Spanja thyen rekord në numrin e turistëve dhe të ardhurave nga turizmi

Evropë

Spanja thyen rekord në numrin e turistëve dhe të ardhurave nga turizmi

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 13:13
Foto ilustrim

Numri i turistëve që vizituan Spanjën në periudhën janar-korrik ka qenë mbi 53 milionë ndërsa të ardhurat nga turizmi tejkaluan shifrën prej 71 miliardë eurosh, të dhëna të cilat në krahasim me vitet e mëparshme është një rekord, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave të Spanjës (INE).

INE njoftoi se në periudhën janar-korrik 2024 Spanjën e kanë vizituar 53 milionë e 370 mijë turistë, me një rritje prej 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në njoftim u bë e ditur se vetëm në muajin korrik Spanjën e kanë vizituar 10.9 milionë turistë.

Në deklaratë thuhet se të ardhurat nga turizmi tejkaluan shifrën prej 71 miliardë euro në 7 muaj dhe theksohet se ka pasur një rritje prej 18.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Nëse krahasohen të dhënat në fjalë me vitet e mëparshme, deklarata tha se është thyer rekord. Ministri i Industrisë dhe Turizmit, Jordi Hereu, në deklaratën e tij lidhur me çështjen, duke tërhequr vëmendjen në veçanti në të ardhurat nga turizmi, tha se “Të dhënat e INE konfirmojnë se turizmi vazhdon të drejtojë ekonominë spanjolle, duke krijuar pasuri dhe punësim në këtë sektor”.

Përderisa numri i turistëve që vizitojnë Spanjën tejkaloi shifrën 85 milionë për herë të parë në vitin 2023, ky numër pritet të tejkalohet deri në fund të vitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat