“Flokët e shtrigës” pushtojnë Islandën, vendi nordik ende nën efektet e vullkanit

Evropë

“Flokët e shtrigës” pushtojnë Islandën, vendi nordik ende nën efektet e vullkanit

Më: 31 gusht 2024 Në ora: 09:35
Zyrtarët vendas deklarojnë se efektet e shpërthimit mbeten të kufizuara

Fije të mprehta xhami të errët, të krijuara nga shpërthimet vullkanike kanë nisur të bien si dëborë mbi komunitetet e gadishullit Rejkjanes, në jug-perëndim të Islandës.

Agjencia meteorologjike lokale deklaroi se fijet nga shpërthimi i fundit kanë qenë tej mase të shumta. Të njohura si “flokët e shtrigës”, ato janë përhapur në një zonë të gjerë.

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët se është jetike që fibrat e xhamit të mos preken me duar të zbathura.

Shpërthimi, që nisi më 22 gusht pas një seri tërmetesh, vazhdon të tërheqë vizitorë në Islandë. Kjo është hera e gjashtë që vullkani në gadishullin Rejkjanes shpërthen që prej dhjetorit.

Zyrtarët vendas deklarojnë se efektet e shpërthimit mbeten të kufizuara, pasi rrugët janë mbyllur dhe nuk përbëjnë kërcënim për popullsinë.

Islanda, që shtrihet mbi një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun verior, regjistron mesatarisht një shpërthim çdo 4-5 vjet.

Shpërthimi më i fuqishëm i kohëve të fundit daton në vitin 2010, kur retë e dendura të hirit u përhapën në atmosferë dhe paralizuan trafikun ajror për disa muaj me radhë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat