LIVE: Ushtria ruse pëson ‘humbje të rëndë’, Ukraina merr mbështetje të madhe – BE befason me vendimin!

Evropë

LIVE: Ushtria ruse pëson ‘humbje të rëndë’, Ukraina merr mbështetje të madhe – BE befason me vendimin!

Nga: Bota sot Më: 26 korrik 2024 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 18:21 më 26.07.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Dronë kamikazë kundër Ukrainës, këshilltari i Zelensky: Marrëveshja do i japë forcë Putinit

Nënshkrimi i një marrëveshjeje me Rusinë për të ndaluar luftën me Ukrainën do të ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje me djallin. Kështu u shpreh këshilltari i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në intervistën për Assosiated Press.

Marrëveshja do t'i japë kohë presidentit rus Vladimir Putin për të forcuar ushtrinë e tij dhe për të futur në një kapitull tjetër, potencialisht më të dhunshëm në luftë.

“Nëse doni të nënshkruani një marrëveshje me djallin, i cili më pas do t'ju tërheqë në ferr, atëherë firmoseni. Kjo është ajo që është Rusia. Nëse nënshkruani diçka sot me Rusinë, që nuk do ta humbasë luftën dhe nuk do të jetë ligjërisht përgjegjës për krimet masive, kjo do të thotë se ju keni nënshkruar një biletë për të vazhduar luftën në një shkallë tjetër, me protagonistë të tjerë, me një numër i ndryshëm i njerëzve të vrarë dhe të torturuar”, tha Mykhailo Podolyak, Këshilltar ushtarak i Volodymyr Zelensky.

Lodhja nga lufta duket se po gërryen moralin e ukrainasve, të cilët janë përballur me bombardimet e vazhdueshme, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe humbjen e njerëzve të dashur. Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar për Sociologjinë në Suedi zbuloi se numri i ukrainasve që kundërshtojnë lëshimet territoriale ndaj Rusisë në këmbim të paqes ka vazhduar të bjerë në 55% në korrik, krahasuar me 74% në dhjetor.

Edhe Zelensky ka lënë të kuptohet për një gatishmëri për të negociuar me Rusinë për herë të parë që nga pushtimi në shkallë të plotë i vitit 2022, duke sugjeruar që Moska duhet të dërgojë një delegacion në samitin e ardhshëm global të paqes, i cili pritet të zhvillohet në nëntor.

Sakaq, 22 drone kamikaze janë lëshuar nga Rusia kundër territorit ukrainas, nga të cilët 20 u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase. Kjo u bë e ditur nga Forcat Ajrore të Kievit. Si rezultat infrastruktura e energjisë elektrike të Ukrainës qendrore u godit gjatë sulmit.

BE-ja do t’ia transferojë Ukrainës 1.5 miliard euro nga të ardhurat prej aseteve të ngrira ruse

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur të premten që blloku evropian do t’ia dërgojë Ukrainës 1.5 miliard euro, të cilat i ka siguruar prej aseteve të ngrira ruse në territorin e BE-së.

“Sot, ne transferojmë 1.5 miliard euro të hyra të siguruara prej aseve të ngrira ruse, me qëllim të rindërtimit dhe mbrojtjes së Ukrainës”, ka thënë von der Leyen përmes një postimi në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

“Nuk ekziston mundësi më e mirë për t’i shfrytëzuar paratë e Kremlinit, sesa që ta bëjmë Ukrainën, dhe gjithë Evropën, një vend më të sigurt për të jetuar”.

Pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Perëndimi ka ngrirë asete ruse në vlerë të 276 miliardë eurove.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) ka vendosur muajin e kaluar që t’i japë një kredi Ukrainës në vlerë të 50 miliardë dollarëve, me paratë e gjeneruara nga asetet e ngrira ruse.

Moska, në anën tjetër, ka ndërmarrë masa ligjore kundër këtij vendimi.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, është deklaruar mirënjohës ndaj BE-së.

“Faleminderit von der Leyenit dhe BE-së për mbështetjen dhe këtë kontribut të rëndësishëm për mbrojtje dhe rindërtim të Ukrainës. Së bashku, ne jemi duke kthyer armiqësinë në forcë dhe po ndërtojmë një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Shumica e fondeve të ngrira ruse – rreth 210 miliardë euro – janë duke u mbajtur në Evropë, ndërsa rreth 10 miliardë dollarë janë në Shtetet e Bashkuara.

Asete ruse në vlerë të miliarda dollarëve ka edhe në Japoni dhe Britani.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka reaguar ndaj vendimit të BE-së, dhe ka thënë se Rusia do të kundërpërgjigjet, mirëpo duhet bërë planin me kujdes./REL

Arrestohet ish-zëvendësministri rus i Mbrojtjes

Ish-zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov është arrestuar, sipas Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë.

Gjenerali u ndalua me akuzën e korrupsionit dhe u vendos në një objekt të paraburgimit hetimor, raporton AP.

Po kryhen masa operativo-kërkimore për identifikimin e shkaqeve dhe kushteve që kanë lehtësuar veprimtarinë e paligjshme.

Bulgakov ishte përgjegjës për mbështetjen materiale dhe teknike të ushtrisë ruse.

Ai u lirua nga detyra në shtator të vitit 2022 për shkak të një transferimi në një pozicion tjetër.

Ndryshe, raportohet se më shumë figura të profilit të lartë po hetohen për sjellje të pahijshme. 

Rrëzohet një helikopter ushtarak rus, vdesin të gjithë anëtarët e ekuipazhit

Raportohet se një helikopter sulmues rus Mi-28 është rrëzuar në rajonin Kaluga të Rusisë, ku kanë mbetur të vdekur të gjithë anëtarët e ekuipazhit në bord.

Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se helikopteri po kryente një fluturim të planifikuar përpara se të rrëzohej në një zonë të shkretë të rajonit, verilindja e së cilës kufizohet me kryeqytetin rus, Moskën.

Më tej në deklaratë thuhet se informacionet paraprake sugjerojnë se deri tek përplasja ka ardhur për shkak të një mosfunksionimi teknik.

Ai tha gjithashtu se një komision i Forcave Ajrore të Rusisë ka nisur hetimet në vendin e rrëzimit të helikopterit.

Deklarata nuk specifikoi numrin e anëtarëve të ekuipazhit në bord, shkruan aa.

Guvernatori i Kalugas, Vladislav Shapsha tha në Telegram se përplasja ndodhi në rajonin e Zhizdrinsky.

Raportohet se është sulmuar një bazë ajrore ruse në Krime

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se është sulmuar me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, raportuan mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram më 26 korrik.

Televizioni ukrainas, Suspilne, duke cituar banorët lokalë, raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Kriemsë. “Shpërthime shumë të fuqishme” janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore është sulmuar me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve është shkatërruar një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar, tha se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Ky kanal tha se si pasojë e sulmeve janë përhapur zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, janë plagosur.

Astra po ashtu tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari. Duke cituar burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u gjuajtën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

Ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur sulmet në Krime, por vetëm ka thënë se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit dhe dy mbi atë të Kurskut.

Baza ajrore ushtarake Saki, afër fshatit Novofedorivka, edhe në të kaluarën është shënjestruar disa herë nga sulmet me raketa.

Kjo bazë është shtëpi e regjimentit të 43-të të aviacionit luftarak të Rusisë, që mbështet trupat ruse në jug të Ukrainës dhe operon me bombarduesit Su-24 dhe avionët luftarakë Su-30.

Krimeja, që është pushtuar nga Rusia më 2014, përdoret nga ushtria ruse për të kryer sulme me raketa për në Ukrainë, teksa Moska po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që nisur në shkurt të vitit 2022.

Në prill, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, që mund të fluturojnë deri në 300 kilometra dhe mund të përdoren për të goditur cilindo nga më shumë se 100 caqet ushtarake ruse në Krime./rel

Kaosi me hekurudhat në Paris komplot nga Moska?! Dyshohet se Putin po përpiqet të…

Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike, Parisi është përfshirë nga kaosi.

Linjat hekurudhore në kryeqytetin francez janë bllokuar, pasi janë përfshirë nga zjarre. Rreth 800 mijë pasagjerë janë prekur ndërsa ka dyshime se e gjitha kjo mund të jetë një komplot rus. Mediat e huaja raportojnë se dyshimet janë ngritur ndaj Moskës, pas arrestimit të nj 40-vjeçari, i cili u zbulua se punonte për FSB.

Kirill Gryaznov u arrestua të mërkurën dhe thuhet se është mburrur se do ta kthente ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në një ngjarje që nuk është parë kurrë më parë. Më herët, në muajin prill, u paralajmërua se Moska ka bërë ‘mijëra’ përpjekje për të ndërhyrë në rrjetet hekurudhore evropiane në një fushatë për të destabilizuar BE-në dhe për të sabotuar infrastrukturën.

Pretendimet u bënë nga ministri i Transportit i Republikës Çeke, Martin Kupka, i cili i tha se “mijëra përpjekje për të dobësuar sistemet” ishin bërë që kur Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Autoritetet franceze ende nuk kanë emëruar të dyshuarit, teksa ekziston një lidhje e qartë midis sulmeve të synuara dhe Olimpiadës që po zhvillohet sot.

Fotot tregojnë kaos në stacionet hekurudhore në të gjithë Parisin. “Gare du Nord”, stacioni kryesor Eurostar në Paris, u godit nga sulmet në rrjetin e tij hekurudhor gjatë natës, sipas një zëdhënësi të SNCF, operatori hekurudhor i Francës.

Kjo shkaktoi anulimin e shërbimeve të shumta, përfshirë ato që synonin të sillnin tifozët e sportit nga Londra në kryeqytetin francez, me mijëra udhëtarë në Mbretërinë e Bashkuar që planifikonin të shkonin në Paris sot për ceremoninë e hapjes.

As Perëndimi nuk “ia ndal hovin”, Ukraina gati të sulmojë thellë në Rusi, ja plani i ushtrisë për të rimarrë Krimenë

Kuleba nga Pekini flet për negociata të mundshme me Rusinë, ndërsa Syrsky nga Kievi thekson se njerëzit e tij do të çlirojnë Krimenë. Është kjo pista e dyfishtë në të cilën udhëton Ukraina duke pritur për të zbuluar një të ardhme që do të zbulohet pas zgjedhjes së banorit të ri të Shtëpisë së Bardhë. Ministri i Jashtëm ukrainas, në një vizitë në Kinë, ku takoi homologun e tij Wang Yi, shprehu dëshirën e tij për të hapur një linjë dialogu me Moskën. “Negociatat duhet të jenë racionale dhe praktike”, tha ai. Për Yi, nuk është ende koha për të vendosur Putinin dhe Zelenskyn rreth një tavoline, por “ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të luajmë një rol konstruktiv për rifillimin e bisedimeve të normalizimit”. Sekretari i Shtetit i Vatikanit Parolin, i kthyer nga Ukraina, gjithashtu shprehu mendimin e tij për përfundimin e armiqësive, duke përsëritur se është e nevojshme të “intensifikohen përpjekjet duke përfshirë Rusinë”. Megjithatë, Putin nuk e njeh Zelenskyn si një bashkëbisedues legjitim.

Rimarrja e Krimesë

Ndërkohë, shefi i shtabit të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, njofton për “The Guardian” ekzistencën e një plani sekret për të futur në dorë Krimenë. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur kufijtë e njohur deri në vitin 1991”, tha ai. Syrsky foli për vështirësitë në terren, të evidentuara mirë nga shifrat. “Kontingjenti rus ka 520 mijë vetë, të cilët Moska synon t’i rrisë në 690 mijë. Raporti është tre me një, por pavarësisht se ishte dukshëm më i madh në numër, ne i dhamë armikut vetëm suksese taktike dhe kriza në Kharkiv u zgjidh”, tha ai. Ukraina duhet të rimarrë Krimenë për arsye që shkojnë përtej drejtësisë. Rusia e ka kthyer Krimenë në një bazë të madhe ushtarake, të cilën e përdori për të nisur pushtimin e saj gjithëpërfshirës. Ky përdorim i gadishullit është arsyeja pse Rusia ka pasur shumë më tepër sukses duke luftuar në jug të Ukrainës sesa në veri të saj. Rusia vazhdon të përdorë flotën e Detit të Zi të vendosur në Krime dhe bazat ajrore të gadishullit për të nisur sulme me dronë dhe raketa.

Taktikat e Ukrainës

Në fillim të kësaj jave, Syrskyi komentoi se si të fitosh në numër më të madh. Ai tha: “Çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë për të frenuar përparimin e armikut, ndërsa luftimet janë të shumta? Këtu është përgjigjja e vetme: shtypja efektive e zjarrit e forcave kryesore të armikut dhe rezervave të tij larg vijave të frontit; shtypja gjithëpërfshirëse e armikut pranë vijës së frontit; duke mbajtur në mënyrë të qëndrueshme linjat dhe pozicionet e projektuara; duke përdorur të gjitha mundësitë e armëve dhe municioneve, në të cilat ne kemi një avantazh, veçanërisht dronët luftarakë”. Trupat ukrainase duhet gjithashtu të kërkojnë mënyra të reja për të shkatërruar dronët e zbulimit të armikut, duke përdorur sistemet e luftës elektronike dhe dronët FPV, tha Syrskyi.

“Bllokimi” i ndihmës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij po zhvillon raketa me rreze të gjatë që mund të sulmojnë territorin e Rusisë fqinje. Në fjalimin e tij me video drejtuar kombit, Zelensky tha se zhvillimi i raketave të Ukrainës tregon dinamikë të mirë dhe se vendi i tij gradualisht do të fillojë të mbështetet në vetvete, dhe jo, si më parë, vetëm raketa të dërguara nga jashtë. Ai tha se Ukraina duhet të mendojë për “zgjidhjet e veta, opsionet e veta”, edhe pse ajo mbështetet në mbështetjen ushtarake perëndimore për të luftuar forcat pushtuese ruse. Gjatë fjalimit të tij me video, Zelenski tha se detyra e ushtrisë së tij është të “sigurojë humbjen efektive të trupave ruse, logjistikën e tyre, pozicionet e tyre të rëndësishme, jo vetëm në vijën e frontit, por edhe në të gjitha thellësitë e disponueshme, të cilat duhet të arrihen me të gjitha metodat dhe të gjitha forcat tona”. Aleatët e huaj të Ukrainës e pengojnë atë të përdorë armë perëndimore për të sulmuar objektiva thellë brenda territorit rus, pjesërisht sepse evropianët dhe amerikanët kanë frikë se mund t’i tërheqë ata në luftë. Kjo është arsyeja pse Ukraina po punon tani për të prodhuar raketat e saj me rreze të gjatë.

I dyshuari për sulmin me bombë në Moskë ekstradohet nga Turqia

Një rus, i dyshuar se qëndron prapa sulmit me makinë-bombë, që la të plagosur dy persona në Moskë më 24 korrik, është ekstraduar nga Turqia dhe arritur në kryeqytetin rus, tha zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Irina Volk, më 26 korrik.

Një nga të plagosurit, pas shpërthimit në një parking në veri të Moskës, raportohet se është një zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake. Megjithatë, ende është i paqartë identiteti i të dy viktimave.

Sulmuesi i dyshuar, i identifikuar si qytetari rus, Yevgeny Serebryakov, u arrestua nga policia turke në Bodrum pasi udhëtoi atje me avion më 24 korrik, ditën e njëjtë kur ndodhi sulmi me bombë, tha përmes një deklarate ministrit turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya.

Volk, përmes një postimi në Telegram, tha se arrestimi dhe ekstradimi i Serebryakov u bë i mundur përmes bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit të Rusisë dhe Turqisë. Bashkëpunimi u koordinua përmes kanaleve të INTERPOL-it.

“Sot, Serebryakov është dërguar në Rusi dhe u është dorëzuar hetuesve të Komitetit Hetues të Federatës Ruse”, tha Volk.

As Komiteti Hetues, e as Ministria e Mbrojtjes, nuk ka identifikuar dy personat e plagosur në shpërthim. Këto institucione kanë deklaruar se po kryejnë hetim për këtë incident.

Por, mediat ruse kanë raportuar se Andrei Torgashov, 49 vjeç, zëvendësshef i një qendre ushtarake për komunikime satelitore, i cili raportohet po ashtu se ka marrë pjesë në pushtimin rus të Ukrainës. Mediat kanë thënë se ai dhe gruaja e tij janë personat që u plagosën.

Megjithatë, një person që pretendoi se ishte gruaja e Torgashovit, citohet të ketë thënë, sipas një kanali në Telegram, se as ajo, e as burri i saj nuk ishin në makinë kur shpërtheu bomba, duke pretenduar se aty gjendeshin persona të tjerë.

Një video e paverifikuar, e publikuar në Telegram më 26 korrik shfaq një burrë të ri me pranga në duar, i cili thuhet se është Serebryakov. Kanali i medias MSK1.ru, që publikoi videon, raportoi se shërbimet sekrete ukrainase i premtuan atij “shtetësi ukrainase dhe 10.000 deri në 20.000 dollarë në këmbim të sulmit ndaj një oficeri në Moskë”.

Autenticiteti i videos nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Edhe gazeta ruse Moskovsky komsomolets raportoi më herët “se pistat e hetimit përfshijnë edhe përfshirjen e mundshme të shërbimeve të posaçme ukrainase dhe agjentëve të tyre”.

Disa zyrtarë ushtarakë rusë dhe figura pro Kremlinit janë shënjestuar nga sulmet me bomba, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Sipas mediave ruse Serebryakov, 29-vjeçar, u lind në qytetin Urjupinks në rajonin e Volgogradit.

Ukraina thotë se ka zmbrapsur sulme ruse në katër rajone

Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar 20 nga 22 dronët e lëshuar nga Rusia ndaj caqeve në katër rajone të Ukrainës në orët e para të 26 korrikut.

Kështu njoftoi forca ajrore ukrainase e cila tha se sulmet u kryen në rajonet e Hersonit, Sumit, Zhitomir dhe Çernihivit.

Sulmet e reja ruse ndodhën një ditë pasi Moska sulmoi instilacione në portin ukrainas të Izmajilit në lumin Danub, afër kufirit të shtetit anëtar të NATO-s, Rumanisë.

Kjo nxiti NATO-n që të aktivizonte avionët luftarakë F-18 për të monitoruar situatën.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërkaq, tha se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit dhe dy mbi atë të Kurskut.

Rusia, që ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, e sulmon shtetin fqinj me armë të llojeve të ndryshme, përfshirë dronë, raketa dhe armë kundërajrore.

Pavarësisht dëshmive të shumta, udhëheqja ruse mohon se ushtria e saj sulmon caqet civile në qytetet dhe fshatrat ukrainase, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.

Ukraina shtetëzon 48 milionë dollarë asete në pronësi të oligarkut rus

Nga: Bota sot

Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit e Ukrainës miratoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për shtetëzimin e një ndërmarrjeje prodhuese që i përket oligarkut rus Viktor Kononov me vlerë më shumë se 2 miliardë Hr (48.4 milionë dollarë), tha Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) më 25 korrik.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, gjykatat ukrainase kanë vazhduar të konfiskojnë pasuri të ndryshme që u përkasin oligarkëve rusë, si dhe zyrtarëve dhe politikanëve pro-rusë ukrainas.

Kononov, një miliarder rus i sanksionuar nga Ukraina, shërbeu si drejtor i ndërmarrjes publike "VinnytsiaPobutkhim" me qendër në Vinnytsia Oblast. Një konglomerat, ndërmarrja operonte një numër kompanish që specializoheshin në prodhimin e kozmetikës, si dhe të produkteve të pastrimit të shtëpisë, tha SBU.

Kononov ka shërbyer si një mbështetës publik i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe ka kontribuar financiarisht për të mbështetur përpjekjet luftarake të Kremlinit, sipas SBU.

Si pjesë e shtetëzimit të aseteve, 100 për qind e aksioneve të kompanisë, si dhe llogaritë bankare të lidhura me kompaninë, pajisjet industriale dhe transportuese, dhe pasuritë e paluajtshme në pronësi do të ridrejtohen në shtetin ukrainas.

Më herët, më 25 korrik, në një rast pa lidhje, Agjencia e Rimëkëmbjes dhe Menaxhimit të Aseteve të Ukrainës (ARMA) raportoi se agjencia shiti dy automjete të sekuestruara nga oligarku pro-rus Viktor Medvedchuk. Të ardhurat do të shkojnë për blerjen e bonove ushtarake të Ukrainës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat