikës ruse në Lindjen e Mesme, që i ka bërë ambasadorja.

E dërguara e Izraelit u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse të martën, një ditë pasi autoritetet ruse shprehën zemërimin për ato që i cilësuan “deklarata të papranueshme” të bëra nga ambasadorja Halperin në një intervistë me gazetën ruse, Kommersant, që u publikua në fundjavë.

Halperin tha për gazetën ruse se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte minimizuar rëndësinë e Holokaustit dhe se Rusia ishte shumë miqësore me grupin radikal palestinez, Hamas – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lidhjet dikur të ngushta mes Izraelit dhe Rusisë janë përkeqësuar që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë më 7 tetor 2023.

Izraeli nisi ofensivën ushtarake pasi luftëtarët e Hamasit vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe morën afër 250 peng gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, si pasojë e luftës deri më tani janë vrarë mbi 27.000 persona. Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Rusia, që ka krijuar raporte të afërta me rivalin kryesor të Izraelit, Iranin, që kur ka shpërthyer lufta në Ukrainë, ka ripërsëritur qëndrimin për një shtet palestinez dhe ka kritikuar veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës./ REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat