LIVE: Çfarë po ndodh, përpjekje për ta vrarë Putinin! - Befason ky shtet, refuzon thirrjet për dërgim të aeroplanëve ushtarakë në Ukrainë

Evropë

LIVE: Çfarë po ndodh, përpjekje për ta vrarë Putinin! - Befason ky shtet, refuzon thirrjet për dërgim të aeroplanëve ushtarakë në Ukrainë

Nga: Bota sot Më: 15 korrik 2024 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 16:05 më 15.07.2024
Foto ilustrim

Gjermania refuzon sërish thirrjet për të dërguar aeroplanë luftarakë në Ukrainë

Qeveria gjermane ka refuzuar sërish thirrjet për dërgim të aeroplanëve ushtarakë në Ukrainë, pasi lideri i opozitës Friedrich Merz, prej Unionit Demokristian të qendrës së djathtë, ka thënë se mbështet idenë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Hebestreit, ka thënë se Ukraina do të pranojë disa aeroplanë luftarakë F-16 prej partnerëve perëndimorë, të cilët Gjermania nuk i posedon.

“Nuk ka kuptim që të dërgohen lloje të ndryshme të aeroplanëve luftarakë në Ukrainë”, ka thënë Hebestreit.

“Ndonëse aeroplanët luftarakë mund të duken të ngjashëm prej jashtë, ata janë shumë të ndryshëm për t’i menaxhuar. Duhen trajnime afatgjata për ta”, ka thënë ai.

Merz ka kërkuar të dielën ndihmë shtesë për Ukrainën, në një intervistë të realizuar me transmetuesin gjerman, ARD.

“Më duket disi e besueshme që t’i ndihmojmë Ukrainës që të rifitojë kontrollin e hapësirës së vet ajrore. Sepse, këto sulme me raketa, që janë secilën herë e në rritje, kundër infrastrukturës, kundër elektricitetit dhe furnizimeve me ujë, kundër spitaleve, kundër shtëpive të kujdesit, nuk mund të zmbrapsen vetëm prej tokës”, ka thënë ai.

“Prandaj është konfirmuar dërgimi i aeroplanëve luftarakë në Ukrainë, prej shumë vendeve, përfshirë disa në Evropë. Ne si evropianë, nuk duhet të qëndrojmë mbrapa”.

Hebestreit ka thënë të hënën se propozimi i Merzit nuk është i ri, dhe që Merz duhet të ketë njohuri që Gjermania nuk mund të dërgojë aeroplanë të njëjtë në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

​Zelensky planifikon samit të ri paqeje për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi sot se ai synon të ketë gati të gjitha elementet e një marrëveshjeje paqeje deri në nëntor, në mënyrë që Kievi të mund të mbajë një takim të dytë ndërkombëtar të paqes.

Takimi i parë u mbajt muajin e kaluar në Zvicër, ku morën pjesë përfaqësues të 92 shteteve, por jo edhe Rusia. Kievi njoftoi se mund të ftojë edhe përfaqësues të Rusisë në konferencën e ardhshme.

“Kam vendosur qëllimin që në nëntor të kemi një plan plotësisht të gatshëm”, tha udhëheqësi ukrainas në një konferencë për shtyp, pas kthimit nga samiti i NATO-s në Uashington, më shumë se 28 muaj pas pushtimit rus.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë tha javën e kaluar se Moska nuk do të merr pjesë në takimin e dytë, megjithëse Kremlini nuk ishte kategorik dhe deklaroi se ende nuk ka asnjë indikacion të qartë në lidhje me idenë e mbajtjes së tij.

Ukraina njoftoi se në takimin e dytë do të diskutohet plani, i cili do të përpunohet nga dhjetëra vende të ndara në grupe pune.

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina do të merr një pjesë të avionëve luftarakë F-16 këtë verë, dhe pjesën tjetër deri në fund të vitit, por ai nuk mund të specifikojë saktësisht se sa do të jenë.

"Nuk do të ketë mjaft prej tyre. Ata patjetër do të na forcojnë, por a do të ketë mjaft prej tyre për të luftuar në të njëjtin nivel me Forcat Ajrore Ruse? Unë nuk mendoj kështu. Ne presim një numër më të madh”, tha ai.

Shefi i spiunazhit të Ukrainës thotë se janë bërë disa përpjekje për të vrarë Putinin

Ka pasur disa përpjekje për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin.

Kështu së paku ka thënë shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, shkruajnë mediat e huaja.

“Por siç mund ta shihni, ato ishin të pasuksesshme”, citohet të ketë thënë Budanov për New Voice, një uebsajt ukrainas.

Gjenerali nuk tha se në çfarë bazohej pretendimi i tij.

Ai gjithashtu nuk tha nëse shërbimet e tij apo të tjera të inteligjencës ukrainase mund të ishin përfshirë në planet për vrasjen e presidentit rus.

Megjithatë, Budanov ka bërë komente provokuese në të kaluarën, si formë e luftës psikologjike.

Dhe Kremlini u përgjigj, me zëdhënësin Dmitry Peskov duke bërë të qartë se siguria e presidentit do të mbrohet.

Budanov tha më tej se Putini nuk ishte më një figurë kompromisi e pranuar nga e gjithë elita ruse, por, për shkak se ai ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet, rusët kanë frikë se mos e humbin atë.

Sipas tij, kur Putini të vdes, ai imagjinon se përgjigja do të ishte e ngjashme me vdekjen e diktatorit sovjetik Josef Stalin në vitin 1953.

Për njerëzit në Bashkimin Sovjetik në atë kohë, “e gjithë bota e tyre u shemb, ata nuk dinin të vazhdonin të jetonin“, tha Budanov.

Sidoqoftë, dihet pak për tentativat për sulme ndaj Putinit gjatë kohës së tij të gjatë në pushtet.

Një tentativë për vrasje nga burra nga Kaukazi dështoi në maj 2022, menjëherë pasi Putini urdhëroi nisjen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, tha Budanov. Por, nuk ka asnjë provë për këtë.

Rusia pretendon se ka pushtuar një tjetër fshat në Ukrainë

Trupat ruse kanë pushtuar një fshat të vogël në juglindje të Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes, duke vënë në pah përparimin që forcat ruse po vazhdojnë të bëjnë kundër forcave ukrainase.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë reaguar menjëherë për pretendimin e Rusisë se ka marrë nën kontroll fshatin Urozhajne, që është një prej disa vendbanimeve që gjenden përgjatë lumit Morij Jali në perëndim të qytetit të Donjeckut.

Ky përparim është një prej shumë përparimeve që forcat ruse kanë bërë përgjatë vijës së frontit të gjatë 1.200 kilometra, teksa trupat ukrainase po përballen me vështirësi për të zmbrapsur ushtarët rusë.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht luftimet më të ashpra po zhvillohen afër qytetit të minierave, Toretsk, në veri të Donjeckut dhe në Çasiv Jar, që gjendet më në veri.

Pasi Rusia nisi një ofensivë në rajonin e Harkivit në maj të këtij viti, Ukraina u detyrua të dislokonte më shumë njësi ushtarake për të stabilizuar mbrojtjen e saj.

Kina dhe Rusia kanë nisur stërvitjet e përbashkëta detare

Këtë të diel, marina kineze dhe ruse filluan stërvitjet e përbashkëta ushtarake pranë provincës Guangdong në Kinën jugore, pak ditë pasi NATO e quajti Pekinin “mundësuesin kryesor” të luftës së Rusisë në Ukrainë, të cilën pala kineze e mohoi me forcë.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha në një deklaratë të shkurtër se forcat e përbashkëta detare patrulluan kohët e fundit në Oqeanin Paqësor Perëndimor dhe Verior dhe se operacioni nuk kishte të bënte me asnjë situatë ndërkombëtare dhe rajonale dhe nuk kishte në shënjestër asnjë palë të tretë.

Stërvitja, e cila filloi sot dhe do të zgjasë deri në mes të korrikut, synon të demonstrojë aftësitë e marinës në trajtimin e kërcënimeve të sigurisë dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global dhe rajonal, njoftoi transmetuesi shtetëror CCTV të shtunën, duke shtuar se do të përfshijë gjithashtu stërvitje kundër raketave dhe mbrojtjes ajrore.

Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se forcat detare kineze dhe ruse kryen një simulim të hartave ushtarake dhe stërvitje të koordinimit taktik pas ceremonisë së hapjes në qytetin Zhanjiang.

Stërvitjet e përbashkëta pasuan tensionet e përtëritura midis Kinës dhe NATO-s javën e kaluar.

Deklarata përfundimtare nga samiti i NATO-s në Uashington bëri të qartë se Kina po bëhet fokusi i aleancës ushtarake, duke e quajtur Pekinin “mundësuesin kryesor” të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Partnerët e NATO-s në Indo-Paqësorin ndajnë shqetësimet e sigurisë që vijnë nga Rusia dhe aleatët e saj aziatikë, para së gjithash Kina.

Si kundërpërgjigje, Kina i tha NATO-s të mos krijojë kaos në Azi dhe u njoftua se “e ashtuquajtura siguri” e NATO-s vjen me koston e sigurisë së vendeve të tjera, “Kina i bën thirrje NATO-s të ndalojë ndërhyrjen në politikën e brendshme të Kinës dhe për të njollosur imazhin e Kinës dhe për të nuk po krijon kaos në rajonin Azi-Paqësor pas krijimit të trazirave në Evropë”, tha në atë kohë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Lin Jian./

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat