Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se Pakti për Azilin dhe Migracionin, që u miratua nga Parlamenti Evropian është “një tjetër gozhdë në arkivolin e Bashkimit Evropian”.
“Uniteti ka vdekur, nuk ka më kufij të sigurt. Hungaria nuk do t’i dorëzohet kurrë furisë së migrimit masiv! Ne kemi nevojë për një ndryshim në Bruksel për të ndalur migracionin”, ka shkruar ai në X.
Ky pakt u miratua në një seri votash në Parlamentin Evropian, me mbështetësit e ligjeve të reja që e quanin lëvizjen historike, por OJQ-të thonë se ato janë një hap prapa për të drejtat e njeriut.
Votimi i së mërkurës, i cili tani pritet të vuloset nga vendet anëtare, i jep fund tetë viteve të bllokadës mbi përpjekjet e përsëritura për të forcuar menaxhimin e kufijve dhe proceset e azilit në bllokun 27-anëtarësh.