LIVE: Dalin pamjet kur raketat ruse godasin direkt spitalin e fëmijëve në Kiev – Ky shtet ngriti avionë luftarakë në qiell

Evropë

LIVE: Dalin pamjet kur raketat ruse godasin direkt spitalin e fëmijëve në Kiev – Ky shtet ngriti avionë luftarakë në qiell

Nga: Bota sot Më: 8 korrik 2024 Në ora: 06:34 Përditësuar në ora: 12:13 më 08.07.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Kina u bën thirrje fuqive botërore të ndihmojnë rifillimin e dialogut Rusi – Ukrainë

Presidenti kinez Xi Jinping, u bëri thirrje fuqive botërore të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të rifillojnë negociatat e drejtpërdrejta. Sipas televizionit shtetëror kinez CCTV, ai i bëri këto komente të hënën gjatë një takimi me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, i cili zhvilloi një vizitë të papritur në Kinë pas udhëtimeve të ngjashme javën e kaluar në Rusi dhe Ukrainë, për të diskutuar mundësitë e një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.

Sipas kanalit CCTV, kryeministri Orban vlerësoi "nismat konstruktive dhe të rëndësishme" të Kinës për arritjen e paqes dhe e përshkroi Pekinin si një forcë stabilizuese mes turbullirave globale.

Përveç Rusisë dhe Ukrainës, fundi i luftës “varet nga vendimi i tre fuqive botërore, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kinës”, shkroi kryeministri Orban në një postim në Facebook, në të cilin shihet duke shtrënguar duart me presidentin Xi.

Kryeministri u takua me presidentin Xi vetëm dy muaj më parë, kur ai priti udhëheqësin kinez në Hungari, si pjesë e një turneu evropian në tre vende, që përfshinte ndalesa në Francë dhe Serbi, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian apo e NATO-s.

Hungaria nën udhëheqjen e zotit Orban ka krijuar lidhje thelbësore politike dhe ekonomike me Kinën. Vendi evropian ka një numër objektesh kineze të prodhimit të baterive për makinat elektrike dhe në dhjetor njoftoi se gjiganti kinez i prodhimit të makinave të tilla BYD, do të hapë fabrikën e tij të parë evropiane të prodhimit të këtyre makinave në jug të vendit.

"Misioni i Paqes 3.0", shkroi zoti Orban mbi një fotografi të postuar herët të hënën në platformën e mediave sociale X, ku shihet ai teksa kishte zbritur nga avioni i tij në Pekin. Ai u përshëndet nga zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme Hua Chunying dhe zyrtarë të tjerë.

Vizita e tij e paparalajmëruar pasoi udhëtimet e ngjashme javën e kaluar në Moskë dhe Kiev, ku ai propozoi që Ukraina të shqyrtojë mundësinë e një armëpushimi të menjëhershëm me Rusinë.

Vizita e tij në Moskë, u dënua nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë.

“Numri i vendeve që mund të bisedojnë me të dyja palët ndërluftuese po zvogëlohet”, tha kryeministri Orban. "Hungaria po bëhet ngadalë i vetmi vend në Evropë që mund të flasë me të gjithë".

Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në fillim të korrikut dhe presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi që zoti Orban shkoi në Moskë si një përfaqësues i lartë i bllokut. Disa zyrtarë të lartë evropianë e hodhën poshtë një gjë të tillë dhe thanë se kryeministri Orban nuk kishte mandat për asgjë tjetër përveç diskutimeve rreth marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri hungarez, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi që ka marrëdhëniet më të ngrohta me Putinin mes drejtuesve të BE-së, ka bllokuar, vonuar ose zbutur vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa treguar se çfarë mund të thoshte kjo për tërësinë tokësore të vendit ose sigurinë e ardhshme të tij.

Ky qëndrim ka nervozuar aleatët e Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët i kanë denoncuar veprimet e Rusisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim për sigurinë e vendeve në Evropën Lindore./VOA

Stoltenberg: Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është ta humbësh atë - por kjo nuk do të sillte paqe

Ndërsa NATO-ja përgatitet të mblidhet të martën në një takim treditor në Uashington për të kremtuar 75-vjetorin e saj, ajo po përforcon mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë.

Gjatë një konference për shtypin me një grusht gazetarësh të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se të gjitha vendet anëtare të NATO-s duan paqen dhe kjo mund të arrihet nëse presidenti rus Vladimir Putin, e kupton se nuk mund të fitojë në fushën e betejës.

"Mënyra më e shpejtë për t'i dhënë fund kësaj lufte është humbja e saj”, tha ai. “Por kjo nuk do të sillte paqe. Do të sillte pushtim”.

Sekretari Stoltenberg përshkroi masat kryesore që do të marr NATO-ja, duke përfshirë krijimin e një komande të posaçme në Gjermani, ndihmën e shtuar financiare dhe ushtarake si dhe marrëveshjet dypalëshe të sigurisë.

Ai i theksoi këto nisma duke trajtuar kompleksitetin e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO dhe frontin e bashkuar të aleancës kundër agresionit rus.

Gjuha e saktë e marrëveshjes përfundimtare të takimit lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, është ende duke u negociuar, tha ai.

Në muajin prill, zoti Stoltenberg tha se aleanca nuk pritej t'i ofronte Ukrainës anëtarësimin në NATO gjatë takimit të lartë, por një "urë" drejt anëtarësimit.

Në takim, ajo "urë" do të përfshijë pesë elementë thelbësorë:

Komanda e ndihmës për sigurinë: NATO-ja po krijon një komandë të re në Gjermani, me qendra logjistike në Evropën Lindore, për të bashkërenduar ndihmën ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Sipas zotit Stoltenberg, kjo do të përfshijë 700 pjesëtarë të personeli të udhëhequr nga një gjeneral i NATO-s me tre yje.

Sekretari Stoltenberg tha se ka pasur dallime midis aleatëve në lidhje me "qasjen ose llojet e armëve që duhet dhënë Ukrainës”. Këto dallime krijojnë vonesa burokratike dhe qëllimi është të bëhet dorëzimi më i shpejtë dhe më i lehtë.

“Kjo komandë e re do të ketë një mandat shumë të fortë, kështu që nuk do të ketë nevojë për konsensus për secilin dorëzim (armësh)”, tha ai.

Zotimi financiar: Që nga shkurti i vitit 2022, aleatët e NATO-s kanë dhënë rreth 43 miliardë dollarë në vit në mbështetje ushtarake për Ukrainën. Takimi i ardhshëm pritet të zgjasë këtë angazhim edhe për një vit, duke hedhur themelet për mbështetjen në të ardhmen.

Dërgimi i menjëhershëm i armëve: Në takim priten njoftime për dërgimin e më shumë armëve dhe municioneve, veçanërisht sistemeve të mbrojtjes ajrore, për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Ndonëse zoti Stoltenberg nuk dha hollësi, një zyrtar i lartë amerikan tha se mund të priten njoftime nga aleatët e NATO-s këtë javë në lidhje me dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë.

Marrëveshjet dypalëshe të sigurisë: Njëzet aleatë të NATO-s do të kenë nënshkruar marrëveshje dypalëshe sigurie me Ukrainën deri në fillim të takimit, duke ofruar garanci shtesë sigurie dhe duke përforcuar përpjekjet bashkëpunuese në fushën e mbrojtjes.

Ndërveprimi: Aktualisht po bëhen përpjekje për të përafruar forcat e armatosura të Ukrainës me standardet e NATO-s, duke përfshirë një qendër të përbashkët trajnimi në Poloni dhe programe për blerjet ushtarake.

Hungaria nuk do të marrë pjesë por as nuk do të pengojë veprimet për Ukrainën

Sekretari Stoltenberg trajtoi shqetësimet rreth qëndrimit të Hungarisë ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe mundësive të saj për të bllokuar vendimet e NATO-s.

Ai foli për një vizitë të fundit në Budapest, ku siguroi një marrëveshje me kryeministrin Viktor Orban se Hungaria nuk do të pengojë masat e propozuara të mbështetjes për Ukrainën.

Budapesti nuk do të marrë pjesë në komandën e re të ndihmës së sigurisë së NATO-s për Ukrainën, por do të përmbushë detyrimet e tjera ndaj NATO-s dhe do të kontribuojë në buxhetin e përbashkët, tha sekretari Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi angazhimet e ndryshme të NATO-s me Moskën edhe pas fillimit të agresionit në Ukrainë.

Ai vuri në dukje një bisedë të kohëve të fundit midis Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, duke nënvizuar natyrën e zakonshme të kontakteve të tilla.

Zoti Stoltenberg tha se NATO-ja duhet të veprojë e bashkuar në zhvillimin e strategjive të reja të mbrojtjes, duke theksuar unitetin pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, të tilla si ato të përfaqësuara nga udhëheqës si kryeministri Orban.

Marrëdhëniet e ardhshme me Shtetet e Bashkuara

Zoti Stoltenberg është i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një aleat i vendosur i NATO-s pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme, duke iu referuar kritikave të së kaluarës nga ish presidenti Donald Trump, kryesisht për çështjet e shpenzimeve të mbrojtjes sesa për vet NATO-n.

Ai theksoi se çdo sekretar i përgjithshëm duhet të jetë në gjendje të punojë me të gjithë udhëheqësit brenda aleancës, duke e krahasuar NATO-n me një familje të madhe që herë pas here përfshihet në diskutime dhe mosmarrëveshje.

Zoti Stoltenberg foli për përvojën e tij të punës me presidentët Barak Obama, Donald Trump dhe Joe Biden, duke vënë në dukje se pavarësisht udhëheqjes politike, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur një aleat i palëkundur dhe i përkushtuar i NATO-s.

Ukraina mashtron forcat ruse duke përdorur ‘modele të rreme të objektivave ushtarake’

Forcat ajrore të Ukrainës pretendojnë se kanë mashtruar forcat ruse të cilat kanë goditur versione të rreme të aeroplanëve luftarakë ukrainas dhe versione të rreme të mbrojtjes ajrore.

Komandanti i Forcave Ajrore, Mykola Oleshchuk, tha se modelet e rreme u vendosën në një aeroport pranë qytetit qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, dhe një lagje të Odesës.

Ai ndau edhe pamje të filmuara nga një dron, i cili tha se tregojnë raketat ruse Iskander duke sulmuar modelet.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte shpërndarë pamje të ngjashme duke thënë se ushtria ruse ka përdorur raketa Iskander për të shkatërruar një aeroplan luftarak ukrainas Mig-29 në aeroportin Dovhyntseve, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Faleminderit të gjithë atyre që ndihmuan me modelet me cilësi të lartë të aeroplanëve dhe sistemeve SAM. Armiku tani ka më pak raketa Iskander”, tha Oleschchuk.

Sigurisht, si ne ashtu edhe armiku kemi humbje në pajisje dhe njerëz. Por asnjëra palë nuk flet për këtë publikisht. Është e qartë pse”, shtoi ai.

Bëhet e ditur se Ukraina rrallë ndan informacione të tilla, por komandanti tha se kësaj here ka përjashtime “për t’i treguar njerëzve se jo gjithçka është siç duket”.

Ndryshe, së fundmi sulmet ruse lanë më shumë se 100 mijë familje pa energji në rajonin Sumy të Ukrainës.

Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se infrastruktura ishte dëmtuar nga sulmet dhe gjithashtu ato kishin ndërprerë furnizimin me ujë,

Holanda premton të dërgojë 24 avionë F-16 në Kiev

Holanda do të fillojë furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë F-16 pa vonesë , kështu premtoi ministri i Jashtëm Caspar Feldkamp, gjatë një vizite në fundjavë në Kiev.

Me rastin e udhëtimit të tij të parë jashtë vendit që nga emërimi i tij pak ditë më parë si kreu i diplomacisë holandeze, Caspar Feldkamp siguroi gjatë një konference për shtyp në Kiev se lejet e nevojshme të eksportit u dhanë javën e kaluar dhe Holanda tani është gati të dërgojë avionin pa vonesa në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm holandez nuk dha më shumë detaje për kohën e dorëzimit të 24 F-16 në Kiev.

Detajet e vizitës së tij në Kiev janë mbajtur sekret deri më sot për arsye sigurie.

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në rajonin rus Voronezh, shkak zjarri në depon e municioneve

Në pjesë të rajonit Voronezh të Rusisë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, pas një sulmi të dyshuar ukrainas me dronë në një depo municioni, e cila u përfshi nga zjarri, thanë autoritetet rajonale.

Guvernatori rajonal, Aleksandr Gusev, tha se dronë ukrainas u rrëzuan nga kundërajrorët rusë dhe se zjarri në depon e municionit u shkaktua nga rënia e copëzave të dronëve.

Depoja e municionit ndodhet në qarkun Podgornenski, në rajonin Voronezh në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Video të publikuar në Telegram shfaqin së paku një dron duke fluturuar drejt depos dhe pastaj mund të dëgjohen një sërë shpërthimesh, teksa tym i zi ngrihet në qiell.

Gusev tha se nuk raportohet për viktima. Më vonë mëngjesin e së dielës, ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vendbanimin ku ndodhet depoja e kapluar nga zjarri, pa e identifikuar atë me emër.

U raportua se rruga drejt kësaj zone është mbyllur dhe se autoritetet kanë filluar t’i evakuojnë banorët në qendra të përkohshme akomodimi.

Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër ndërtesave të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse.

Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës tha mëngjesin e së dielës se kundërajrorët ukrainas i kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse me dronë dhe me raketa në disa rajone.

Armiku sulmoi me dy raketa balistike të tipit Iskander-M, dhe me 13 dronë të llojit Shahed”, shkroi Forca Ajrore në Telegram.

Sipas saj, 13 dronë u rrëzuan në rajonet Kirovohrad, Harkiv, Sumi dhe Poltava.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se raketa e saj Iskander i ka shkatërruar dy hedhës të kundërajrorit Patriot dhe një stacion radari Giraffe në fshatin Juzhin në rajonin e Odesës.

Pretendimi rus nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Ukraina dhe kërcënimi që paraqet Kina, në qendër të takimit të NATO-s në Uashington

Javën që vjen, gjatë një takimi të nivelit të lartë që mbahet në Uashington, NATO pritet të bëjë publike, siç shprehen zyrtarë të saj, “hapa konkretë” që synojnë përshpejtimin e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në aleancën Atlantike. Sipas korrespondetes së Zërit të Amerikës Nike Ching, aleanca do të trajtojë gjithashtu shqetësimet kryesore që lidhen me sigurinë në Ukrainë ndërsa vazhdon agresioni rus, si dhe sfidat në rajonin e Indo-Paqësorit.

Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë vazhdon dhe në horizont nuk duket ende fundi i saj, Shtetet e Bashkuara do të presin krerët e aleancës prej 32 vendesh anëtare për takimin vjetor të NATO-s, që mbahet prej datës 9 deri deri më 11 korrik në Uashington.

Zyrtarë amerikanë thonë se në rend të ditës janë çështje si forcimi i sigurisë së Ukrainës dhe trajtimi i sfidave që paraqet Kina.

“Çështjet tek të cilat do të përqendrohet takimi i nivelit të lartë kanë të bëjnë me mbështetjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, bashkëpunimi me partnerët, mënyrat se si ne mund të ndërtojmë qëndrueshmërinë e aleatëve për t’u përballur me kërcënimet dhe sfidat që paraqet Kina”, tha Douglas Jones, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO kanë thënë se e ardhmja e Ukrainës qëndron tek aleanca dhe javën e ardhshme, grupi do të zbulojë hapat konkretë që synojnë ta sjellin Ukrainën më pranë anëtarësimit në NATO.

Disa ligjvënës amerikanë janë shprehur të shqetësuar nëse Ukraina është gati për t’iu bashkuar aleancës, edhe pse vendi në konflikt është angazhuar për reforma të brendshme.

Por takimi i nivelit të lartë të NATO-s nuk do të përqendrohet vetëm tek Ukraina dhe siguria evropiane.

Analistët thonë se NATO po fillon gjithashtu të shqyrtojë një rol më të madh në Indo-Paqësor.

Australia, Zelanda e Re, Republika e Koresë dhe Japonia janë shumë të interesuara për të thelluar bashkëpunimin e tyre me NATO-n dhe jo domosdoshmërisht në fushën ushtarake, por edhe në disa fusha ku ka bashkëpunim në vazhdim”, thotë Stephen Flanagan, i organizatës kërkimore ‘RAND’.

Takimi i nivelit të lartë në Uashington mbahet ndërsa NATO shënon 75-vjetorit e themelimit. Më shumë se 20 influencues (ndikues) të mediave sociale janë ftuar për të vëzhguar ngjarjen dhe për të shkruar për këtë moment historik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat