Për SPD, Të Gjelbrit dhe FDP që formojnë koalicionin e qeverisë në Berlin rezultati i zgjedhjeve në Saksoni dhe Tyringi është një goditje shumë e fortë. Çfarë pasojash do të kenë këto zgjedhje për politikën në Gjermani?
Ishin vetëm dy lande federale nga gjithsej 16 lande, ku më 1 shtator u zgjodh një parlament i ri i landit. Ishin vetë 5 milionë votues nga më shumë se 61 milionë persona me të drejtë vote në të gjithë Gjermaninë. E megjithatë zgjedhjet në landet Saksoni dhe Tyringi kanë shumë më tepër rëndësi se ajo rajonale. Nga njëra anë, sepse për herë të parë në zgjedhjet e një landi një parti e ekstremit të djathtë si AfD, Alternativa për Gjermaninë fitoi më shumë se një çerekun e votave. Nga ana tjetër se partitë që formojnë qeverinë në Berlin asnjëherë nuk kanë marrë së bashku një rezultat kaq të dobët elektoral.
79% e gjermanëve të pakënaqur me qeverinë
Si në Saksoni edhe në Tyringi partia e provuar si ektremiste e djathtë, AfD mori më shumë sy dyfishin e votave se socialdemokratët SPD, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP të marrë së bashku. Rezultatet e tyre janë njëshifrore dhe tek Të Gjelbrit apo FDP madje nuk mjaftojnë për të hyrë në parlamentet e landeve Saksoni dhe Tyringi. Edhe Partia Socialdemokrate, SPD sipas sondazheve parazgjedhore madje rrezikonte të mos hynte në parlament, por në fund socialdemokratët shpëtuan nga ky dështim i plotë. Katër nga pesë gjermanë janë të pakënaqur me punën e qeverisë dhe kjo prej muajsh. Në trendin e Gjermanisë që publikon televizioni ARD kancelari Scholz dhe ministrat e tij marrin nota të dobta.
Dëbimet pak para zgjedhjeve nuk ndihmuan
Koalicioni qeveritar në Berlin perceptohet si i përçarë dhe i paaftë për të rrpuar. Kreu i Të Gjelbërve, Omid Nouripour tha pas votimeve të dielën, se secili duhet "të shikojë njëherë nga vetja". Në këtë pikë nuk ndihmoi që qeveria pak para votimeve në plan afatshkurtër dhe me shpejtësi mori masa pas atentatit me thikë në Solingen, ku humbën jetën tre vetë. Në politikën e migracionit u bënë të ditura ashpërsime të reja dhe papritur u kthyen në Afganistan 28 vetë me vepra penale.
AfD e shikon veten të konfirmuar. Zgjedhjet në dy lande i dhanë kësaj partie një rezultat "historik", tha bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel natën e së dielës dhe kërkoi që qeveria të japë dorëheqjen. "Ky është ndëshkim për koalicionin dhe rekuim për qeverinë", tha ajo dhe qeveria duhet të pyesë veten nëse mund të qeverisë kështu.
Jo probleme para zgjedhjeve të tjera
Më 22 shtator zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit në Brandenburg. Aty kryeson AfD, por e ndjekur pas nga Partia Socialdemokrate, SPD. Socialdemokratët do të bëjnë gjithçka, të ruajnë qetësinë para zgjedhjeve që kanë rëndësi shumë të madhe për partinë SPD. Që nga viti 1990 kjo parti qeveris në këtë land. "Unë pres, që të gjithë të angazhohen shumë më tepër se deri tani", paralajmëroi kreu i Partisë Socialdemokrate, SPD, Lars Klingbeil. "Të gjithë duhet të japin kontributin e tyre që të bëhet më mirë."
Klingbeil tha se kancelari, Olaf Scholz ka mbështetjen e partisë, pavarësisht rezultateve të dobta në dy landet, Tyringi dhe Saksoni. Nga kreu i partisë ende dëgjohet, se me Olaf Scholz si kandidat për kancelar do të shkohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të federatës. Por kjo mund të ndryshojë menjëherë, nëse kryeministri i landit Brandenburg, Dietmar Woidke i SPD dështon të rizgjidhet. Kjo mund të rrisë zërat që dëgjohen që tani brenda SPD, që si kandidat për kancelar për zgjedhjet e vitit 2025 më mirë të paraqitet ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, shumë më i preferuar se kancelari Scholz aktualisht.
Rritet potenciali për konflikt brenda koalicionit
Pyetja që shtrohet, është nëse koalicioni i SPD, Të Gjelbërve dhe FDP do të rezistojë deri në zgjedhjet e ardhshme? Rezultatet e dobta në lande dhe sondazhet me vlera shumë të ulta në nivel federate e kanë prishur atmosferën. Brenda partive janë shtuar zërat për më shumë prezencë dhe profilizim. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, SPD, Kevin Kühnert tha se "tani për partinë time do të bëhet fjalë të emancipohet më shumë nga të tjerat dhe të bëjë të qartë se çfarë mund të marrësh nga SPD dhe ku ne nuk do të lejojmë më të na hedhin valle në majë të hundës".
Potencial për konflikte ka - jo vetëm grindja për buxhetin për vitin e ardhshëm, që duhet të miratohet në Bundestag. Mbetet të pritet, nëse qeveria do t'i zbatojë ashpërsimet e parashikuara në politikën e migracionit. Ka zëra kritikë brenda krahut të majtë të SPD dhe Të Gjelbërve që nuk janë dakord me to.
Presioni i Unionit CDU/CSU
Në të vërtetë asnjë nga partitë e koalicionit nuk mund të shkojë deri në atë pikë sa koalicioni të dështojë. Nëse do të kishte zgjedhje ta parakohshme, ky koalicion nuk do të ketë shumicën, sipas rezultateve të deritanishme në sondazhe. Fituesit do të ishin Unioni dhe AfD që krijojnë grupin më të madh opozitar në Bundestag. "Partitë e koalicionit janë ndëshkuar", tha kreu i përgjithshëm i CDU, Carsten Linnemann në zgjedhjet e landit. "Një parti e kancelarit që në të dy landet arrin rezultat njëshifror duhet t'i shtrojë vetes pyetjen, nëse bën vërtet politikë për popullin në Gjermani?"
Unioni CDU/CSU ka për ta rritur edhe më shumë presionin ndaj qeverisë. Aktualisht ai nuk kërkon vetëm të zbatohen me shpejtësi ndryshimet e parashikuara në politikën e migracionit, por kërkon ashpërsime të tjera. Kreu i CDU, Friedrich Merz tha pas sulmit me thikë në Solingen, se duhet të flitet për një "kufi të mbingarkesës" që është tejkaluar në vend. Merz kërkoi që qeveria të shpallë "një emergjencë kombëtare" që të kthejë refugjatët drejt e në kufi./DW