Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e Ebrahim Raisit të Iranit, jo të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian ishin dakord me mesazhin e tij.
Vdekja e presidentit të Iranit, Raisi, dhe Ministrit të tij të Jashtëm, Hossein Amir Abdollahian, në një përplasje të helikopterit, ka provokuar një sërë reagimesh nga Perëndimi.
Ndër tjerash, Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Komisionit Evropian, Copernicus, i cili ofron të dhëna gjeohapësinore dhe imazhe për menaxhimin e fatkeqësive, njoftoi se do të ofronte shërbime hartash për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Por, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka sqaruar se oferta “nuk është akt i mbështetjes politike për asnjë regjim dhe institucion, por është thjesht humanizëm”.
Edhe Zyra e Shtypit të BE-së ka lëshuar një deklaratë ku shpreh ngushëllime për vdekjen e liderit iranian, shkruan euronews.
Jehonë bëri Michel duke thënë se “BE-ja është me familjet e të vrarëve”.
E jo të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian ishin dakord me të.
Eurodeputeti i pavarur, Rob Roos, e quajti shprehjen si “fyerje për popullin e shtypur iranian”.
Edhe demokrati suedez, Charlie Weimers, kritikoi veprimet e Copernicus duke thënë se “paratë e taksapaguesve evropianë nuk duhet të përdoren për të mbështetur regjimin terrorist në Teheran”.
Disa të tjerë, përfshirë eurodeputeten Assita Kanko thanë se ishin “të tronditur” nga solidariteti i BE-së.
Ndryshe, BE-ja është një nga vendet e shumta që ka sanksione kundër regjimit iranian. Këto përfshijnë kufizime tregtare, ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të aseteve.