LIVE: ‘Dorëzohen’ ushtarët e Putinit, dalin pamjet nga fushëbeteja – Ukraina merr vendimin drastik

Evropë

LIVE: ‘Dorëzohen’ ushtarët e Putinit, dalin pamjet nga fushëbeteja – Ukraina merr vendimin drastik

Nga: Bota sot Më: 1 korrik 2024 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 14:17 më 01.07.2024
Foto ilustrim

Dhjetëra ushtarë rusë dorëzohen te ukrainasit, pamje nga fushëbeteja

Pas një operacioni të suksesshëm ushtarakë, dhjetëra ushtarë rusë janë dorëzuar para burrave dhe grave të Brigadës së 40të ukrainase.

Këtë e ka konfirmuar ministria e Brendshme ukrainase në një postim në Facebook, ku shihen ushtarët rusë duke u dorëzuar.

U raportua se shumica e rusëve që u kapën robër ishin rekrutë, të cilët do të ishin vrarë në luftë, por zgjodhën jetën dhe ulën armët, u tha nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Atyre madje u është ofruar ndihma e parë mjekësore, për faktin se disa prej tyre ishin plagosur në fushëbetejë, para se të pranonin të dorëzoheshin.

Mizoritë, vrasja e civilëve, torturat dhe abuzimet e njerëzve të paarmatosur janë mënyra e Rusisë. Ushtarët ukrainas janë luftëtarë që kanë nder dhe dinjitet, kështu që ata i trajtojnë të burgosurit armik në mënyrë njerëzore”, shtuan ukrainasit.

Rusët po mbajnë me forcë më shumë se 14,000 civilë ukrainas në robëri dhe është më e vështirë t’i rikthejnë ata sesa ushtrinë apo fëmijët.

Po përgatisnin një sulm në parlament, shërbimet sekrete ukrainase arrestojnë disa persona

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka demaskuar një grup “aktivistësh” civilë që po përgatisnin një sërë aksionesh në Kiev për ditën e djeshme.

Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga bashkëthemeluesi i një OJQ-je të njohur për veprimet e saj anti-ukrainase që nga viti 2015. Sulmuesit planifikonin të shpallnin “largimin nga pushteti” të udhëheqjes aktuale ushtarake dhe politike të Ukrainës dhe më pas të merrnin zotërimin e godinës së Verkhovna Rada, pra parlamentit ukrainas, dhe bllokimin e punës së saj.

Për të mbledhur njerëzit, organizatorët duhej të mbanin një asamble gjoja paqësore në qendër të Kievit. Megjithatë, shumica e atyre që merrnin pjesë në këtë ngjarje do të përdoreshin “në errësirë”, pa iu zbuluar qëllimi i vërtetë i atij grumbullimi. Të arrestuarit gjithashtu planifikonin të përhapnin informacione për “trazirat” në Kiev përmes kanaleve vendase dhe të huaja.

Në këtë mënyrë, ata shpresonin të minonin situatën socio-politike të vendit për të favorizuar Rusinë.

Ukraina do t’i lejojë vrasësit dhe të burgosurit e tjerë të jenë pjesë e ushtrisë

Të dënuarve ukrainas u ofrohet liria në këmbim të shërbimit të tyre në luftën kundër pushtuesve rusë, përfshirë edhe vrasësit. Megjithatë, personat e dënuar për përdhunim, sulm seksual, vrasje të dy ose më shumë personave ose krime kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës, nuk do të lirohen.

Masa vjen pasi Ukraina zgjeron kriteret e saj të rekrutimit ushtarak për të zëvendësuar mungesat në fushën e betejës dhe nevojën për pushim të trupave të vijës së parë. Të burgosurit mund të lirohen me kusht pas intervistimit, ekzaminimit mjekësor dhe rishikimit të dënimit të tyre.

Pasi të zgjidhen, të liruarit me kusht dërgohen në trajnimin bazë në kampe ku mësojnë përdorimin e armëve dhe bazat e tjera të luftës, përpara se të bashkohen me njësitë e tyre. Më shumë se 3000 të burgosur tashmë janë liruar me kusht dhe janë caktuar në njësitë ushtarake, pasi rekrutimi u miratua nga Parlamenti në një projektligj mobilizimi.

Sipas vlerësimeve të Departamentit të Drejtësisë, rreth 27 000 të burgosur të tjerë mund të jenë potencialisht të përshtatshëm për programin e ri.

Kremlini: Raportet për forcimin e forcave ukrainase në kufi me Bjellorusinë janë shqetësuese

Kremlini tha të hënën se një raport i ushtrisë bjelloruse tregon se Ukraina kishte lëvizur më shumë trupa, armë dhe pajisje ushtarake në rajonin e saj verior Zhytomyr, i cili kufizohet me Bjellorusinë,e kjo ishte një shkak për shqetësim.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë pretendoi se Ukraina po ndërtonte forcat e saj të shtunën.

Një zëdhënës i shërbimit të rojës kufitare të Ukrainës tha të hënën se deklarata të tilla ishin pjesë e një “operacioni informativ” të mbështetur nga Rusia dhe se Kievi mbante forcat pranë kufirit me Bjellorusinë për të parandaluar çdo provokim.

Kur u pyet në lidhje me pretendimin e rritjes në  rajonin e Bjellorusisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u kujtoi gazetarëve të hënën se Bjellorusia ishte pjesë e një shteti të bashkuar me Rusinë dhe se dialogu midis Moskës dhe Minskut, ishte i ngushtë.

“Dhe ministritë tona të Mbrojtjes janë në kontakt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. Sigurisht, kjo është një shkak për shqetësim, jo ​​vetëm për Minskun, por edhe për Moskën, sepse ne jemi vërtet aleatë dhe partnerë”, shkruan Reuters

Sulmet ruse, Zelensky: Ukraina po rrit prodhimin e dronëve dhe armëve të tjera

Ukraina po “rriton prodhimin e dronëve” dhe armëve të tjera përballë sulmeve në rritje ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se “gjithçka” ishte e nevojshme në fushën e betejës për të shpëtuar jetë “përmes fuqisë së teknologjisë”, shkruan Sky News.

Në një postim në mediat sociale, ai tha se lufta tregoi se teknologjia ishte një “mbrojtje efektive kundër agresionit”.

Kievi ka rritur prodhimin e tij të dronëve, “lloje të caktuara armësh, municionesh, pajisjesh, makinerish çminimi dhe shumë sende të tjera thelbësore”, theksoi presidenti.

Ukraina pretendon se ka shkatërruar sistemin më të ri të mbrojtjes ajrore të Rusisë

Forcat ukrainase mund të ketë shkatërruar sistemin më të ri të mbrojtjes kundërajrore rus S-500, duke e goditur me raketat amerikane ATACMS.

“Është raportuar se sistemi më i ri i mbrojtjes ajrore S-500 u shkatërrua nga raketa ATACMS. Kostoja e një sistemi të tillë raketor 600 milionë dollarë”, tha Andriy Tsaplienko, gazetari ukrainas që e postoi këtë lajm në Telegram, duke mos elaboruar se ku dhe kur ky sistem u shkatërrua.

Gjenerali Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase ka thënë për mediat ukrainase më 12 qershor, se Rusia kishte montuar komponentët e sistemit raketor S-500 në Krimenë e aneksuar.

Ekspertët ushtarakë kanë vlerësuar në fillim të këtij muaji se Rusia mund të ketë katër sisteme S500 në Krime që gjithashtu njihen si Prometheus.

Sulmi rus në Kharkiv, një i vdekur dhe disa të plagosur

Forcat ruse sulmuan qendrën e Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, me një bombë të drejtuar, duke vrarë një person, plagosur tetë dhe duke u vënë flakën ndërtesave dhe automjeteve, thanë zyrtarët.

Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se bomba goditi pranë qendrës së qytetit, duke shkaktuar një zjarr. Ai tha se numri i të vdekurve është një, mes të plagosurve edhe një foshnjë 8 muajshe.

Guvernatori rajonal Oleh Synehubov tha se një zyrë postare ishte djegur. Shërbimet e urgjencës po kontrollonin zonën.

Kharkiv, i vendosur rreth 30 km (18 milje) nga kufiri rus, ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse në luftë, por mbeti jashtë duarve ruse në fazat e hershme të pushtimit të Moskës në shkurt 2022.

Zelenskyy thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se Moska ka lëshuar më shumë se 800 bomba mbi Ukrainë vetëm gjatë kësaj jave dhe u bëri thirrje vendeve perëndimore që të lehtësojnë edhe më tej kufizimet e vendosura ndaj Kievit lidhur me sulmet brenda Rusisë.

Thirrja erdhi pasi ushtria ukrainase publikoi të dielën pamje të regjistruara me dronë ku shiheshin trupat e pajetë në një zonë civile në qytetin Toretsk në lindje të vendit.

Sulmet në rajonin e Doneskut, të shkatërruar nga lufta, kanë bërë që ekipet e shpëtimit në Ukrainë të intensifikojnë operacionet e evakuimit. Zyrtarët lokalë thanë se bomba të fuqishme ruse kanë goditur qytetin, ndërsa sulmet e Moskës po i detyrojnë njësitë ukrainase në vijën e frontit që të qëndrojnë në pozicione mbrojtëse.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vetëm në një javë, Rusia kishte lëshuar më shumë se 800 bomba në Ukrainë.

“Ukraina ka nevojë për mjetet e nevojshme për të shkatërruar transportuesit e këtyre bombave, përfshirë avionët luftarakë rusë, kudo që janë. Ky hap është thelbësor”, shkroi ai në një postim në internet.

Flitet për bomba të epokës sovjetike, të pajisura me sistem drejtimi me saktësi të madhe që lëshohen nga një avion që fluturon jashtë perimetrit të mbrojtjes ajrore.

Këto bomba peshojnë më shumë se një ton dhe shkaktojnë dëme kolosale kur godasin objektivin.

Ekipet e shpëtimit në Toresk ndihmuan banorët e thyer në moshë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

“Dje pati një sulm dhe shtëpia jonë u shkatërrua. Eshte shumë e frikshme”, tha Oksana Zharko e cila u evakua nga qyteti me ndihmën e autoriteteve.

Gjatë javëve të fundit, sulmet ruse janë përqendruar në qytetin Chasiv Yar më në veri, pasi komandantët ukrainas në zonë thonë se kanë patur pak burime në dispozicion, kryesisht për shkak të një hendeku disa mujor në furnizimin me ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Ukraina vazhdon përpjekjet për të stabilizuar pjesë të vijës së saj të frontit pasi ndihma ushtarake e nevojshme u miratua nga Shtetet e Bashkuara në prill.

Presidenti Zelenskyy u bëri thirrje vendeve që ta ndihmojnë Ukrainën dhe të lehtësojnë më tej kufizimet lidhur me përdorimin e armëve perëndimore për të goditur objektiva ushtarake brenda Rusisë.

“Duhen vendime të qarta për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve tanë,” tha ai. “Sulmet me rreze të gjatë veprimi dhe mbrojtja moderne ajrore janë bazë për ndalimin e terrorit të përditshëm rus. Falenderoj të gjithë partnerët tanë që e kuptojnë këtë”.

Disa orë pas deklaratës së zotit Zelenskyy, zyrtarët ukrainas thanë se Rusia kishte goditur një magazine postare në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në verilindje, duke vrarë një punonjës dhe plagosur nëntë të tjerë, përfshirë një foshnjë 8-muajshe.

Rreth 24 orë më herët, raketat ruse goditën një qytet në jug të Ukrainës, duke vrarë shtatë civilë, mes tyre fëmijë, dhe plagosur dhjetëra vetë të tjerë, njoftuan autoritetet lokale.

Zyrtarët ukrainas publikuan fotografi të trupave të pajetë, të shtrirë në një mbulesë që përdoret për piknik, në një park në Vilniansk si dhe fotografi të kratereve të thella pranë një ndërtese.

Të paktën 38 persona u plagosën në sulmin e së shtunës në mbrëmje, thanë autoritetet dhe shpallën të dielën ditë zie.

Zyrtarët e Donetskut, të emëruar nga Rusia, qytet i cili është pjesërisht i pushtuar si dhe i aneksuar ilegalisht nga Moska, thanë se sulmet ukrainase plagosën të dielën një djalë 4-vjeçar dhe një vajzë 15-vjeçare. Sipas ministrisë së Emergjencave të Rusisë, katër pjesëtarë të saj u goditën nga sulmet ajrore ndërsa përpiqeshin të shuanin një zjarr në kryeqyetin e rajonit, që gjithashtu mban emrin Donetsk.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se forcat e saj gjatë orëve të fundit rrëzuan mbi 72 dronë ukrainas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat