Dy të vdekur nga sulmet ruse në rajonet ukrainase
![](/media/botasot.info/images/2024/March/15/auto_dddd1710492895.jpg)
Së paku dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet e reja raketore dhe me dronë që Rusia i kreu në disa rajone ukrainase të premten, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë. Rusia, ndërkohë, tha se rajoni i vet kufitar, Belgorod, u sulmua përsëri nga dronët dhe raketat ukrainase.
Një dron rus e goditi një ndërtesë banimi në Vinitsia, kryeqytetin e rajonit në perëndim të Ukrainës, duke e vrarë një person dhe duke i plagosur katër të tjerë, tha guvernatori rajonal, Serhiy Borzov, në Telegram.
Më vonë, ai tha se një grua vdiq në spital si pasojë e plagëve të marra nga ky sulm.
Kievi tha se Moska i sulmoi shtatë rajone ukrainase me 27 dronë të llojit “Shahed” dhe me tetë raketa mëngjesin e së premtes.
“Të gjithë 27 dronët u rrëzuan mbi rajonet Kirovohard, Mikolaiv, Herson, Hmelnitski, Vinitsia dhe Kiev”, tha ushtria ukrainase në një komunikatë.
Ushtria ukrainase nuk tregoi nëse i ka rrëzuar edhe raketat ruse.
Ajo tha gjithashtu se forcat ukrainase u angazhuan në 76 beteja nga afërsia në 24 orët e fundit në zonat e rajonit lindor Donjeck, Novopavlivka, Avdivka dhe Liman.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina e sulmoi rajonin e saj kufitar, Belgorod, përsëri të premten, duke i hedhur mbi të shtatë raketa “Vampir”, të cilat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes raketore ruse.
Ajo nuk tregoi nëse ka pasur viktima apo dëme nga këto sulme.
Kanali Baza në Telegram e postoi një video ku shihet një veturë duke u djegur në një rrugë në kryeqytetin rajonal, Belgorod, i cili është duke u sulmuar nga Ukraina në tri ditët e fundit.
Aleksei Kulemzin, kryetari i emëruar nga Moska në qytetin e okupuar nga Rusia, Donjeck, tha në Telegram se tre fëmijë u vranë nga bombardimet ukrainase të premten.
Pretendimet e tij nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.