LIVE: Gjermania me vendim shokues për Ukrainën, Rusia merr goditjen e fortë nga ukrainasit

Evropë

LIVE: Gjermania me vendim shokues për Ukrainën, Rusia merr goditjen e fortë nga ukrainasit

Nga: Bota sot Më: 20 gusht 2024 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 12:28 më 20.08.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Rafineria ruse e naftës për të tretën ditë me radhë në zjarr, autoritetet assesi të arrijnë ta shuajnë – u godit nga dronët

Një zjarr i madh ka shpërthyer në rafinerinë e naftës në rajonin rus Rostov, ku është djegur nafta e ushtrisë ruse – duke bërë që zjarri të mos mund të lokalizohet nga zjarrfikësit, përkundër përpjekjeve të shumta për tre ditë më radhë.

Autoritetet lokale thonë se zjarri në rafinerinë e naftës në Proletarsk, është përhapur në një zonë prej 10 mijë metrash katrorë.

Rreth 22 rezervuarë nga 74 sa ishin të mbushur me naftë, aktualisht janë duke u djegur – kurse zjarri vazhdon të djeg akoma naftën.

Rreth 520 persona, përfshirë zjarrfikës nga qytetet e tjera fqinje, por tentojnë sërish ta vënë nën kontroll zjarrin.

Rusët pretendojnë se zjarri shpërtheu në rafinerinë e naftës në Proletarsk të rajonit Rostov të shtunën, pas rënies së tre dronëve.

Autoritetet e sigurisë në Proletarsky janë në gjendje gatishmërie, kurse më 19 gusht është shpallur gjendja emergjente në këtë vend.

Gjermania do të kursejë ndihmat për Ukrainën

Në vend të buxhetit federal qeveria gjermane do të përdorë për ndihmën për Ukrainën përfitimet e kapitalit nga pasuritë e ngrira ruse.

Tingëlloi si shok për Ukrainën dhe ata që duan ta mbështesin pa asnjë kufizim Kievin. Qeveria gjermane do të ndërpresë ndihmat financiare nga buxheti federal për Ukrainën në fund të vitit të ardhshëm dhe në vend të kësaj synon t'i marrë nga një burim ndërkombëtar mjetet për Ukrainën. Arsye për këtë është gjendja e vështirë e buxhetit gjerman. Qeveria gjermane e koalicionit të socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve ka probleme me shpërndarjen e të ardhurave shtetërore, kur ekonomia po lëkundet. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, FDP i shkroi një letër ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, SPD dhe asaj të Jashtme, Annalena Baerbock, Të Gjelbrit ku kërkon që "plane të reja" me detyrim pagese lejohet të fillohen vetëm nëse "financimi është i siguruar". E ky nuk duket se është i sigurtë.

Qeveria federale ka planifikuar katër miliardë euro për Ukrainën për vitin 2025. Kjo shumë është pothuajse gjysma e 7.5 miliardë eurove krahasuar me këtë vit. Pas vitit 2025, me sa duket nuk ka më para të tjera të planifikuara për Ukrainën nga buxheti federal.

Lajmi i plotë KETU

Bjellorusia thotë se do të dërgojë aeroplanë dhe pajisje ushtarake në kufirin me Ukrainën

Bjellorusia pretendon se ka dërguar më shumë trupa, aeroplanë dhe armatime në kufirin e saj me Ukrainën.

Ky është hapi i fundit pasi presidenti Alexander Lukashenko tha se ai vendosi pothuajse një të tretën e forcave të armatosura të vendit të tij në rajon – një deklaratë që Ukraina tha se ishte e rreme, shkruajnë mediat e huaja.

“Grupi është rritur ndjeshëm dhe për momentin ata janë në detyrë në kufijtë jugorë të vendit tonë”, tha komandanti i forcave ajrore bjelloruse, gjeneralmajor Andrei Lukyanovich për transmetuesin shtetëror CTV.

