Ish-presidenti rus dhe aleati i ngushtë i presidentit aktual rus, Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, tha sot se forcat e armatosura ruse kanë forcuar radhët e tyre këtë vit me 190 mijë vullnetarë të rinj.
Medvedev, i cili tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se nuk kishte mungesë të personelit ushtarak dhe se objektivi i rekrutimit të Kremlinit po përmbushej.
"Norma mesatare ditore e rekrutimit mbetet e qëndrueshme në rreth një mijë njerëz," tha Medvedev në një takim të Ministrisë së Mbrojtjes ruse.
Sipas vlerësimeve të udhëheqjes ushtarake ukrainase, rreth 550 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur qe nga fillimi i pushtimit rus më shumë se dy vjet më parë.