Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të mërkurën me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vullin në margjina të një forumi ekonomik në Vlladivostok.
Në takim, i cili është transmetuar drejtpërdrejt në platformën YouTube, Vullin ka thënë se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.
Ai ka thënë se për shkak të qëndrimit të vet, Serbia është nën presion të jashtëzakonshëm.
“Mirëpo, Serbia, e udhëhequr prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj”, ka thënë Vullin.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë më parë për Zërin e Amerikës se qëndrimi amerikan ndaj Vullinit “dihet mirë” dhe që ai është nën sanksione amerikane.
Paraprakisht, Bashkimi Evropian u ka thënë mediave në Serbi se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit”.
“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të paarsyetuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë blloku evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 3 shtator.
Forumi në Vlladivostik të Rusisë do të mbahet prej 3 deri më 6 shtator.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se vizita e Vullinit në Rusi nuk përbën “asgjë aq të tmerrshme”.
“Ne nuk kemi shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Federatën Ruse, nuk është e ndaluar për askënd që të takohet përfaqësuesit e Federatës Ruse”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk e inkurajon luftën në Ukrainë dhe nuk e mbështet shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
Ai ka rikujtuar që edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, si kryeministër i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë së fundmi në Moskë dhe është takuar me Putinin.
“Nëse Orbanit i lejohet, natyrisht që edhe Vullini mund ta takojë. Nuk shoh ku është ndryshimi apo qasja ndryshe”, ka thënë kryeministri i Serbisë.
Vullin ka qenë disa herë në Moskë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ai është i njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane për “korrupsion dhe veprime destabilizuese” me qëllim të avancimit të agjendave dhe interesave të tij personale, duke i bërë dëm paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor./REL