Polonia denoncon një sulm të mundshëm kibernetik rus ndaj agjencisë kombëtare të lajmeve PAP.
Kjo është bërë e ditur nga shërbimet sekrete në Varshavë. Qeveria polake tha sot se lajmi i rremë u shfaq në agjencinë shtetërore të lajmeve se polakët do të ishin mobilizuar për të luftuar në Ukrainë, ndoshta ishte një sulm kibernetik rus.
“Duke pasur parasysh sulmin e mundshëm kibernetik rus ndaj shtypit polak dhe përhapjen e dezinformatave në lidhje me mobilizimin e pretenduar në Poloni, ABW, agjencia e sigurisë dhe Ministria për Digjitalin vepruan me shpejtësi”, shkroi zëdhënësi i shërbimeve të sigurisë Jacek Dobrzynski në rrjetin X.
“Artikulli fals është publikuar dy herë të premten – ora 14:00 dhe 14:20”, shkruan agjencia e lajmeve polake PAP.
“Të dyja herët u tërhoq. Pas tërheqjes së parë, u rikthye”. Agjencia PAP tha se po heton rrethanat e ngjarjes.
"Ne kemi identifikuar burimin e qasjes. Ne e kemi siguruar këtë rrugë," tha për Polsat News, Justyna Wojteczek, zëvendëskryeredaktore e PAP.
Instituti Kombëtar i Kërkimeve i Polonisë (NASK) tha më 8 maj, spiunët kibernetikë rusë kishin shënjestruar rrjetet që i përkisnin qeverisë dhe rekomandoi administratorët e rrjetit të verifikonin nëse punonjësit ishin nën sulm.