Krnov në verilindje të Çekisë u përfshi dje nga përmbytje të padëgjuara më parë kur lumenjtë Opava e Opavice dolën nga shtrati.
Policia tha se një person kishte humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të zhdukur, ndërsa qindra shtëpi mbetën pa energji elektrike.
Eliska Cokreska, rezidente e Krnov tha për rrjetin AFP se ujërat kishin shkatërruar të gjitha dyqanet:
“Shkova deri në fund te kopshti kështjellës, është një katastrofë. Të gjithë trotuaret janë shkatërruar, do të duhet shumë kohë për të rikthyer gjërat siç ishin”.
Të tjerë dëshmitarë thanë se qyteti ishte i mbuluar nga uji dhe banorët ishin të bllokuar në shtëpitë e tyre.
“Ishte e rëndë të mbeteshim të bllokuar mes dy lumenjve që shkatërronin qytetin tonë që mezi e kishim ndërtuar”, tha këshilltarja bashkiake vendase Marketa Duroskova Bezrucova, për përmbytjen e nisur me reshjet masive të së premtes.
Duke qëndruar para pallatit të tyre me apartamente parafabrikate Marie Lasak Blokesova e krahasonte përmbytjen me ato të vitit 1997.
Asokohe uji vau rreth 50 njerëz dhe shkaktoi dëme të mëdha, veçanërisht në zonat lindore të Çekisë, vendi i BE me 10.9 milionë banorë.
Dje mijëra shtëpi ishin pa energji elektrike dhe zjarrfikësit raportonin se kishin ndërhyrë në më shumë se 1000 thirrje për ndihmë në të gjithë vendin.
Lumi në Opava, qyteti rreth 240 kilometra në lindje të kryeqytetit Pragë, kishte pësuar dëme të mëdha nga përmbytja, ashtu si dhe disa fshatra poshtë rrjedhës së lumit.
Në fshatin Velke Hostice rreth pesë km poshtë rrjedhës nga Opava vullnetarët po ngrinin barriera me thasë rëre, sipas modelit të barrierave në përmbytjet e vitit 1997, shkruan AFP.