Qeveria e Polonisë njoftoi të hënën blerjen e raketave nga SHBA për 677 milionë euro, si pjesë e strategjisë për të rritur aftësitë e forcave të armatosura polake, për t’iu kundërvënë kërcënimit të mundshëm nga Rusia.
Kontrata, e cila pritet të nënshkruhet sot, është pjesë e procesit të modernizimit të shpejtë të forcave të armatosura polake që filloi pasi ushtria ruse pushtoi territorin ukrainas në vitin 2022.
“Lufta në Ukrainë tregoi rëndësinë e aftësisë për të lëshuar raketa kundër objektivave larg vijës së frontit, dhe rrezja e raketave që do të përftohen është rreth 1000 kilometra”, shpjegoi Ministria polake e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp.
Dorëzimi i raketave AGM -158 JASSM-ER nga pala amerikane tek ajo polake do të bëhet përgjatë 4 viteve nga 2026 deri në 2030.
Polonia tashmë ka raketa JASSM me rreze veprimi 370 km, pjesë e armatimit të avionëve luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA-ja.
Duke përmendur kërcënimin rus, Polonia ka rritur me shpejtësi buxhetin e saj të mbrojtjes, të cilën e ka tanimë në rreth 4% të PBB-së – më e larta midis vendeve anëtare të NATO-s.
Varshava shpenzon miliarda dollarë për të blerë pajisje ushtarake, kryesisht nga SHBA dhe Koreja e Jugut.