Pas raportimit alarmues të ‘Daily Beast’, se shëndeti i mbretit Charles nuk është aspak mirë, vjen një përditësim nga faqja zyrtare e familjes mbretërore.
‘Madhëria e tij do t’i rikthehet së shpejti detyrave publike, pas një periudhe trajtimi dhe rikuperimi pas diagnozës së tij të kancerit’, - shkruhej në ‘Instagram’, këtë të premte, poshtë fotografisë së monarkut 75-vjeçar, krah për krah me bashkëshorten e tij, mbretëreshë Camilla.
‘Në shenjë të këtij rikthimi, mbreti dhe mbretëresha do të vizitojnë së bashku një qendër për trajtimin e kancerit, të martën që vjen, ku do të takojnë doktorët dhe pacientët. Kjo vizitë është vetëm fillimi i një sërë angazhimesh të jashtme në të cilat mbreti do të përfshihet gjatë javëve të ardhshme’, - shkruhej në vazhdim të raportimit.
‘Përveç kësaj, mbreti dhe mbretëresha do të presin perandorin dhe perandoreshën e Japonisë për një vizitë shtetërore në qershor, me kërkesë të qeverisë së HM.’
Gjithashtu, çifti mbretëror shprehu se janë thellësisht mirënjohës për mirësinë dhe urimet që kanë marrë nga e gjithë bota gjatë gjithë gëzimeve dhe sfidave që nga kurorëzimi i tyre vitin e kaluar.