LIVE: Ushtarët e NATO-s në Ukrainë, flet Stoltenberg - Rusia bashkohet me këto shtete; zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare

Evropë

LIVE: Ushtarët e NATO-s në Ukrainë, flet Stoltenberg - Rusia bashkohet me këto shtete; zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare

Nga: Bota sot Më: 11 mars 2024 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 20:22 më 11.03.2024
Foto ilustrim

Stoltenberg: NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u distancua të hënën nga deklarata e Emmanuel Macron se aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë.

“NATO nuk ka plane të dërgojë trupa në Ukrainë dhe NATO nuk është palë në konflikt, as aleatë të NATO-s”, tha Stoltenberg për Reuters në një intervistë.

Sipas raporteve nga Parisi, Macron hodhi poshtë nocionin se trupat franceze potencialisht mund të dislokohen në vend javën e kaluar.

Ai tha se edhe nëse vende individuale të NATO-s dërgonin trupa në Ukrainë, kjo do të ndikonte në aleancën në tërësi, pasi anëtarët e saj janë të detyruar nga një pakt i mbrojtjes kolektive.

I pyetur nëse presidenti francez kishte bërë një gabim duke folur për "paqartësi strategjike" mbi dislokimin e mundshëm të trupave perëndimore në Ukrainë, ai tha: "Unë mendoj se është e rëndësishme që të konsultohemi dhe të kemi një qasje të përbashkët për këto tema të rëndësishme sepse ato kanë rëndësi për të gjithë ne”.

Ushtarët e NATO-s 'tashmë të pranishëm' në Ukrainë; Kina, Rusia dhe Irani do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare

Nga: A.Sh

Marina e Rusisë, Kinës dhe Iranit do të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta në Gjirin e Omanit, thanë ministritë e mbrojtjes të këtyre vendeve më 11 mars.

Të tre vendet kanë kryer stërvitje të ngjashme të përbashkëta detare në të kaluarën, duke përfshirë edhe vitin 2023.

Stërvitjet, të quajtura "Rripi i Sigurisë Detare - 2024", do të përfshijnë anije dhe aeroplanë.

“Qëllimi kryesor i manovrave është të përpunohet siguria e aktivitetit ekonomik detar”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Pekini ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën gjatë luftës së saj të plotë kundër Ukrainës, duke rritur bashkëpunimin ekonomik dhe duke ndërprerë përpjekjet perëndimore për të izoluar Rusinë. Megjithatë, ajo nuk ka mbështetur hapur luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Pavarësisht premtimeve për të qëndruar neutral, Telegrafi dhe media të tjera kanë raportuar se Kina ka dërguar fshehurazi armë në Rusi.

Irani dhe Rusia kanë thelluar bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe politik që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Irani i ka ofruar Rusisë mijëra dronë të tipit Shahed të përdorur në sulmet ajrore kundër Ukrainës dhe po ndihmon Moskën të ndërtojë një fabrikë dronësh në Rusi.

"Biden respekton Papën, por paqja varet nga Moska"- SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden respekton Papa Françeskun pasi ai përdori imazhin e një flamuri të bardhë në një intervistë me TV zviceran për të bërë thirrje për negociata për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por paqja varet nga Moska, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së i tha ANSA të hënën.

"Presidenti Biden ka respekt të madh për Papa Françeskun dhe i bashkohet atij në lutjet për paqen në Ukrainë që mund të arrihet nëse Rusia vendos t'i japë fund kësaj lufte të padrejtë dhe të paprovokuar dhe tërheq trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës", tha ai.

“Fatkeqësisht, ne vazhdojmë të shohim asnjë shenjë se Moska dëshiron t'i japë fund kësaj lufte dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të përkushtuar të mbështesim Kievin në mbrojtjen e tij kundër agresionit rus”, theksoi zëdhënësi.

Papa nxit Ukrainën të ketë guxim për negociata, Ukraina reagon ashpër

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy hodhi poshtë thirrjet e Papa Françeksut për bisedime me Rusinë, ndërkohë që ministri i jashtëm i Ukrainës tha se vendi i tij kurrë nuk do të kapitullojë.

“Kur ligësia ruse filloi këtë luftë më 24 shkurt, të gjithë ukrainasit u ngritën për t’u mbrojtur. Të gjithë të krishterët, myslimanët, hebrenjtë, të gjithë. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit fetarë ukrainas me ushtrinë, me forcat e mbrojtjes, në vijë të frontit, që mbrojnë jetën dhe njerëzimin. Na mbështesin me lutje, me fjalë, me vepra. Kjo është domethënia e kishës për njerëzit. Jo 2,500 kilometra larg, duke ndërmjetësuar nga distanca ndërmjet dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që synon të të shkatërrojë,” tha zoti Zelenskyy.

Ndërkohë Kremlini deklaroi të hënën se thirrja e Papa Françeskut për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është mjaft e arsyeshme dhe se Rusia është e gatshme të ulet për të biseduar, por se Kievi po hedh poshtë bisedimet për shkak të përshtypjes së gabuar se Perëndimi mund ta mposhtë Rusinë.

“Është mjaft e arsyeshme që ai (Papa) foli në favor të negociatave,” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Fatkeqësisht, të dyja deklaratat – të papës dhe ato të përsëritura të palëve tjera – përfshirë tonat, së fundi janë përballur me refuzim të ashpër.”

Zëdhënësi rus Peskov tha se situata në fushëbetejë tregon se shpresat e Perëndimit për t’i shkaktuar “disfatë strategjike” Rusisë ishin të gabuara.

“Ky është keqkuptimi më i thellë, gabimi më i thellë, dhe rrjedha e ngjarjeve, sidomos në fushëbetejë, është prova më e qartë,” tha ai.

Papa Françesku deklaroi në një intervistë për një media zvicerane se Ukraina duhet të ketë, siç e quajti ai guximin, të ngrejë “flamurit të bardhë” dhe të negociojë përfundimin e luftës me Rusinë, dy vjet pas sulmit në shkallë të gjerë të Moskës që la dhjetëra mijëra të vdekur.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link

Gati për luftë? Bjellorusia nis papritur inspektimin e gatishmërisë se forcave ushtarake

Bjellorusia ka nisur një inspektim gjithëpërfshirës të gatishmërisë luftarake të forcave të armatosura, sipas një deklarate nga Ministria bjelloruse e Mbrojtjes.

Stërvitja do të përfshijë lëvizjen e pajisjeve ushtarake, si dhe trajnimin e personelit me gjuajtje të drejtpërdrejtë, shkruan The Guardian.

Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusië, i ka ofruar mbështetje logjistike Moskës gjatë gjithë pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Aleksandër Lukashenko, presidenti i Bjellorusisë që nga viti 1994, mbështeti pushtimin e Rusisë duke lejuar Moskën të përdorë territorin e saj për të nisur luftën, por është përballur me një ekonomi të gjymtuar që varet shumë nga tregtia me Rusinë.

Ministri i Jashtëm polak: Trupat e NATO-s janë tashmë në Ukrainë

“Ushtarët nga vendet e NATO-s janë tashmë të pranishëm në Ukrainë. Do të doja të falënderoja vendet që po ndërmarrin këtë rrezik.

Ata e dinë se kush janë”, tha Sikorsk , duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore për të ndihmuar Ukrainën.

Megjithatë, ministri polak refuzoi të specifikojë se cilat vende anëtare të NATO-s i referohej.

“Ndryshe nga politikanët e tjerë europianë, unë nuk do ta them këtë,” theksoi ai.

Më 26 shkurt, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë “nuk mund të përjashtohet”.

Ministri i Jashtëm polak Radosłaë Sikorski deklaroi se propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron për të vendosur trupa perëndimore në tokën ukrainase mund të jetë i dobishëm si një mënyrë për të ndikuar në veprimet e Rusisë në luftën e vazhdueshme.

“Prania e forcave të NATO-s në Ukrainë nuk është e paimagjinueshme”, tha Sikorski në parlamentin polak.

Megjithatë, deklarata e Macron shkaktoi reagime negative nga qeveritë aleate, me liderët që thanë se nuk do të dërgojnë trupa.

Moska iu përgjigj me zemërim komenteve të Macron, duke paralajmëruar se vendosja e forcave perëndimore në Ukrainë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s.

Ukraina rrëzon 25 dronë rusë gjatë natës

Njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar 15 dronë të dielën, sipas një njoftimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. 

“Forcat e Moskës dërguan një breshëri prej rreth 25 dronë në total”, thuhej në një deklaratë, shkruan Sky News.

I vetmi detaj tjetër i dhënë ishte se dronët ishin modele “Shahed” – UAV të prodhuara nga Irani, të përdorura zakonisht nga forcat ruse.

Nuk dihet nëse ka pasur viktima apo dëme.

Erdogan: Të gatshëm për të pritur Konferencën e Paqes për Ukrainën me pjesëmarrjen e Rusisë

“Turqia është gati të mbajë një konferencë paqeje dhe të sjellë në tryezë përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës”.

Kështu ka deklaruar presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodimir Zelensky në Stamboll javën e kaluar.

“Ne jemi të gatshëm të organizojmë një konferencë paqeje që përfshin pjesëmarrjen e Rusisë.

Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për të zgjidhur këtë krizë dhe për të vendosur një negociatë solide që përfshin gjithashtu sigurinë për anijet që kalojnë Detin e Zi,” tha Erdogan.

Moska organizon votime për zgjedhjet presidenciale ruse në Donetsk

Sot, Rusia po mban votimet e hershme për zgjedhjet presidenciale në qytetin e Donetskut, në rajonin e kontrolluar prej saj në lindje të Ukrainës.

Në dhjetor 2023, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Rusi njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale nga datat 15-17 mars, që përfshin votime edhe në 4 rajone të Ukraninës, që Rusia pretendon se janë territor i saj, që prej vitit të kaluar.

Ukraina ka deklaruar se votimet për zgjedhjet ruse në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson do të jenë të pavlefshme dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë ligjërisht çdo vëzhgues që dërgohet për të mbikqyrur procesin zgjedhor.

Aftësia e Moskës për të mbajtur zgjedhjet në atë që ajo i cilëson si “territore të reja të saj” ka një rëndësi politike për Kremlinin.

Por procesi paraqet sfida logjistike dhe sigurie sepse trupat ruse kontrollojnë pjesërisht 4 rajonet.

Në zonat që kontrollohen nga Moska po zbatohet ligji ushtarak.

Aneksimi nga Rusia i katër rajoneve në lindje të Ukrainës në shtator të vitit 2022 është konsideruar i paligjshëm nga Ukraina dhe shumica e vendeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./

Sulm ndaj një depoje nafte në Rusi, raportohet për një të vdekur

Guvernatori i rajonit jugperëndimor rus të Kurskut tha se një person është vrarë si pasojë e grantimeve ukrainase, duke shtuar se një zjarr shpërtheu në një depo nafte për shkak të një sulmi ukrainas me dron.

“Si rezultat i një goditjeje direkte me granatë, një ndërtesë banimi u përfshi nga zjarri dhe një grua lokale vdiq”, shkroi më 10 mars në Telegram, guvernatori Roman Starovoit. Ai shtoi se burri i viktimës ka pësuar djegie në shkallë të lartë dhe tani po merr trajtim mjekësor.

Starovoit më pas shkroi se “një dron ukrainas ra dhe shkaktoi zjarr në një depo nafte”.

Kanali në Telegram SHOT raportoi se droni dëmtoi një cisternë të naftës me kapacitet prej 3.000 tonësh, por sugjeroi se cisterna ishte e zbrazur në momentin e sulmit.

Javën e kaluar, Starovoit pretendoi se një depo për ruajtjen e benzinës u përfshi nga flakët pas një sulmi ukrainas me dron. Dhe në shkurt u raportua se një zjarr i madh në një depo nafte afër Kurskut u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga Ukraina.
Guvernatori i rajonit të Belgorodit, pas raportimeve për sulmet në Kursk, raportoi se ky rajon ishte sulmuar nga dy dronë ukrainas.

Vyacheslav Gladkov tha se një makinë u përfshi nga flakët, por nuk u raportua për të lënduar. Në një postim të ndarë, ai tha se forcat ukrainase kishin goditur rajonin e Belgorodit, përfshirë me mortaja dhe dronë gjatë 24 orëve të fundit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy dronë janë rrëzuar mbi rajonin e Belgorodit, por nuk raportoi për asnjë sulm me dron në rajonin e Kurskut.

Ushtria ukrainase, që kur Rusia nisi luftën kundër saj më 2022, nuk komenton pretendimet për sulme me dronë në territorin rus.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat