Tsikhanouskaya i bën thirrje Perëndimit të jetë i bashkuar kundër Rusisë

Evropë

Tsikhanouskaya i bën thirrje Perëndimit të jetë i bashkuar kundër Rusisë

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 16:04
Liderja opozitare bjelloruse në mërgim, Svyatlana Tsikhanouskaya

Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuara” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.

“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.

Tsikhanouskaya, 41 vjeçe, është ish-mësimdhënëse e cila garoi për presidente në Bjellorusi më 2020, pasi burrit të saj, Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe u burgos.

Ajo u detyrua të ikë në Lituani gjatë luftës brutale kundër një vale protestash prodekomratike, të cilat shpërthyen pasi liderit Alyaksandr Lukashenka iu dhurua mandati i gjashtë presidencial në zgjedhjet e kontestuara.

“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.

Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.

Anëtarët e NATO-s bashkohen kundër Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës

“Dhe ata mendojnë se mund t’i kalojnë vijat e kuqe vazhdimisht”, tha ajo, duke shtuar se ata po e sfidojnë botën Perëndimore për të mësuar se sa larg mund të shkojnë derisa të përballen me një përgjigje.

“Prandaj të gjitha tanket dhe pajisjet e mundshme për Ukrainën është dashur të ishin atje qysh dje. Ne nuk kemi kohë”, nënvizoi ajo.

“Unë po pres unitet dhe vendosmëri nga vendet e NATO-s, sepse këtë po e presin njerëzit të cilët po luftojnë kundër tiranisë, kundër synimeve imperialiste të Rusisë, dhe kundër diktatorëve të botës”, përfundoi Tsikhanouskaya.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat