Angli, rritet shkalla e vjedhjes së telefonave inteligjent

Evropë

Angli, rritet shkalla e vjedhjes së telefonave inteligjent

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 19:03
Ilustrim

Qeveria britanike po u bën thirrje kompanive të teknologjisë që të ndihmojnë në trajtimin e shkallës së lartë të vjedhjes së telefonave inteligjentë. Ekspertët fajësojë lulëzimin e tregut të zi të telefonave për shtimin e grabitjes së telefonave nëpër rrugët e qyteteve angleze.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë policinë londineze që ndjek një hajdut që ka vjedhur 24 telefona celular gjatë orëve të mëngjesit, që më pas u dënua me dy vjet burg.

Të dhënat deri në mars të vitit 2024, tregojnë se rreth 200 njerëzve në ditë u vidhen telefonat ose çantat. Vjedhja është shtuar me rreth 150% krahasuar me një vit më parë, ose rreth 78,000 viktima. Nez është një prej viktimave.

“Po shkoja drejt stacionit të autobusit dhe muzika që dëgjoja në kufje u ndërpre. E kuptova që më kishin vjedhur telefonin”, tregon ai.

Në këtë video shihet një hajdut që e ndjek nga pas viktimën dhe i vjedh telefonin pa u ndjerë. Por një polic i fshehtë e kap hajdutin në lagjen e famshme Soho të Londrës.

Sipas qeverisë britanike, rritja e kërkesës brenda dhe jashtë vendit për telefona të përdorur po i nxit vjedhjet. Ben Wood është analist me firmën “CCS Insight”.

“Po shohim sfida të mëdha në treg sepse është shtuar kërkesa për telefonat e përdorur. Veçanërisht për produktet si Iphone ose modelet e fundit të Samsungut, që kushtojnë shumë kur janë të rinj por e ruajnë vlerën”.

Qeveria britanike është zotuar se do ta godasë krimin duke vënë në objektiv hajdutët e telefonave dhe tregjet që ata përdorin. Qeveria ka në plan të organizojë një takim me kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit për të diskutuar mënyra për parandalimin e vjedhjes së telefonave inteligjentë.

“Është një sfidë e vazhdueshme për kompanitë kur kemi të bëjmë me vjedhjet. Por sfida më e madhe është t’i detyrosh njerëzit që të përdorin veçoritë mbrojtëse që ofron telefoni si njëjtësimi me fytyrën, shenjat e gishtërinjve apo kode të vështira për hapjen e telefonave inteligjentë. Këto janë mënyrat më të thjeshta për mbrojtjen e telefonit. Por ka edhe aplikacione që tregojnë vendndodhjen e telefonit dhe të mundësojnë ta bllokosh përdorimin e telefonit të vjedhur”, thotë zoti Wood.

Ai thotë se bllokimi në shkallë botërore i përdorimit të një pajisje të vjedhur, çka do të kërkonte shumë vite të arrihej, do t’i jepte fund vjedhjes së telefonave inteligjentë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat