LIVE: Vizita e Orban në Moskë nxit reagime, nuk përmbahet Putin – vjen një lajm i mirë nga Gjermania për Ukrainën!

Evropë

LIVE: Vizita e Orban në Moskë nxit reagime, nuk përmbahet Putin – vjen një lajm i mirë nga Gjermania për Ukrainën!

Nga: Bota sot Më: 5 korrik 2024 Në ora: 06:59 Përditësuar në ora: 19:54 më 05.07.2024
Viktor Orban dhe Vladimir Putin

Pushtimi rus, Gjermania i dërgon Ukrainës sisteme Patriot

Gjermania tha më 5 korrik se në Ukrainë tashmë është dërguar edhe një sistem i mbrojtjes ajrore, Patriot, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin e nisur nga Rusia.

“Sistemi tretë Patriot nga Gjermania tashmë ka arritur në Ukrainë”, tha ambasadori gjerman në Ukrainë, Martin Jaeger, përmes një postimi në X.

Në prill, Berlini kishte njoftuar se do t’i jepte Kievit këto lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ukraina po i bën thirrje mbështetësve të saj perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore, veçmas sisteme Patriot, të prodhimit amerikan. Ky sistem është i aftë të rrëzojë raketa hipersonike të Rusisë.

Më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Moska po vazhdon të sulmojë sistemin energjetik të Kievit, duke detyruar Ukrainën që të aplikojë reduktime të energjisë elektrike.

Përveç sistemit Patriot, Berlini i ka dhënë Kievit edhe armë të tjera, duke nisur nga artileria e deri tek autoblindat. Pavarësisht se Gjermania i ka dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej miliarda eurosh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, është përballur me kritika muajve të fundit për shkak se nuk po lejon dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të llojit, Taurus.

Gjermania ka shprehur frikën se këto raketa mund të përdoren për të shënjestruar caqe thellë brenda Rusisë. /rel

“Kam parë disa pjesë të debatit presidencial”, Putin i prerë: Nuk kam ndryshuar mendim…

SHBA-ja është një fuqi e madhe botërore, kështu që punët e saj të brendshme në mënyrë të pashmangshme ndikojnë në çështjet globale, tha presidenti rus Vladimir Putin, duke komentuar debatin e fundit zgjedhor midis Joe Biden dhe Donald Trump.

Udhëheqësi rus pranoi se kishte parë ” fragmente ” të debatit të javës së kaluar midis rivalëve demokratë dhe republikanë, por vuri në dukje se ai ka gjëra më të rëndësishme për të bërë sesa të ndjekë të gjitha zhvillimet e procesit zgjedhor në SHBA, kur u pyet për këtë në një konferencë për shtyp pas samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Astana, Kazakistan të enjten.

“Kam mjaft për të bërë, ndaj nuk e ndjek realisht atë që po ndodh atje, veçanërisht përmes komenteve në media. Ata gjithmonë kanë disa preferenca: dikush është pro, dikush është kundër”, tha Putin.

I pyetur nëse debati, i përshkruar si “katastrofik” për Biden edhe nga aleatët, ka ndikuar disi në opinionin e tij, Putin këmbënguli se “asgjë nuk ka ndryshuar”, duke shtuar “a nuk e dinim të gjithë se çfarë mund të ndodhte?”

“Por kjo është, në fakt, puna e tyre e brendshme”, tha Putin, duke përsëritur gatishmërinë e Moskës për të punuar me këdo që zgjedhin amerikanët – por duke vënë në dukje se bota nuk mund të jetë plotësisht “indiferente” ndaj politikës amerikane.

“Në përgjithësi, sigurisht… është e pamundur të largohemi nga kjo, veçanërisht pasi Shtetet e Bashkuara mbeten një fuqi e madhe me aftësi të njohura në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe ushtrisë”, shpjegoi ai.

Takimi me Putin pas Zelenskyt, Ukraina reagon për vizitën e Orban në Moskë

Kievi ka shprehur indinjatën për udhëtimin e papritur të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Rusi, duke u ankuar se autoritetet ukrainase nuk ishin informuar më parë për vizitën.

Orban zbarkoi në Moskë të premten në mëngjes dhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mënyrat për të vendosur një armëpushim të menjëhershëm dhe për të filluar bisedimet e paqes për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë.

Në fillim të kësaj jave, ai udhëtoi gjithashtu në Kiev për t’u takuar me Presidentin ukrainas Zelensky dhe zhvilloi diskutime të ngjashme.

Ministria e Jashtme e Ukrainës është ankuar në faqen e saj zyrtare se vendimi i Orban për të udhëtuar në Moskë është “marrë nga pala hungareze pa miratim apo koordinim me Ukrainën”. Ai theksoi se Kievi është kundër çdo negociate në lidhje me konfliktin pa pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë.

“Kujtojmë se parimi i ‘asnjë marrëveshje për Ukrainën pa Ukrainën’ mbetet i pacenueshëm për vendin tonë dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që t’i përmbahen rreptësisht atij”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Formula e paqes” e Zelensky është “e vetmja mënyrë realiste për të rivendosur një paqe të drejtë”, shtoi ai.

Udhëtimi i Orban në Moskë është kritikuar edhe nga udhëheqës të tjerë perëndimorë. Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, e vendosur të zëvendësojë Josep Borrell si kryediplomat i BE-së, akuzoi kryeministrin hungarez për “mbjellje konfuzioni” dhe shfrytëzimin e presidencës së rradhës të BE-së, të cilën Budapesti e mori në fillim të korrikut.

Putin takim ‘kokë më kokë’ me Orban: Ai është këtu si përfaqësues i BE-së

Presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti në Kremlin kryeministrin hungarez Viktor Orban, duke nënvizuar se vizita e tij nuk është vetëm si lider i një vendi mik, por edhe si përfaqësues i BE-së.

“I nderuar zoti kryeministër, të nderuar kolegë, mirë se vini në Moskë, në Rusi, e kuptoj që këtë herë keni ardhur jo vetëm si partneri ynë i vjetër, por edhe si president i radhës i Këshillit të BE-së”, tha udhëheqësi rus, raporton agjencia e lajmeve Tass.

Më herët, Orban, në përgjigje të kritikave nga BE, tha se inkurajonte paqen.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka pranuar se nuk ka mandat nga BE që të merret me konfliktin në Ukrainë po shtoi se inkurajon paqen. Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell theksoi se Orban nuk ka marrë “leje” nga Këshilli i unionit evropian për të vizituar Moskën.

“Vizita e kryeministrit Viktor Orban në Moskë zhvillohet ekskluzivisht në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë. Kryeministri Orban nuk ka marrë “leje” nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën”, u shpreh ai.

Orban në Moskë, Von der Leyen komenton vizitën: Qasja e butë nuk do ta ndalë Putinin

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha sot, me rastin e vizitës së kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë, se qasja e butë nuk do ta ndalojë presidentin rus Vladimir Putin.

“Kryeministri hungarez Viktor Orban viziton Moskën: Qasja e butë nuk do ta ndalë Putinin. Vetëm uniteti dhe vendosmëria do të hapin rrugën drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, tha von der Leyen.

Orban mbërriti sot në Moskë si pjesë e një “misioni paqësor”, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se Orban pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.

Orbani mbërrin në Moskë, BE-ja vazhdon të distancohet nga ai

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë rritur distancimin e bllokut nga një vizitë befasuese e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në Rusi të premten.

Ai mbërriti në Moskë një javë pasi Budapesti e mori udhëheqjen gjashtëmujore të presidencës së BE-së dhe tri ditë pasi Orbani ia paraqiti Kievit një propozim për armëpushim.

Orbani dhe ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, mbërritën në Rusi të premten në mesditë, ku Orbani do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, sipas raportimeve, përfshirë sipas një burimi nga Qeveria hungareze, i cili i tregoi Radios Evropa e Lirë për planet e tij për vizitë.

Zëdhënësi i Orbanit e shpërndau një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet Orbani në tepihun e kuq në Moskë. “Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska”, shkroi ai.

Szijjarto e postoi një fotografi të veten duke zbritur nga avionin i Forcës Ajrore hungareze dhe shkroi: “Mbërritëm në Moskë. Një hap tjetër për paqe!”

Zyrtarët e BE-së mund të mos pajtohen.

Një zyrtar i BE-së i tha REL-it se Orbani nuk e njoftoi Brukselin për asnjë vizitë të planifikuar në Moskë, ndërsa Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha në një komunikatë të premten se “kryeministri Viktor Orban nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për ta vizituar Moskën”.

Pak para se të udhëtonte për Moskë, Orban tha se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë.

Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.

Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.

“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste të rregullt mëngjesore në radio të premten.

“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.

Një ditë para vizitës së Orbanit në Moskë, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se "udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së".

"Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën", tha Michel.

Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.

Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.

Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë.

Shefi i marinës së Ukrainës: Rusia po humbet qendrën e Krimesë në Detin e Zi

Flota e Detit të Zi të marinës ruse është detyruar të ribazojë pothuajse të gjitha anijet e saj luftarake të gatshme nga Krimea dhe qendra e saj kryesore detare po bëhet vështirë e kontrollueshme për shkak të sulmeve nga Kievi, ka njoftuar shefi i marinës së Ukrainës.

Zëvendës-admirali Oleksiy Neizhpapa tha se sulmet e raketave dhe aeroplanëve ukrainas kishin shkaktuar dëme të rënda në bazën e Sevastopolit, një qendër logjistike për riparime, mirëmbajtje, trajnime dhe ruajtje të municioneve, ndër funksione të tjera të rëndësishme për Rusinë.

“Ato u krijuan gjatë shumë dekadave, ndoshta edhe shekujve. Dhe është e qartë se tani po e humbin këtë qendër”, tha Neizhpapa.

Bëhet e ditur se Ukraina ka përdorur anije detare pa ekuipazh të mbushura me eksplozivë për të shënjestruar anijet ruse dhe ka goditur objektet e flotës dhe objektivat e tjerë ushtarake në Krime me raketa Storm Shadow dhe ATACM.

“Pothuajse të gjitha anijet kryesore të gatshme luftarake janë zhvendosur nga armiku nga baza kryesore e flotës së Detit të Zi, dhe anijet mbahen në Novorossiisk dhe disa prej tyre mbahen në Detin Azov”, tha shefi i marinës ukrainase.

Siç thekson Neizhpapa, bazës detare të Rusisë Novorossiisk në bregun lindor të Detit të Zi i mungojnë objektet e gjera të Sevastopolit të Krimesë, e cila shërbeu si vend depozitimi dhe ngarkimi për raketat e lundrimit të përdorura nga luftanijet e saj për të nisur sulmet ajrore në Ukrainë, shkruan yahoonews.

Krahas bombarduesve strategjikë, anijet luftarake dhe nëndetëset me raketa luajnë një rol të rëndësishëm në sulmet e rregullta të raketave me rreze të gjatë veprimi të Rusisë.

Neizhpapa tha se Ukraina kishte shkatërruar ose dëmtuar 27 anije detare, duke përfshirë pesë që ai tha se ishin shkatërruar nga minat detare të vendosura nga dronët e marinës ukrainase pranë Gjirit të Sevastopolit.

Ndryshe, Flota e Detit të Zi përdoret kryesisht tani për logjistikën, një sasi të vogël të kontrollit territorial bregdetar dhe për gjuajtjen e raketave lundruese.

Por, shefi i marinës nuk pranoi të shpaloste planet e ardhshme të Ukrainës në Detin e Zi.

Mirëpo, dihet se operacionet aty e kanë lejuar Ukrainën të krijojë dhe të sigurojë korridorin e saj të transportit “pa bekimin e Rusisë”, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e eksportit të ushqimit gjatë luftës.

Me shtimin e sulmeve me dronët detar, luftanijet ruse nuk hyjnë në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi në një sipërfaqe prej gati 25 mijë kilometra katrorë.

Shefi i NATO-s shpreson se Ukraina do t’i bashkohet aleancës brenda 10 vjetëve

Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se shpreson se Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake brenda dhjetë vjetëve të ardhshme.

“Vërtet shpresoj se Ukraina do të bëhet aleat”, tha Stoltenberg duke iu përgjigjur pyetjes për zgjerimin e mundshëm të NATO-s në dhjetë vjetët e ardhshme.

Ai u bëri thirrje aleatëve të NATO-s ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armë dhe municione për t’i ndihmuar ta mposhtë pushtuesin rus.

“Sa më e madhe që të jetë mbështetja, aq më shpejt do të përfundojë lufta”, theksoi ai.

Stoltenberg, të cilit i mbaron mandati më 1 tetor, i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA, e cila u publikua të premten.

Liderët e NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Uashington, për ta festuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës, ku pritet të njoftojnë mbështetje të re për Ukrainën.

Ukraina është duke trokitur në dyert e NATO-s qysh prej vitit 2008, kur iu premtua se një ditë do të jetë anëtare.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërkohë, ka thënë kohë më parë se Kievi duhet të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s në samitin e Uashingtonit, pasi dështoi të marrë ftesën në samitin e 2023-ës në Vilnius, pavarësisht lobimit.

Njëra prej gjërave kryesore që do të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Përpilimi i këtij dokument, i cili përbëhet zakonisht nga disa faqe, është duke ndodhur tash e disa javë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës.

Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s tash, kjo është shumë e qartë.

NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar, sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.

​Orban thotë se nuk është në pozitë për të ndërmjetësuar mes Ukrainës dhe Rusisë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë, pas raportimeve se ai do të udhëtojë në Moskë gjatë ditës për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.

Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.

Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.

“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste të rregullt mëngjesore në radio të premten, pa treguar nëse do të udhëtojë në Moskë më vonë gjatë ditës.

“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.

Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se "udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së".

"Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën", tha Michel.

Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.

Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.

Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë.

Lufta në Ukrainë e fundit: Ukraina tërhiqet nga lagja lindore Chasiv Yar, thotë ushtria

Trupat ukrainase janë tërhequr nga lagjja Kanal e qytetit të sulmuar të Chasiv Yar në rajonin e Donetsk, tha Nazar Voloshyn, zëdhënësi i grupit të forcave Khortytsia, në televizionin shtetëror më 4 korrik. Vendimi u mor sepse pozicionet mbrojtëse në lagje u shkatërruan dhe komandantët ranë dakord të tërhiqen në pozicione më të mbrojtura, tha Voloshyn.

Pas kapjes së Avdiivkës në shkurt, forcat ruse e zhvendosën fokusin e tyre drejt Chasiv Yar, një qytet i ngritur që potencialisht i hap Rusisë rrugën për përparime të mëtejshme në rajonin e Donetsk.

Voloshyn tha në fund të qershorit se trupat ruse ishin zmbrapsur nga lagjja Kanal, por se ata nuk kishin hequr dorë nga synimi i tyre për të bërë një përparim në zonën Chasiv Yar.

Forcat ruse kanë shtuar ofensivën e tyre në rajonin e Donetsk, duke fokusuar një nga përpjekjet e tyre kryesore në Chasiv Yar. Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës Oleksandr Syrskyi tha më 2 korrik se luftimet kanë qenë veçanërisht intensive javët e fundit rreth qytetit Toretsk, që ndodhet rreth 25 kilometra (15 milje) në jug të Chasiv Yar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat