Një anije mallrash u fundos mëngjesin e sotëm në Detin Marmara, në jug të Stambollit, me gjashtë marinarë të zhdukur, deklaruan autoritetet turke.
Anija mallrash 69 metra e gjatë, e cila transportonte mallra të thata, dërgoi një sinjal shqetësimi pak pas orës 6:30 të mëngjesit me kohën lokale, ndërsa ishte në brigjet e ishullit Imrali, rreth 50 kilometra nga bregu jugor i Stambollit, tha Ministria Turke e Transportit.
Sipas autoriteteve, sinjali nga anija ndaloi transmetimin në orën 7.12.
Tre varka të rojes bregdetare turke u dërguan në zonë, por nuk ishin në gjendje të lokalizonin anijen, thuhet në deklaratë, duke shtuar se një varkë shpëtimi bosh u gjet aty pranë.