Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar se do të takohet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan më 13 maj në Ankara.
Të dy krerët u takuan për herë të fundit në dhjetor në Athinë.
Në një deklaratë pas përfundimit të samitit të jashtëzakonshëm evropian në Bruksel, Mitsotakis, pasi konfirmoi datën, e cilësoi si krejtësisht të pajustifikuar reagimin e Turqisë ndaj deklaratës së Greqisë për krijimin e parqeve mjedisore detare në Detin Egje.
“Greqia ushtron të drejtat e saj sovrane në Detin Egje në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit të detit dhe unë jam i impresionuar nga ky reagim krejtësisht i pajustifikuar i Turqisë ndaj një nisme, e cila në fund të fundit ka një karakteristikë mjedisore”, tha Mitsotakis.
Ai shtoi se nuk mendon se përmirësimi i marrëdhënieve greko-turke do të thotë që pozicionet e Turqisë për përcaktimin e zonave detare kanë ndryshuar automatikisht.