Kryetarja e parlamentit serb dhe deri vonë kryeministrja, Ana Brnabiç, deklaroi dje se Kroacia kundërshton minierat e litiumit në Serbi, sepse do ta forconte më tej Beogradin ekonomikisht brenda rajonit. Brnabiç vlerësoi se protestat në të gjithë Serbinë kundër minierave të litiumit janë gjoja ekologjike, por në fakt qëllimi i tyre është rrëzimi i presidentit Aleksandër Vuçiç.
Deklarata e Ana Brnabiç vjen në një kohë të debateve gjithnjë e më të ashpra të përditshme në publikun serb dhe në skenën politike rreth minierave të litiumit në Serbi, veçanërisht e nxitur nga memorandumi i nënshkruar së fundmi me Bashkimin Evropian për lëndët e para strategjike.
Ai dokument i fuqizoi pushtetarët për të nxitur hapur shfrytëzimin si një shans për prosperitet ekonomik, dhe opozitën dhe aktivistët mjedisorë në luftën kundër korrupsionit dhe për një mjedis të shëndetshëm.
“Me litium, ne jo vetëm që do të ishim më të pavarur, por do të ishim një vend strategjik që ka fuqinë të vendosë dhe t’u imponojë vendimet e veta të tjerëve. Prandaj Zagrebi është kundër tij. Nëse Kroacia do të kishte litium, a mendoni se do të kishte?” pyeti Brnabiç.
Ajo është në mesin e disa zyrtarëve kryesorë të qeverisë në Serbi që lobojnë hapur dhe drejtpërdrejt për minierat e litiumit dhe projektin Jadar, i cili parashikon shfrytëzimin e këtij minerali të rrallë në pjesën perëndimore të vendit të zhvilluar në bujqësi.
Kundër pushtetarëve dhe korporatës së fuqishme minerare janë qindra mijëra njerëz që po dërgojnë mesazhe të forta ditë pas dite në protestat në të gjithë vendin. Korporata shumëkombëshe e minierave Rio Tinto qëndron pas projektit, por ai kontestohet nga aktivistët mjedisorë.