Ai shtoi se Bjellorusia, një aleat kryesor rus, po priste më shumë dërgesa të aeroplanëve ushtarakë nga Moska këtë vit dhe po forconte sistemet e saj anti-drone.

Në anën tjetër, Ukraina i quajti deklaratat e fundit të Lukashenkos “retorikë” që synojnë të kënaqin Vladimir Putinin.

Ndërkohë sulmi i Ukrainës në rajonin e Kursk do të thotë se Rusia nuk është gati për të zhvilluar bisedime paqeje për momentin, ka thënë një ndihmës i Vladimir Putin.

Moska nuk po tërheq propozimet e saj të mëparshme të paqes, por pushtimi në Kursk do të thotë se mbajtja e bisedimeve të paqes tani do të ishte “e papërshtatshme”, tha Yuri Ushakov në një deklaratë video të transmetuar nga gazeta SHOT.

Putin tha në qershor se Rusia do t’i jepte fund luftës në Ukrainë vetëm nëse Kievi pranon të heqë ambiciet e tij për NATO-n dhe të dorëzojë katër provinca të pretenduara nga Moska.

Kievi e refuzoi me shpejtësi ofertën, me një këshilltar presidencial ukrainas duke thënë javën e kaluar se pushtimi i Kurskut kërkohej për të bindur Moskën të fillonte bisedimet e paqes “të drejta”.

Mykhailo Podolyak tha se Ukraina nuk kishte asnjë interes për të pushtuar Kursk, por duhej të detyronte Rusinë të fillonte bisedimet me kushtet e Kievit.

Ndihmësi i Zelenskyt thotë se Ukraina nuk planifikon pushtim të territorit rus

Ukraina vazhdon të çojë përpara inkursionin e vet në rajonin kufitar rus, Kursk dhe tani kontrollon qindra kilometra katrorë të territorit, mirëpo me veprimet e saj synon të krijojë një zonë neutrale dhe jo të pushtojë toka ruse, ka thënë udhëheqësia ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 19 gusht se forcat ukrainase kanë marrë kontrollin e 92 vendbanimeve në rajonin Kursk të Rusisë dhe tani kontrollojnë më shumë se 1.250 kilometra katrorë të territorit të armikut, në vetëm dy javë prej nisjes së inkursionit të befasishëm në anën tjetër të kufirit.

Zelensky ka thënë se forcat ukrainase janë duke përmbushur objektivat e tyre teksa çojnë përpara inkursionin në Kursk, ndërsa Moska e ka pranuar që Ukraina e ka dëmtuar urën e tretë mbi lumin Sejm, objekt kritik për lëvizjet e trupave ushtarake ruse në rajon.

Mirëpo, njëri prej këshilltarëve më të lartë të Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, ka thënë për televizionin Current Time - projekt i Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës - se për dallim prej pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, operacioni i Kievit e ka një synim të qartë, dhe është në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar, por edhe mbron popullatën civile.

“Ukraina nuk synon të zaptojë territore të populluara apo të pushtojë këtë territor”, ka thënë Podolyak më 19 gusht.

Ukraina e ka nisur kundërofensivën e befasishme në rajonin Kursk, më 6 gusht, duke ndryshuar dinamikën e luftës dy vjeç e gjysmë në Ukrainë, dhe duke detyruar 120.000 njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre.

Zelensky ka thënë më 18 gusht se detyra kryesore e Ukrainës është “të shkatërrojë sa më shumë potencial rus, dhe të kryejë kundërsulmin me kapacitet maksimal”, me qëllim të krijimit të një zone neutrale.

Podolyak e ka sqaruar nevojën e një zone të tillë, duke thënë për televizionin Current Time se Moska ka kryer sulme në infrastrukturën ukrainase prej zonave kufitare.

“Përgjatë kufirit, përfshirë rajonin Kursk, artileria është e pozicionuar një ose dy kilometra larg kufirit shtetëror, janë të pozicionuara lëshueset e raketave balistike, sistemeve të ndryshme raketore”, ka thënë ai.

