Mëngjesin e sotëm raportohet të ketë shpërthyer një bombë në Cetinje, afër Qendrës Sportive, ku ka mbetur i vdekur një person e disa të plagosur.
Siç raporton mediumi malazez, Antena M, tre persona u plagosën dhe u dërguan në spitalin e Cetinjës, duke përfshirë një grua të moshuar.
Hetimet janë duke vazhduar, rrugët përreth Qendrës Sportive janë mbyllur, ndërsa në vendin e aksidentit ndodhet edhe kryetari i komunës, Nikolla Gjurashkoviq.
“Për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe fakteve, si dhe ndriçimin e kësaj ngjarje, zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, në koordinim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, janë duke ndërmarrë masa dhe veprime intensive të zbulimit, rrjedha dhe rezultati i të cilave do të të informohet publiku në kohën e duhur”, njofton policia.
Nga forca e shpërthimit, godinës së Qendrës Sportive janë thyer xhamat dhe është shkëputur një pemë.
Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për këtë rast.