“Shiheni rajonin Sumi, që është në anën e kundërt të rajonit Kursk. Rreth 500-600 bombardime janë kryer brenda ditës në atë rajon. Duke zhvendosur armët ruse në një thellësi prej 100 kilometrash, do të mund të mbrojmë popullsinë civile në qytezat kufitare ukrainase, sikurse në Çernihiv, Sumi dhe Harkiv”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatë tjerë të Ukrainës i kanë vënë kufizime Kievit se kur mund të përdorë armët e Perëndimit, pasi ekzistojnë shqetësime se lufta mund të përshkallëzohet.

Megjithatë, Podolyak ka thënë se një përshkallëzim i tillë mund të ndodhë vetëm nëse Ukraina vepron në mënyrë të njëjtë sikurse Rusia.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Inkursioni në territorin e Rusisë, Zelensky zbulon qëllimin e Ukrainës pas sulmit

Ukraina po synon të krijojë një “zonë tampon” në tokën ruse dhe të shkaktojë dëme ushtarake dhe ekonomike përmes inkursionit të saj në rajonin e Kurskut, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një deklaratë video të dielën, Zelensky përshëndeti njësitë ukrainase të angazhuara drejtpërdrejt me forcat ruse. Operacioni në rajonin e Kurskut ka lejuar Kievin të forcojë “fondin e tij të këmbimit”, argumentoi ai, duke iu referuar të burgosurve rusë të luftës.

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase Kirill Budanov tha të premten e kaluar se Kievi do të vazhdojë të ketë prioritet kthimin e atyre “që mbrojtën Azovstal” në shkëmbimet e ardhshme të të burgosurve.

Më herët gjatë javës, zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk e përshkroi kapjen e zonave kufitare ruse si “krijim i një zone sigurie në territorin rus”. Civilëve nën kontrollin e Kievit do t’u ofrohet evakuimi, tha ajo. Ajo më vonë tregoi se e vetmja mundësi do të ishte të shkonte në territorin ukrainas dhe akuzoi Moskën se nuk i kërkoi Kievit të organizonte një kalim të sigurt në drejtimin tjetër.

Kievi nisi inkursionin e tij në Rusi pothuajse dy javë më parë, duke raportuar se kishte vendosur mbi 10,000 trupa të armatosura me armë të rënda për operacionin. Zyrtarët ukrainas pretendojnë se inkursioni do të sjellë një “paqe të drejtë” në konflikt më afër.

Pamje që thuhet se tregojnë sulmin e Ukrainës në urën ruse – Moska thotë se ka të ngjarë të jetë kryer duke përdorur raketa HIMARS të prodhuara nga SHBA

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse ka thënë se një goditje në një urë kyçe në rajonin Kursk të Rusisë ka të ngjarë të jetë kryer duke përdorur sistemin raketor HIMARS të prodhuar nga SHBA.

“Për herë të parë rajoni i Kursk u godit nga raketa të prodhimit perëndimor, ndoshta Himars-ët amerikanë”, shkroi Maria Zakharova në Telegram.

“Si rezultat i sulmit në urën mbi lumin Seim në rrethin Glushkovsky, ajo u shkatërrua plotësisht dhe vullnetarët që ofronin ndihmë për civilët e evakuuar u vranë”, shtoi ajo, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërkohë komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, ndau pamjet që shfaqin goditjen në një postim tjetër në rrjetin social, duke shkruar: “Pilotët ukrainas po kryejnë sulme precize kundër bastioneve të armikut, përqendrimeve të pajisjeve, si dhe qendrave logjistike dhe rrugët e furnizimit të armikut”.

Ndryshe, vënë në pah mediat, ura kishte qenë kyçe për linjat ruse të furnizimit, të cilat Ukraina i ka shënjestruar në mënyrë aktive.

Në një fjalim drejtuar kombit të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se forcat e vendit po fokusoheshin në pengimin e logjistikës dhe rezervave ushtarake ruse.

Goditja në urë erdhi si pjesë e një ofensive më të gjerë ndërkufitare të nisur nga Ukraina javën e kaluar – një lëvizje që befasoi si Rusinë ashtu edhe Perëndimin. 

Incidenti mbi Baltik, bombarduesi hipersonik rus përballet me Eurofighter të NATO-s

Një situatë e rrezikshme ka ndodhur në qiellin e Detit Baltik. Një bombardues hipersonik rus i cili shoqërohet nga dy bombardues luftarak rus kanë kryer një mision vëzhgimi mbi Detin Balltik, dalja kryesore ruse në ujërat e ngrohta.

Por gjatë patrullimit dhe deri në fund të misionit, përballë bombarduesit hipersonik rus u shfaqe një avion luftarak gjerman Eurofighter.

Bombarduesi gjerman i NATO-s shoqëronte avionët rus gjatë gjithë kohës deri në largimin e tyre në bazat ruse.

Kujtojmë se në fillim të muajit gusht, ishte bombarduesi Italian Eurofighter i cili interceptoi katër avionë rus të cilët po fluturonin në hapësirën ajrore të Balltikut. Luftëtarët italianë u ngritën nga baza në Lituaninë veriore pasi morën urdhra nga një qendër mbikëqyrjeje e NATO-s në Gjermani.

“Bëhuni gati për luftë”, gjenerali gjerman: E gjithë Gjermania po përgatitet, ja plani

Kërcënimi i jashtëm për Gjermaninë është më evident se kurrë. Alarmin e ka ngritur Gjenerali i ushtrisë gjermane, Michael Giss. Në një intervistë për median e njohur gjermane, Die Welt, ushtaraku i lartë gjerman dhe shefi i shtabit të komandës së Hamburgut, theksoi se kërcënimi më i afërt ushtarak për Gjermaninë është pas pesë vitesh dhe vendi agresor pritet të jetë Rusia. 

“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ndarjes së Gjermanisë, ne donim mbi të gjitha të shijonim "dividentin e paqes" për 30 vjet dhe dukej se ishim "të rrethuar nga miq". Në Gjermani, ne jemi ende kilometra larg nga perceptimi i një rreziku të jashtëm këto ditë, krejtësisht ndryshe nga, për shembull, njerëzit në shtetet baltike ose Poloni. Por, ora ime e brendshme si ushtar po funksionon dhe më thotë se pas pesë vitesh do të duhet të jemi mjaft elastikë për t'i bërë ballë një kërcënimi të jashtëm ushtarak”, tha Giss.

Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022, Bundeswehri gjerman filloi të zhvillonte "Planin Operativ të Gjermanisë" në mars 2023, versioni i parë i dokumentit sekret, i cili është rreth 1000 faqe i gjatë, është i disponueshëm që nga marsi 2024. Si pjesë e strategjisë së NATO-s, Gjermania duhet të bëhet e aftë për luftë dhe mbrojtje. 

“E gjithë Gjermania duhet të bëhet gati për luftë. Kjo është një detyrë kryesore e përgjithshme për politikën, Bundeswehr-in, biznesin dhe shoqërinë në kuptimin më të gjerë. Bëhet fjalë gjithashtu për infrastrukturën kritike dhe veçanërisht në Hamburg edhe për funksionin e portit për funksionimin e aleancës dhe për mbështetjen e NATO-s. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike në Evropë, Gjermania është vendi ku po zhvillohet marshimi, vendi përmes të cilit njësitë e NATO-s marshojnë drejt krahut lindor”, u shpreh Shefi i Shtabit të Ushtrisë gjermane për Hamburgun.

Aktualisht, 16 shtetet federale në Gjermani po kontribuojnë me skenarët dhe rrethanat e mundshme për planin operacional të Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat